Categories
Lajme FRI

Serbia i thotë “bye-bye” Maqedonisë

Marrëveshja e nënshkruar para do kohe mes Kosovës dhe Serbisë u ka hapur perspektivën euroatlantike dy vendeve fqinjë. E para pritet të fillojë negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim dhe asocim me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbia pritet që në Samitin e BE-së të marrë datën për hapjen e negociatave. Të dy vendet mësohet të kenë marrë dritë jeshile nga takimi i ministrave të jashtëm në Bruksel.
Pas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, Serbia dhe Kosova pritet të shpërblehen në Samitin e radhës së BE-së. Këshilli i Ministrave të BE-së i ka dhënë të hënën dritën jeshile Kosovës për fillimin e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Draft-rezoluta e Këshillit të Ministrave të BE-së, që ka parë Radio Evropa e Lirë, shkruan se “Kosova është e gatshme të nis negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe pa paragjykim për pozitën e vendeve anëtare ndaj statusit (të Kosovës), miraton vendimin për autorizimin e hapjes së negociatave”. Ndërkaq, Serbia poashtu ka marrë dritë jeshile dhe në samitin e këtij muaji pritet të marrë datën për hapjen e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian. “Për Kosovën dhe Serbinë, faktet janë të qarta.
Ata morën detyrat dhe i përmbushën dhe tani është e rëndësishme që ne të plotësojmë pjesën tonë të marrëveshjes”, ka thënë të hënën shefi i diplomacisë suedeze Karl Bild, para fillimit të mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe ministri gjerman Guido Vestervelle. Për dallim nga vendet fqinjë të cilat hapërojnë dukshëm drejt Bashkimit Evropian, Maqedonia duhet të kënaqet nëse mbetet në statusin aktual, vlerëson opozita dhe ekspertët. Nuk ekziston plan “B” dhe as alternativë e rrugës sonë drejt BE-së dhe NATO-s në çdo aspekt dhe si vend i vogël, shikuar edhe si treg edhe ekonomikisht, si dhe një shoqëri multietnike. Të mos harrojmë përse caqet BE dhe NATO janë prioritet për Maqedoninë, ka thënë kryetari i ri i LSDM-së, Zoran Zaev, për Radion Evropa e Lirë. Ai më tej shton se Qeveria këto ditë përgatit opinionin edhe për një dështim të Maqedonisë në këtë plan.
“Këto ditë shohim konfirmim publik nga ana e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme se do të ishim të kënaqur nëse gjendemi në rend ditë në Samitin e qershorit. Domethënë është e mundur edhe të mos diskutohet për Maqedoninë. Por, një është e qartë se datë për negociata Maqedonia nuk do të marrë. Ky është dështim dhe dikush përfundimisht duhet patjetër ti sqarojë qytetarëve të vendit tonë, përse Maqedonia nga viti 2005 e këndej nuk ka asnjë përparim në pjesën e marrjes së datës për negociata, pas gjashtë viteve status kandidat”, ka thënë Zaev.
Nga Samiti i qershorit, Maqedonia përfundimisht duhet të marrë një impuls të ri të pragmatizimit të skenës politike për të vendosur prioritetet e vërteta në vend të parë në agjendën politike dhe politikanët duhet një herë të vetëdijesohen dhe të dalin para popullit e të thuan se disa gjëra patjetër të përfundojnë nëse ne vërtetë duam të anëtarësohemi në BE, është shprehur Zaevi. Sipas tij, për opozitën nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Fakti që vendet fqinjë përparojnë në procesin integrues dhe madje edhe tejkalojnë Maqedoninë, siç është rasti me Serbinë, sipas analistit Denko Malevski, dëshmon se Maqedonia si shtet nuk është e aftë për të krijuar një atmosferë të brendshme rreth nevojës serioze për të gjetur kompromis me Greqinë.
“Me vite e shfrytëzojmë këtë problem aq të vështirë për maqedonasit, për konfrontime të brendshme, për ndarje politike në tradhtarë dhe patriot dhe dëshmojmë një paaftësi të madhe, e cila rezulton me situatën në të cilën ndodhemi tani. Nëse edhe në të ardhmen, në Maqedoni nuk ndërtojmë një atmosferë reale për dialog, në të cilin edhe ata që janë kundër edhe ata që janë pro, do të trajtohen njëjtë, si njerëz që shqetësohen për vendin e tyre dhe jo si patriot ose tradhtarë, nuk do të mund të bëjmë asnjë hap përpara”, thotë Maleski. Sipas tij, në një situatë të këtillë edhe përpjekjet e partnerit shqiptarë në Qeveri, përveç se nuk do të japin rezultate pozitive, mund të kenë kundër afekt. Negociatorët ndërkombëtarë, thotë ish-diplomati Malevski, kërkojnë të komunikojnë me pushtetin e këtushëm me një zë dhe me një fjalë dhe jo me dy qëndrime të kundërta.
“Fakti që ata nuk i japin mbështetje aq të madhe përpjekjeve të BDI-së në këto udhëtimet jashtë vendit, tregon se ata frikësohen që problem i emrit ka rrezik të kalojë në probleme ndëretnike”, thotë Maleski./koha/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version