Në panik nga reagimi i shitësve të mjeteve piroteknike një pjesëtar i Alfave ka hapur zjarr në ajër me armë automatike në mes të Bit Pazarit, akt ky i cili i ka revoltuar edhe më shumë shitësit të cilët bllokuan forcat policore për më shumë se 40 minuta. Gjithçka filloi kur pjesëtarët e njësitit policor “Alfa” ndërmorën një aksion për konfiskimin e mjeteve piroteknike dhe arrestimin e shitësve të tyre në Bit Pazar. Ata arrestuan një të ri dhe konfiskuan një sasi të konsiderueshme fishekzjarrësh.
Për të zmbrapsur revoltën e shitësve, njësiti policor “Alfa” shkrepi plumba në ajër. Shkrepja shtoi edhe makina të tjera të policisë, por në të njëjtën kohë, shitësit u grumbulluan, dhe u mbështetën edhe nga kalimtarë të rastit. Gjatë përplasjes dhe bllokimit të policisë, nuk munguan edhe kacafytjet e herëpashershme.
Pas më shumë se gjysmë ore kacafytjesh dhe bllokim rrugësh, policia dhe pjesëtarët e njësitit “Alfa” u detyruan të zmbrapseshin. Ata liruan të riun, kthyen mallin e konfiskuar, dhe u detyruan të ktheheshin. Policia për momentin ka konfirmuar për Alsat M, vetëm ndërmarrjen e aksionit për konfiskimin e mjeteve piroteknike por nuk dha asnjë detaj për atë që ndodhi në Bit Pazar. Ndërkaq, pjesëtari i njësitit “Alfa” që hapi zjarr me armë automatike, u largua me xhipin e policisë. Mbetet për të parë çfarë masash do të ndërmerren ndaj tij, duke pasur parasysh shkrepjen e armës në vend publik. /Alsat-M/