Vite më parë ishte një fëmijë i zakonshëm, por me një dëshirë të paepur për të lexuar.
Më vonë shfaqi shumë talente. Pikturonte dhe sfilonte, duke mos lënë kurrë pas dore shkollimin dhe duke u kapur fort pas ëndrrës së saj, atë të studimeve jashtë vendit.
Tashme, plot 16 vite pas largimit nga Tirana, Lorina Naçi është një ndër shkencëtaret e rralla shqiptare. Ajo komunikon me njerëzit në koma.
Edhe pse në një moshe mjaft të re, Lorina mbart një CV mjaft të pasur.
Ajo u diplomua në vitin 2002 për psikologji dhe pikturë në Universitetin e Giorgias, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të njëjtin universitet kreu edhe masterin shkencor për Inteligjence Artificiale.
Gjatë kësaj kohe, Lorina Naçi vendosi për doktoraturën, ku nga rezultatet e shkëlqyera të studimeve u ftua në Universitetin e Cambridge dhe u specializua në neuroshkencë.
E vlerësuar për arritjet e saj në fushën akademike, në vitin 2011 udhëtoi me bashkeshortin e saj drejt Kanadasë, ku të dy morën ftesën për të punuar në universitetet kanadeze.
Në fazen post-doktorale ajo u bë pjesë e një grupi shkencëtarësh, arritja më e madhe e të cilëve ishte zbulimi se njerëzit në koma mund të komunikojnë me të afërmit e tyre.
Lajmi se një shqiptare ishte pjesë e ketij grupi pushtoi mediat prestigjioze botërore, të cilat vlerësuan me nota shumë pozitive shkencëtaren shqiptare Lorina Naçi. / Top Channel
Categories