Klubi i Futbollit Shkëndija është duke përjetuar ditë të vështira, pasi prej të premten ka mbetur pa kurfarë njeriu rreth vetes. Kryesia e përkohshme ka njoftuar se në pamundësi për të ndryshuar situatën e krijuar, detyrohen të tërhiqen nga klubi tetovar, deri sa kërkojnë që të gjithë të interesuarit të ofrohen urgjentisht në skuadër. Të pavërteta kanë rezultuar premtimet e disa afaristëve se do të mbështesin finansiarisht klubin që dy vite më parë fitoi titullin e kampionit dhe që tani bie në rrezik të frikësohet për vazhdimin e funksionimit të mëtejshëm. Problemet nisën pas sukseseve historike kur ekipi fitoi titullin e kampionit dhe debutoi në skenën evropiane.
Përplasjet e atëhershme ndërmjet presidentit Nuriman Shaqirit dhe nën-kryetarit Idris Ibishi sollën turbulenca të mëdha në klub dhe ndryshime të shpeshta të kryesisë, ndërsa më vonë vetë Shaqiri megjithse u konfirmua si president legjitim vendosi të largohet nga klubi. Detyrimisht u formua një kryesi e përkoshme që do të udhëhiqte ekipin deri në fund të sezonit dhe gjetjen e sponsorit të ri. Në këtë periudhë Shkëndija arriti të luajë në finalen e Kupës së Maqedonisë, ku u mund nga Teteksi dhe humbi rastin për të luajtur në Evropë.
Ndryshime nuk pati gjatë pauzës verore dhe e njëjta kryesi filloi fazën përgatitore duke shpresuar se premtimet për mbështetje finansiare do të realizoheshin. Mirëpo pasi gjithçka rezultoi e kotë dhe ndërkohë u larguan shumë futbollistë dhe trajneri, ata detyrohen të marrin këtë hap, duke lënë skuadrën fillikat të vetmuar, pa kurfarë njeriu zyrtar rreth vetes.
Situata është edhe më dramatike nëse merret parasysh fakti se deri të martën Shkëndija ka afatin e fundit për të paguar kotizimin për garim në Ligën e Parë. Nëse nuk respektohet ky afat, Shkëndija rrezikon largim nga elita e futbollit vendor.
Gjithsesi mbeten tre fitë për të parë se si do të rrjedhin ngjarjet rreth skuadrës tetovare, ndërsa për sot grupi i tifozëve ‘Ballistët’ kanë paralajmëruar se të organizuar do të tubohen para kompanisë ‘Ecolog’, ku do të kërkojnë që ky gjigand të marrë përsipër shpëtimin e krenarisë sportive të shqiptarëve në Maqedoni, Shkëndijës./Alsat-M/