Sovraniteti kombëtar karshi fukarallëkut masiv
Pyetja qendrore në këtë çështje është se çka do të thotë sovraniteti kombëtar karshi dallimeve ekstreme midis kombeve perandori (si rastet e kombeve të mëdha) dhe kombeve të vogla, që në esencë janë kuazi-kombe pa një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe varësi ekstreme nga tregjet dhe resurset e jashtme.
Fundvitet janë periudha të reflektimit për të shikuar hesapet e kaluara, por edhe planet e reja si në rrafsh mikro, ashtu edhe atë makrostrukturale. Në këtë drejtim familjet, bizneset, komunitetet, por edhe shtetet, përpilojnë strategjitë dhe planet për zhvillimet e ardhshme, diku njëvjeçare e diku edhe strategjike. Në këtë analizë koncepti i kombeve të vogla është në kontekst të fuqisë ekonomike dhe modelit të zhvillimit ekonomik. Në fakt, edhe shkencërisht është vërtetuar një dialektikë midis nevojave elementare dhe fuqisë blerëse në shkallë kombëtare (shtetërore) në paradigmat e modeleve të reja të zhvillimit ekonomik, posaçërisht të vendeve me fuqi të limituara. Pra, teza që elaborohet në këtë analizë është se raporti midis “fuqisë ekonomike” të kombet e “vogla” dhe të limituara ekonomikisht është i drejtë me “fuqinë” e sovranitetit të tyre. Thënë shkurt, shtetet e limituara ekonomikisht kanë edhe sovranitet të limituar! Kur do ta kuptoje këtë qeverisja Gruevski?
Ekonomisti i famshëm kinez Mao Yushi ca javë me parë bëri një analizë të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore në Kinë. Ai vërente si po evoluon modeli i zhvillimit ekonomik kinez në dekadën e dytë të këtij shekulli. Midis tjerash ai nënvizonte si “në dekadën e fundit tregu ishte faktor i rëndësishëm në modelin e zhvillimit ekonomik të Kinës, kurse tani ai bëhet faktor vendimtar… “. Këtë e konstatim ai e nxirrte si ekstrakt të konkluzioneve të Plenumit të tretë të Partisë Komuniste të Kinës, në të cilin presidenti kinez, Xi Jinping “xixëlloi” në kërkim dhe gjetje të modelit të ri të zhvillimit ekonomik të Kinës. Pra, Kina me hapa të sigurta rrugëton drejt një modeli të ekonomisë së tregut, pavarësisht ideologjisë politike komuniste. Një kapitalizëm shtetëror “sui generis” për kushtet e një perandorie ekonomike që orientohet nga tregu por njëherazi duke mbajtur llogari edhe për shpërndarje të mirëqenies në shtetin më të madh demografikisht në botë. Model specifik për kushte specifike! Pra, edhe megashtetet si Kina me fuqi globale demografike, ekonomike, ushtarake, kulturore,… vazhdimisht po evoluojnë në kërkim të paradigmës më të përshtatshme për zhvillim pa kurrfarë kompleksi të shmangies nga ideologjia shekullore, vetëm me qëllim të rritjes së mirëqenies dhe standardit jetësor të popullatës së saj, edhe pse sot është vendi me më shumë “milionerë” në botë. Kjo fare nuk i pengon liderit komunist kur është në pyetje modeli i zhvillimit ekonomik.
Shembulli i Kinës është ekstremi i llojit të vet në këtë analizë, jo për krahasim paradoksal, por për dëshmi të proceseve dhe modeleve zhvillimore kur fitet për standardin jetësor të popullatës. Nuk i dhimbset Kinës modeli i sistemit të saj politik kur bëhet fjalë përmirësimin e sistemit ekonomik – nga ai plotësisht i planifikuar në atë të kombinuar – ku tregu do të dominojë për efiçiencë dhe konkurrencë ekonomike kombëtare, por njëherazi edhe shteti do të ndërhyjë gjithandej për t’u kujdesur për shpërndarje më të drejtë dhe më të përafërt të zhvillimit ekonomik. S’ka dilemë se sot edhe në vendet më kapitaliste ekonomia e tregut po dominohet edhe nga parimi i solidaritetit shoqëror, model që më së miri reflekton në vendet e Skandinavisë, që ua ka lakmi gjithë planeti për cilësinë e jetës!
