Në kuadër të manifestimit ceremonial “Në gjurmët e më të mirëve 2025”, Forumi Rinor Islam nderoi studentët më të dalluar nga pesë universitete të vendit: Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti “Nënë Tereza”, Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik dhe Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”.
Në një atmosferë solemne dhe të mbushur me vlerësim, u shpallën me radhë studentët më të suksesshëm, të përzgjedhur nga dekanatet përkatëse për rezultatet e tyre të larta akademike. Çdo student u nderua me dekoratë mirënjohjeje dhe dhurata nga botimet “Furkan ISM” dhe “Logos-A”, si shenjë respekti për punën, përkushtimin dhe arritjet e tyre.
Kulmi i kësaj pjese të manifestimit ishte shpallja e tre studenteve me notë mesatare 10.00, të cilat u nderuan edhe me dhuratë të posaçme nga Argjendaria DAIMOND:
- Adrela Zenku, Universiteti “Nënë Tereza”, Studime Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare
- Elma Osmani, Universiteti i Tetovës, Fakulteti Juridik, Dega Drejtësi
- Agnesa Rexhepi, Universiteti i Tetovës, Fakulteti Filologjik, Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Ky moment madhështor i mbrëmjes theksoi qartë vlerën që Forumi Rinor Islam i kushton dijes, disiplinës dhe ambicies rinore. Studentët e nderuar u shndërruan në shembull frymëzimi për gjeneratat e reja, duke dëshmuar se suksesi ndërtohet me punë të vazhdueshme, motivim dhe vullnet të pastër për arritje.
Forumi Rinor Islam i përgëzon të gjithë studentët për rezultatet e tyre të jashtëzakonshme dhe u uron suksese të shumta në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.
Shkup, 26 nëntor 2025
