Në kuadër të manifestimit tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”, Forumi Rinor Islam dekoroi nxënësit më të dalluar nga shkollat e mesme të Kumanovës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Prilepit dhe Shkupit. Përzgjedhja e tyre u bë nga vetë drejtoritë e shkollave, si vlerësim për rezultatet e larta, disiplinën dhe përkushtimin e tyre në mësime.

Moderatoret Medin Bajrami dhe Zehra Aliu prezantuan me radhë emrat e nxënësve, ndërsa dekoratat u ndanë nga mysafirë të ftuar të manifestimit. Çdo nxënës u nderua me mirënjohje dhe me nga një set librash nga botimet “Furkan ISM” dhe “Logos-A”.

Ky moment i rëndësishëm i mbrëmjes reflektoi përkushtimin e gjeneratës së re ndaj dijes dhe vlerave, duke dëshmuar se puna e sinqertë dhe ambicia e pastër shpërblehen gjithmonë.

Forumi Rinor Islam i përgëzon të gjithë nxënësit e dekoruar dhe u uron suksese të vazhdueshme në rrugëtimin e tyre arsimor dhe shoqëror.

Shkup, 26 nëntor 2025