Kjo ishte vetëm si parantezë për të analizuar se çka ndodhë me kompleksin e inferioritetit të lidershipit të kombeve dhe shteteve të vogla, që gjoja për asnjë çmim nuk e dorëzojnë “sovranitetin” e tyre të kalbur! Rasti i Maqedonisë në zhagitjen e proceseve të integrimit me pretekst të sovranitetit dhe identitetit deri edhe në përmasa të fukarallëkut masiv, që çon në shpërngulje, ndërrim përkatësie shtetërore (masiviteti i shtetësisë bullgare, më vonë edhe serbe…) e deri në gjendjen që “nëse duhet, do hamë rrënjë dhe bar, por identitetin të mos e ndërrojmë”! Sa ia vlen të modelohet zhvillimi ekonomik dhe shoqëror në vendet e vogla dhe të limituara (për të mos thënë të sakatuara) mbi bazë të sovranitetit nacional në kushte kur edhe vendet më të zhvilluara të Europës, bile edhe ata që shekuj me radhë kanë qenë në luftëra të ashpra dhe kanë lënë në fushat e betejave miliona ushtarë? Europa e shekullit të 19-të, por bile deri në gjysmën e shekullit 20-të, më së miri dëshmon këtë. Po kjo Europë sot është e bashkuar, pavarësisht dallimeve që kanë në strategjitë e tyre zhvillimore.
Pyetja qendrore në këtë çështje është se çka do të thotë sovraniteti kombëtar karshi dallimeve ekstreme midis kombeve perandori (si rastet e kombeve të mëdha) dhe kombeve të vogla, që në esencë janë kuazi-kombe pa një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe varësi ekstreme nga tregjet dhe resurset e jashtme. Ku qëndron fuqia efektive e këtyre kombeve gjysmake pa kohezion të brendshëm ekonomik, politik, social (demografik), kulturor,… për të mos nënvizuar aspektin ushtarak. Buxhetet “ushtarake” të shteteve të vogla janë shumë herë më pak se vetëm një bombardier i padukshëm (p.sh. B-20), që e kanë fuqitë e mëdha! Sa avanturistike duket krekosja e lidershipit të kuazi-shteteve pa kohezion të brendshëm për një sovranitet të plotë nacional?
Lidershipi i këtyre shteteve jo që nuk e di “takatin” e vet, por shtiret sikur është i rëndësishëm dhe “i pavarur” në vendimbërjet e tij përderisa përplot demagogji thirret në të drejtën për vetëvendosje që paraqet vlerë fondamentale të Kombeve të Bashkuara. Krejt kjo për efekte të brendshme elektorale! Fatkeqësisht që masat e gjera popullore (masa elektorale) akoma nuk mund të paramendojnë se sa pak të përfillur janë këto lidershipe kur janë në pyetje vendimet strategjike me përmasa regjionale. Në ato rrethana atyre vetëm u komunikohen vendimet e qendrave të vendosjes dhe u sugjerohet që të vijnë në (mikro)qendrat e veta administrativo-politike t’i promovojnë ato si vendime te tyre sovrane përderisa nuk është realizuar akti konkret nga këto qendra të vendimbërjeve efektive!
Kombet e vogla duhet të ndërtojnë modele të tyre specifike të zhvillimit ashtu si edhe kombet e mëdha (rasti i Kinës). Dallimi qëndron në çekuilibrin e fuqisë së ndikimit dhe mungesën e kohezionit social dhe ekonomik. Nëse keni mbi 30% papunësi strukturale më shumë se njëzet vjet, varësi dominante afatgjate nga importi (mbi 40% defiçit tregtar), nivel të ulët dhe afatgjatë të aftësisë konkurruese, mungesë identiteti ekonomik, pa u nënvizuar aspektet e dobësive institucionale, s’do mend se krekosja për identitet politik dhe kombëtar është më shumë “luftë me mjegulla” se realpolitikë! Me çfarë identiteti ekonomik dhe me çfarë modeli ekonomik do ta dëshmojë sovranitetin e saj Maqedonia? Edhe ato pak produkte që në ekonominë e përbashkët jugosllave i kishte vendi sot nuk figurojnë në hartën e gjeografisë ekonomike të regjionit. Deindustrializimi i skajshëm, humbja e “brendeve” që identifikoheshin me vendin dhe moskrijimi i “brendeve” te reja, koncepti i “zhvillimit” mbi bazë të shfrytëzueshmërisë së lëndëve të para dhe resurseve të lira, shkalla shumë e ulët e finalizimit të produkteve vendore, tash e dy dekada përbëjnë modelin e zhvillimit joefektiv! Improvizimet e investimeve të huaja të tipit të hindusit Subrata Rojit janë dëshmia më e mirë se për çfarë sovraniteti është fjala. Ai me vullnetin e qeverise “okupon” qindra hektarë tokë ndërtimore dhe disa mijë hektarë tokë bujqësore me pretekstin e zhvillimit! Ky është modeli i zhvillimit ekonomik të Maqedonisë “sovrane”!
