Këtë fundjavë u përmbyllën aktivitetet e kursit pranë Sh.E. “Haxhi Nazim Xhaferri” për vitin që lamë pas, me një aktivitet në kuadër të fushatës “Ta njohim Muhamedin a.s.”
Në aktivitetin e fundit u diskutua për ushqimet e preferuara të Profetit tonë, zakonet e tij dhe këshillat e tij rreth të ushqyerit. U përmendën edhe ushqimet si, hurmat, mjalti, qumështi, që Profeti ynë i preferonte, si dhe tradita e tij rreth ushqimit, ku ndër zakonet u përmendën se ai gjithmonë fillonte me emrin e Allahut, hante me dorën e djathtë, asnjëherë nuk e përbuzte ushqimin që nuk i pëlqente, gjithmonë e ndante me të tjerët, gjithmonë falënderonte atë që e ka përgatitur.
Nxënësit patën rastin të dëgjonin edhe disa hadithe rreth çështjes në fjalë. “Kur hani mos e teproni” dhe hadithin: “Ushqimi i njërit, u mjafton dyve, ushqimi i dyve u mjafton katërve, kurse ushqimi i katërve mjafton për tetë.”.
Në fund u realizua punë në grupe ku nxënësit në formë grupore diskutuan dhe prezantuan për një pemë dhe dobitë e saj.
Bëjmë të ditur që gjatë muajit shkurt do të bëhet përmbyllja e fushatës “Ta njohim Muhamedin a.s.” duke realizuar edhe disa aktivitete me nxënësit tanë.
Kërçovë, 31 dhjetor 2022