Bajern i Mynihut-Barcelona dhe Dortmund-Real i Madridit. Këto janë çiftet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të dala nga shorti i hedhur në Nion të Zvicrës.
Përballjet e para luhen më 23 e 24 prill, ndërsa ato të kthimit janë më 30 prill e 1 maj.
U shmangën kështu dy derbit, ai “El Klasiko” i Spanjës dhe ai i Gjermanisë, ndërsa mund të jetë njëri prej tyre në finale.
Shorti u tërhoq nga ish-sulmuesi holandez i Junajtid dhe Realit, Rud Van Nistelroi.
Skuadrat spanjolle janë favorite për të kaluar në finale, të paktën sipas kompanive të basteve, por Bajern e Dortmund i kanë të gjitha mundësitë për të triumfuar.
Bajern dhe Barcelona janë ndeshur 6 herë mes tyre, me një kualifikim në Champions nga katalanasit dhe një në Kupën UEFA nga bavarezët.
Dortmundi dhe Reali u ndeshën këtë edicion në fazën e grupeve dhe gjermanët ishin më lart me fitoren 2-1 dhe barazimin 2-2 në Madrid. 15 vjet më parë, Reali e eleminoi Dortmundin pikërisht në gjysmëfinale të Championsit.
Ndërkaq, gjysmëfinalet e Ligës së Europës do të luhen mes Benfikës e Fenerbahçes dhe Bazelit e Çelsit. Benfika dhe Çelsi janë favoritë e takimet zhvillohen më 25 prill e 2 maj.