Në Maqedoni mund të gjesh gjithçka por punë jo, thonë shumica e banorëve të papunë, posaçërisht të rinjtë të cilët jetojnë në këtë vend. Problemi qëndron në atë se nuk shihet perspektivë, për shkak të politizimit të skajshëm të shoqërisë.
Sipas raportit të fundit të Entit shtetëror për statistikë, shkalla e papunësisë në vend vazhdon të mbetet mbi 30%, gjegjësisht arrin 30,6 % për tremujorin e katërt të vitit 2012.
Shkalla e papunësisë thuajse është e përafërt me të punësuarit që është 9% më e lartë , ajo është 39,3 %.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2012 popullata aktive në Republikën e Maqedonisë ka qenë 948.125 persona prej të cilëve 657.849 janë të punësuar, ndërsa 290.276 të papunë” flasin të dhënat e Entit Statistikor.
Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë , mbi 70% e të rinjve në vend janë të papunë.
Maqedonia ka humbur pothuajse 30 për qind të kuadrit me arsimim të lartë, derisa më shumë se tre të katërtat e kuadrit akademik dëshirojnë të largohen nga vendi. Këto janë rezultatet e hulumtimit në kuadër të propozim-strategjisë kombëtare të Qeverisë së Maqedonisë, përmes së cilës synohet ulja e tendencës së ikjes së gjeneratave më të reja nga vendi.
Organizatat e ndryshme e të rinjve thonë se përmes këtyre nismave, të cilat kryesisht mbeten vetëm në letër, nuk mund të ndryshohet realiteti në Maqedoni. Marjan Zaberçanec nga Forumi Rinor Edukativ thotë se autoritetet shtetërore shumë vonë janë kujtuar të marrin masa konkrete për këtë çështje.
“Dy problemet kryesore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ikje e asaj që thuhet ‘truri’ i një shteti është punësimi partiak dhe kualifikimi i pamjaftueshëm gjatë studimeve në universitetet e vendit që nuk mundëson të rinjtë të marrin kualifikime praktike që do t’u hynin në funksion gjatë ushtrimit të profesionit”, thotë Zaberçanec për REL.
Derisa shumica e të rinjve shqiptarë preferojnë vendet e Evropës dhe të Amerikës së Veriut, pjesa dërmuese e maqedonasve udhëtojnë drejt Australisë dhe Zelandës së Re, flasin të dhënat e Ministrisë.
EDITOR
12 years ago
previous article
Përfundon faza e parë e Sheshit Skënderbeu, për të dytën presin leje
next article