Pas tre raundesh bisedimesh në më pak se dy muaj, Irani dhe gjashtë fuqitë e mëdha kanë arritur një marrëveshje paraprake në Gjenevë, duke frenuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Përparimi u arrit pas një historie negociatash të dështuara, dhe mund të jetë hapi i parë drejtë uljes së tensionit mes fuqive perëndimore dhe Iranit pas 35 vitesh armiqësi. Vlen për tu shënuar që marrëveshja erdhi më pak se tre muaj prej kohës që presidenti i ri i Iranit, Hasan Rouhani, u angazhua të ndryshojë marrëdhëniet e Iranit me botën.
Marrëveshja do të ketë pasoja të menjëhershme rajonale dhe ndërkombëtare, sidhe me tu arritur marrëveshja afatgjatë, mundësisht brenda pak muajsh, riafrimi mes Uashingtonit dhe Teheranit me shumë gjasa do të shtrojë rrugën drejtë një riorganizimi të madh në lindjen e Mesme.
Marrëveshja po ashtu pritet të hapë rrugën drejtë rinjohjes së rolit rajonal të Iranit duke filluar me Sirinë, Irakun, rajonin e Gjirit dhe Afganistanit.
Teksa pakëson prezencën e saj ushtarake në rajon, SHBA-ja pret që Irani të jetë më pak ngatërrestar dhe më bashkëpunues në menaxhimin e krizave në rajonin e Lindjes së Mesme.
Dhe duket se shumë në Teheran janë të lumtur ta shikojnë Iranin tek zëvendëson Arabinë Saudite apo Izraelin si ndërmjetës i besueshëm për Shtetet e Bashkuara në rajon.
Disa argumentojnë se kjo e gjitha është mendim me zemër dhe do të rezultojë jetëshkurtër duke marrë parasysh antagonizmin që shkon në dekada dhe diferencat ideologjike. Të tjerët argumentojnë se në afatin e gjatë, Irani (dhe Turqia) mund të rezultojnë më të dobishëm si klientë/partnerë të SHBA-ve sesa Izraeli dhe Arabia Saudite duke marrë parasysh peshën e tyre rajonale dhe rëndësinë historike.
Marrëveshja do të ketë pasoja në të paktën shtatë fronte rajonale:
Irani
Republika Islamike është në qendër të ndonjë zhvendosjeje të fuqisë në rajon që mund të ndodhë në të ardhmen. Dështimi i SHBA-ve në Afganistan dhe më rëndësishëm në Irak dhe Siri tashmë e kanë forcuar dorën e Iranit. Vetëbesimi i fituar nga Teherani do të shtohet më tej nga heqja e sanksioneve ekonomike dhe do të mbështetet nga një rol më i madh në një rajon të dobësuar.
Pyetje: Si do ta ndikojë rehabilitimi i Iranit dhe hapja me Perëndimin balancën e pushtetit brenda vendit dhe të ardhmen e udhëheqjes së mullahëve?
Siria
Pjesëmarrja e pritshme e Iranit në negociatat “Gjeneva 2” mbi të ardhmen e Sirisë është shpërblimi i parë për “sjelljen e tij të mirë”. Një mbështetës i patundur i Asaadit, me forcat e tij që luftojnë përkrah atyre të regjimit, Irani ka gjasa të sigurojë mbijetesën e Asadit dhe së bashku me Rusinë, të asistojë në rehabilitimin e tij si një lider i pranueshëm rajonal. Teherani dhe Moska janë të etur për ta përfunduar luftën dhe të shtyjnë fokusin nga largimi i Asadit drejtë luftimit të terrorizmit në Siri.
Pyetje: Ç’nënkupton një rol më i madh i Iranit në Siri për betejën e sirianëve për liri nga një diktator, dhe cili do të jetë përfundimi i luftës së tmerrshme civile atje?
