Nëse fletushkat janë pa emër, me autorë tinëzar e që transmetojnë mesazhe radikale, hoxhallarët që predikojnë në internet dhe që janë lehtësisht të identifikueshëm – nuk i vë askush nën kontroll. “Mos bëj si bëj unë, bëj si them unë” është thënia që më së shumti identifikon një pjesë të “hoxhallarëve”, ligjëratat e të cilëve shkojnë aq larg duke tentuar të krijojnë forma të reja organizimit dhe tjetërsimit, jo vetëm të jetës fetare, por edhe asaj shoqërore
Vedat MEMEDALIU
Nga xhamitë në rrugë, nga foltoret në internet… predikimet fetare në formën e propagandës devijante janë kthyer në një fenomen në Shkup. Fletushka fantome që ngjiten dhe shpërndahen nëpër rrugë, apo edhe fjalimet dhe “teoritë” absurde të njerëzve që mbajnë petkun fetar dhe i japin vetes të drejtën për të lejuar apo ndaluar martesa mes kushërinjsh, për haramin që bën nëse punon në ushtri, polici, e të tjera. Një nga fletushkat më të fundit që po shpërndahet këto ditë është një “Lajmërim i Agjencisë së Udhëtimeve Obligative”. Në të, ndër të tjera, bëhet oferta nga vendi i fluturimi – “dynjaja” drejt destinacionit “ahireti”, ku personi kontaktues është “Azraili”, ndërsa bagazhi që lejohet të mbahet është vetëm “2 metra qefin”.
Fol dhe shkruaj si të duash
Lajmërimi bën me dije se “nuk lejohen tesha të tjera, s’ka biletë kthyese dhe për informacione më të hollësishme, mund të drejtoheni në Kur’an”. Në fletushkë duhet të mbushet edhe një formular duke iu përgjigjur pyetjeve të tilla si: “Ku e harxhove jetën? Ku e kalove rininë? Ku e fitove pasurinë?”, e të tjera. Askush nuk është në dijeni të ideatorëve dhe shpërndarësve të këtyre materialeve, ashtu si atyre të tjerave muajin e kaluar, ku besimtarëve myslimanë i propagandohej që të mos festonin Vitin e Ri, që fletushka e konsideronte haram e që kishte të ilustruar një person me mjekër dhe me muskuj që rrihte Babadimrin – fletushkë kjo që u konsiderua si e dhunshme nga pjesa më e madhe e besimtarëve në vend. Por nëse fletushkat janë pa emër, me autorë tinëzar e që transmetojnë mesazhe radikale, hoxhallarët që predikojnë në internet dhe që janë lehtësisht të identifikueshëm – nuk i vë askush nën kontroll. Absurdi shkon larg duke tentuar që të krijojnë forma të reja organizimit dhe tjetërsimit, jo vetëm të jetës fetare, por edhe asaj shoqërore. Kohë më parë, një hoxhë nga Shkupi, në një video të shpërndarë në internet, predikonte kufijtë e të vënit kurorë. Sipas tij, martesa me vajzën e xhaxhait, hallës, dajës… nuk është e ndaluar, ndërsa me vajzën tënde dhe të tezes është haram. Haram, po ashtu për të njëjtin hoxhë, është edhe punësimi në forcat e ruajtjes së rendit, në ushtri e të tjera. Këto predikime mbahen nëpër xhami, apo ambiente të tjera të improvizuara ku hoxhallarët i përgjigjen pyetjeve të besimtarëve.
Në Bashkësinë Islame të Maqedonisë pohojnë se s’mbajnë përgjegjësi për asgjë që nuk është institucionale, megjithatë dënojnë aktin e shpërndarjes dhe përmbajtjen e tyre, predikimet që janë jashtë normave të islamit tradicional. “Jeta fetare zhvillohet vetëm përmes BIM-it dhe fenomene të tilla, me siguri ndodhin nga individë që nuk kanë sa duhet njohuri mbi islamin, janë jashtë vijës institucionale. Ne si institucion predikojmë vlerta e vërteta, tradicionale dhe njerëzit duhet të jetojnë sipas tyre dhe t’i respektojnë ato”, thonë në BIM. “Mos bëj si bëj unë, bëj si them unë” është thënia që më së shumti identifikon një pjesë të “hoxhallarëve”, ligjëratat e të cilëve kryesisht transmetohen nëpër rrjetet sociale dhe në Youtube. Predikimet shkojnë deri aty që në rast, arsyetohet edhe vjedhja e jobesimtarëve dhe atyre muslimanëve që nuk paguajnë zekatin. Është e njohur tashmë ndër shqiptarët se edhe disa nga vjedhjet e artarive, bastoreve… u kryen pikërisht nga “xhemati” i këtyre “hoxhallarëve”. Në xhami ndodhën edhe përleshje fizike, ku protagonistë ishin pikërisht hoxhallarët, që më pas, të njëjtit t’i shohim në hapjen e zyrës së komunitetit LGBT në Çarshi të Shkupit! Se interesi dikton predikimet fetare, tregon fakti se, pikërisht nga ata që duhanpirja dikur u konsiderua si haram, tani të njëjtit punojnë me kompani të ndryshme të cigareve, por që nga “haram”, duhani vlerësohet si “haram i butë”.