Përderisa shumica dërmuese e mediumeve (me ndonjë përjashtim shumë të vogël) tregojnë storiet e “suksesshme” të qeverisjes dhe ndërtojnë pritshmëri të reja për ekspandim ekonomik me dhjetëra mijë punësime të reja këtë vit, bizneset vendore janë në telashe të mëdha: mbi 30% janë rritur kompanitë me llogari të bllokuara krahasuar me një vit më parë, kreditimi është gjithnjë e më i reduktuar, bursa me indekse rënëse në kontinuitet, ndërsa pagat mesatare janë më të ulëtat në regjion. Në fakt, s’ka indikatorë më pasqyrues për situatën e kompanive kur rritja e kredive të këqija i bën bankat komerciale edhe më reduktuese ndaj aplikuesve për kredi të reja.
Si rezultat i këtij “lulëzimi” qytetarët po e braktisin vendin në kërkim të bukës së gojës. Vala e radhës për shtetësi bullgare pason këtë vit pas marrjes së të drejtës për qasje të bullgarëve në tregun evropian të punës. Megjithatë mbi këtë gjendje mjerimi te masat e gjera popullore po rriten shumat e përfitimeve të vetëm disa kompanive dhe individëve që gravitojnë në koniunkturat e qeverisjes. Qeverisja po krenohet me “mirëqenie” të atyre që për një muaj fitojnë më shumë se dikush për gjithë jetën e punës – një gjendje kjo e trishtuese sociale!
Prandaj duhet rishikuar modelin e zhvillimit ekonomik mbi baza të gjendjes reale – sa ai model është konzistent në rrafshin brendaregjional. A vazhdon ekonomia e Maqedonisë të rrudhet në model monocentrik si “ekonomi e Shkupit” me përjashtim të gjallërimit të disa vendeve kufitare me shtetet anëtare të BE-së (si Strumica, Gjevgjelia,…etj)? Pjesa veri-perëndimore e vendit është në nivel më të ulët zhvillimi dhe nivel më të lartë mjerimi ndoshta në 40 vitet e fundit. E vetmja gjë që lulëzon janë rekuizitat e krishterimit ortodoksë, sepse edhe në palcën e trojeve etnike shqiptare po mbijnë rekuizitat e ortodoksizmit si kërpudhat pas shiut. Në qendër të Kodrës së Diellit, krahas manastirit ortodoks, mbijnë tabelat e “Shën Ilisë”, edhe pse ne 20 km. distancë tokësore s’ka asnjë të vetme familje ortodokse që banon në ato anë! Për të demonstruar fuqi politike dhe “sovranitet” të plotë në këto anë, qytetarëve u kufizohen në lirinë e tyre bazike – të lëvizin deri te pronat e tyre për shkak të sigurisë së ministres së Brendshme. Në vend që ministrja e Brendshme të kujdeset për sigurinë e qytetarëve dhe pronave të tyre, të cilët e paguajnë atë, ajo vë roje tërë eshalonin policor për të kufizuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Policët e mjerë bëjnë roje gjithë natën, se mos vallë rrotullohet ndonjë “armik” në zonat ku ajo pushon dhe qëndron. Çdo dite e më tepër Kodra e Diellit po popullohet me “maqedonas lindorë” për të dëshmuar sovranitet mbi ato anë. Autobusë të paguar nga paratë publike po i shëtisin në këto anë njerëzit e papunë nga gjithandej “ana tjetër e Maqedonisë” për t’ua dëshmuar atyre tërësinë territoriale me një të vetmin qëllim të politikës ditore të qeverisjes “Gruevski”. Fushata ka filluar – jo vetëm për zgjedhjet presidenciale! Ne, nga “kjo anë” e vendit, duket që pak e kemi, për këtë kokë duhet edhe më shumë! Litari këputet kur hollohet, kurse zullumi kur trashet. Si duket akoma duhet zullum shtesë deri sa ai të këputet plotësisht! Ky është modeli i “sovranitetit” të një shteti sakat!
Categories