Iraku
Vendi është në batak 10 vite pas invazionit ushtarak. Është tmerrësisht i polarizuar mes forcave suni dhe shii dhe qindra – madje mijëra – njerëz janë vrarë çdo muaj nga shpërthimet vetëvrasëse. Teherani ushtron influencë të madhe në vend, mbi qeverinë e Nouri Al-Malikit dhe në mesin e minoritetit shii. Kohët e fundit, autoritariani Maliki ka dalë në pah si ndërmjetësi i duhur mes Teheranit dhe Uashingtonit teksa organizon luftën kundër “grupeve ekstremiste” suni.
Pyetje: Duke marrë parasysh vrullin e ri, a do të çojë mbështetja iraniane për Malikinë në monopolizimin edhe më tej të pushtetit në duart e tij dhe të shkaktojë përçarje më të madhe në vend?
Arabia Saudite
Lufta në Irak, Siri dhe konflikti në Liban – përveç kryengritjes së shumicës dominuese shii në Bahrejn – kanë thelluar ndarjet mes Riadit dhe Teheranit. Duke gjykuar nga kriticizmi i fundit i shefit të inteligjencës saudite, Bandar bin Sultan, i cili është aleati i Uashingtonit në mbretëri, lidershipi saudit është i alarmuar nga ulja e tensionit SHBA-Iran dhe rritja e një Teherani të shfrenuar në skenën e Lindjes së Mesme. Më tej, antagonizmi saudito-iranian do të çojë në rritje të sektarizmit çka do të kishte kosto të pallogaritshme për rajonin.
Pyetje: A do të krijojë kriza të reja në rajon tensionimi i trekëndëshit teologjik Arabi Saudite – Iran – Izrael – teksa konflikti sektar duket se po afrohet me shpejtësi në rajon?
Afganistan
Teksa SHBA-të do të tërhiqen nga vendi në vitin 2014 – pas një periudhe 13-vjeçare – duke lënë pas vetëm pak forca deri në vitin 2024, Uashingtoni mund të përdorë të gjithë ndihmën që mund të marrë për të ruajtur kontrollin. Me një influencë të qartë mbi rajonet e Afganistanit Verior, Tehrani mund të japë ndihmë të madhe nëse zgjedh të stabilizojë Afganistanin duke penguar rikthimin e talebanëve.
Pyetje: A do ta ndihmojë Teherani edhe një herë SHBA-në pas ndihmës që i ka dhënë pas 2001-shit për pak kohë?
Palestine/Liban
Palestina përbën vijë të kuqe si për Uashingtonin ashtu edhe për Teheranin, kësodore, mos prisni ndonjë ndryshim sa i përket pushtimit të Palestinës ku ata kanë rënë dakord të mos merren vesh. Teherani tashmë ka humbur shumë nga influenca e tij mbi fraksionet palestineze për shkak të mbështetjes për regjimin e Asadit; influenca e tij e vetme mbetet mbi Hezbullahun.
Pyetje: Aleati libanez i Iranit do të dalë më i fortë apo më i dobët nga lufta civile siriane, dhe a do të bëhet kërcënim për Libanin apo Izraelin?
Izraeli
Sa i përket të ardhmes së parashikueshme, Izraeli do të vijojë të jetë fuqia e vetme bërthamore në rajon. Por, Izraeli shqetësohet nga një Iran i rilindur po aq sa edhe nga një Iran bërthamor, veçanërisht në një kohë që Teherani tashmë ka fituar know-how-in bërthamor. Disa sugjerojnë se kjo mund të çojë drejtë një aleance të pashkruar me të ashtuquajturit regjime të moderuara suni të tillë si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Egjipti, kundër armikut të tyre të përbashkët, Iranit.
Pyetje: Duke qenë se Izraeli është i etur për një aleancë të tillë, a do ta shohë dritën e ditës më në fund kjo aleancë dhe ç’jehonë do të ketë kjo në rajon?
Marwan Bishara – “Al-Jazeera”