Të mos na imponohet tradita arabe
Islami është fe e lehtë, sepse kështu është shprehur vetë profeti Muhamed dhe nuk bën fetarisht që të rëndohet feja. Ata që e bëjnë këtë, janë të pa ditur, apo i kanë kuptuar gabimisht gjërat. Kështu thotë teologu Bashkim Aliu, anëtari i vetëm shqiptarë në Unionin e Dijetarëve Musliman duke komentuar fletushkat e shumta pa autorë që këto ditë po “mbijnë” nëpër Shkup, e që propagandojnë “jetën pas vdekjes”.
“Islami është fe e lehtë, sepse kështu është shprehur vetë profeti Muhamed dhe nuk bën fetarisht, që të rëndohet feja. Ata që e bëjnë këtë, janë të pa ditur, apo i kanë kuptuar gabimisht gjërat. Për këtë arsye, për Islam duhet të flasin ata që e njohin dhe që kanë mësuar për Islam, e jo ata që thjesht kanë dëgjuar dy tre ligjërata në internet, apo kanë kaluar me sy dy tre fletushka të cilat nuk i kanë kuptuar, dhe pastaj pretendojnë se janë hoxhallarë dhe i përmirësojnë edhe hoxhallarët tjerë, bile edhe shumë dijetarëve të mëdhenj u thonë se kanë gabuar. Kjo është për të ardhur keq, por është tregues i mosdijes dhe naivitetit të njerëzve të tillë”, thotë hoxhë Aliu, sipas të cilit, arsimi dhe nxënia e dijes janë prioritet i çdo myslimani.
“Islami është fe e dijes dhe fjalët e para të Kur’anit i referohen dijes. Islami ndërtohet në dije, dhe këtë dije e kemi marrë nga Kur’ani. Kush pretendon diçka tjetër, është larguar nga koncepti i drejtë islam. Ne duhet të shkollohemi, të ngrihemi që të jemi të parët… Islami është madhështor, sepse i pranon popujt dhe bashkësitë e ndryshme me traditat e veta të cilat i kanë, nëse nuk bien ndesh me ndonjë normë të caktuar të Islamit. Pra, Islami e pranon shqiptarin me plisin e bardhë, afrikanin me teshat e veta, aziatikun me ‘fustan’ dhe çdo popull me traditat e veta. Islami nuk na imponon tradita të arabëve”, thotë Aliu.
Nga ana tjetër, teologu pohon se tendencat për të izoluar myslimanët nga jeta publike janë absurde, madje pjesëmarrja në institucione duhet të jetë një obligim. “Është për të ardhur keq që ka zëra të këtillë që tentojnë të bëjnë izolimin e myslimanëve nga pjesëmarrja në jetën publike dhe në institucione të rëndësishme. Unë them se myslimanët duhet të bëjnë çmos që të kyçen në institucione të rëndësishme si policia, ushtria, doganat etj. Nëse shkojnë me qëllim të sinqertë t’i ndihmojnë popullit dhe ta luftojnë të keqen që e rrezikon popullin tonë dhe rininë në veçanti, puna e tyre është ibadet-adhurim dhe shpërblehet nga Allahu i Madhërishëm, ngase bën pjesë në thënien e profetit: ‘Kush e sheh një të keqe, le ta ndryshoje me dorë, nëse nuk mundet me këtë, atëherë me fjalë, e nëse nuk mundet edhe me këtë, atëherë me zemër’. Jo haram, por është obligim fetar dhe kombëtar që ne të inkuadrohemi në këto institucione”, thotë hoxhë Aliu.
Ai ka kundërshtuar edhe ligjëratën që ditë më parë, një hoxhë i Shkupit tha se “martesa me vajzën e axhës është e lejuar”! “Për punën e martesës, më e preferuar është të martohemi sa më larg, pa marrë parasysh se një ndalesë decide nuk ka në Kur’an. Në këtë kohë kur ka zgjedhje, as që duhet të diskutohet kjo çështje”./koha/
admin
11 years ago
previous article
Të hiqet "Sveti Ilija" dhe të ndërtohet xhamija
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
10 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
10 hours ago