Categories
Lajme

Shkodra një “moçalishte e madhe”!

Sipërfaqja e përmbytjeve në Shkodër po zgjerohet vazhdimisht, teksa reshjet e shiut vazhdojnë.
Janë bërë rreth 1 muaj që kurse përmbytjet kanë nisur, teksa situata nuk po normalizohet. Nga ana tjetër, klasa politike në vend, duket se nuk e ka fare në vëmendje këtë çështje, pasi po zhvillon fushatë në zona të tjera. Në terren, sipas të dhënave më të fundit, janë mbi 96 mijë hektarë tokë e përmbytur, ku komuna më problematike është ajo e Anës së Malit.
Pas saj vjen komuna e Dajçit, Bregu i Bunës dhe Velipoja. Të prekura nga përmbytjet janë edhe komunat Bërdicë dhe Bushat, teksa e rrezikuar është edhe komuna e Gurit të Zi. Sipas specialistëve pranë Komisionit të Emergjencave Civile në prefekturën e Shkodrës, që vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën, në përkeqësimin e gjendjes kanë ndikuar shkarkimet nga portat e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, duke nisur nga ai i Fierzes e me pas ai i Komanit dhe Vaut të Dejës.
Nga ana tjetër, rol të rëndësishëm në zgjerimin e përmbytjeve po luan edhe Liqeni i Shkodrës, i cili është tejet i fryrë. Vërshimi i lumit Drin, krijon vështirësi në shkarkimin normal të lumit Buna, çka ndikon që ujërat të kthehen mbrapsht dhe liqeni të dalë përtej kapaciteteve të tij të zakonshme. Informacionet më të fundit bëjnë të ditur se një përkeqësim akoma më të madh në drejtim të qarkullimit rrugor është shfaqur sot edhe në akset rrugore të Nënshkodrës, krahas atij Shkodër-Obot që vazhdon jetë tërësisht i bllokuar për gati një muaj.
Në një gjendje të tillë janë edhe akset rrugore Shkodër-Dajç dhe Shkodër-Velipojë, ndërkohë qe janë shtuar vështirësitë e qarkullimit edhe në akset rrugore të fshatrave Darragjat dhe Trush, të komunave Dajç dhe Berdicë. Në këto kushte, banorët e këtyre zonave, të gjendur në vështirësi serioze, janë në pritje të ndërhyrjes së strukturave të specializuara për normalizimin e situatës. Shqetësimet e tyre të vazhdueshme kanë qenë për bazën ushqimore të bagëtive të izoluara, që me mungesën e ushqimit rrezikojnë mbijetesën e tyre, ndërkohë që ditët e fundit, si rezultat i një izolimi gati njëmujor, ndjejnë shqetësimin edhe të ushqimit për familjet e tyre, sidomos të ujit të pijshëm, i cili për shumë familje është i pamundur të sigurohet nga rrjeti i ujësjellësit komunal. /Start/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version