Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetësisë 7 Prilit, Sektori i Femrës pranë FRI-së realizoi një sërë aktivitetesh në kuadër të fushatës me moto: “Kujdesem për shëndetin mental.Stresi nuk është mbi shëndetin tim!”, fushatë kjo e cila në vete ka ngërthyer disa lloje të aktiviteteve.
Qëllimi i Sektorit të Femrës pranë FRI-së përmes realizmit të këtyre aktiviteteve, është ngritja e vetëdijes së nxënësve lidhur me shëndetin mental në përgjithësi dhe stresin në veçanti, si dhe sensibilizimi i opinionit të gjerë rreth problemeve psikologjike me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme.
Kjo fushatë filloi me ligjerata nëpër shkolla të mesme të qytetit të Shkupit. Ligjerata e parë u mbajtë në gjimnazin “Zef Lush Marku” më 04.04.2013 ku ligjerues ishte Muhammed Jonuzi – Psikolog me temë: “Stresi, vetëm i dëmshëm apo edhe me dobi?!”
Ligjërata e dytë u realizua në shkollën e mesme të ekonomisë “Arseni Jovkov” më 05.04.2013 me temë “Stresi dhe Shëndeti” ku ligjëruese ishte psikologe Gyltene Dërguti nga Kosova.
Aktiviteti i radhës në Shkup ishte tribuna me temë “Stresi dhe Shëndeti“ e realizuar më 05.04.2013 në Kafe klubin FRI. Ligjëruese po ashtu ishte psikologe Gyltene Dërguti.
Ndër aktivitetet kryesore të fushatës është edhe botim i fletushkës “Kujdesem për shëndetin mental.Stresi nuk është mbi shëndetin tim !” me autor magjistër Muhamed Jonuzi.
Duhet theksuar se keto janë vetëm disa aktivitete të realizuara nga Sektori i Femrës pranë FRI-së ngase aktivitete të tilla ditët në vijim do të realizohen edhe nëpër qytete tjera të Maqedonisë në Tetovë, Kumanov dhe Kërçovë.
Shpresojmë që përmes këtyre aktiviteteve FRI do të arrijë që sadopak ta përmbushë qëllimin parësor të kësaj fushate, në drejtim të sensibilizimit të opinionit të gjerë në lidhje me disa probleme psikologjike të cilat e preokupojnë shoqërinë tonë.