Në qytetin më të vjetër belg, në Tongeren, u hap shkolla e dytë për mësimin e gjuhës shqipe, pas mëse një viti përpjekjesh nga përfaqësuesit e shoqatës “Iliria” në bashkëpunim me organizatën federale dhe komunën e qytetit të vetëm romak për provincën lindore të Limburgut.
Myrvete Fekaj, mësuese e gjuhës shqipe, thotë: “Është për herë të parë kjo dhe ndihem mjaft e emocionuar si kurrë ndonjëherë më parë. Ne kemi filluar çdo gjë nga zero mbi baza vullnetare. Ka jashtëzakonisht një interesim të madh të prindërve për të sjellë fëmijët që të mësojnë gjuhën shqipe dhe shpresoj se do të na ecë mbarë.”
25 nxënësit e regjistruar tashmë do të mësojnë bukurshkrim falë abetareve të dhuruara nga ambasada e Kosovës, ndërsa Tirana vjen në ndihmë me 3 nivelet e botimeve të reja specifike për fëmijët e emigrantëve: “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”.
Olivia Vande Reyd, një belge e martuar me shqiptar, tregon: “Jam martuar me burrë shqiptar dhe për mua është e rëndësishme që dy vajzat e mia të mësojnë shqipen. Dinë shumë pak shqip.”
TCH: Po ju vetë, ku e keni mësuar?
Olivia: Unë e kam mësuar vetë, me Dixhitalb dhe duke folur me familjen e burrit tim.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm nënkryetarët e Komunës së Tongeren për arsimin, çështjet ekonomike dhe shoqërore, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Belgjikë, deputeti shqiptar i Brukselit, përfaqësues të shoqatave shqiptare nga qytetet e tjera, por dhe drejtuesit e shkollës së parë shqipe të Brukselit shprehën gadishmëri për të ndarë përvojën e tyre 10-vjeçare.
Mësimi plotësues i gjuhës dhe kulturës shqiptare është vetëm 4 orë në javë. Mësuesja e vetme e kësaj shkolle jeton në një qytet tjetër, por ajo do të paraqitet çdo të shtunë në Tongeren për të dhënë mësim vullnetarisht, si të gjithë mësuesit e tjerë të gjuhës shqipe në Belgjikë.
Përgatiti: Arta Tozaj
/ Top Channel
Categories