Categories
Opinione

Shpërqëndrimi i vëmendjes së opinionit

Meselja me Carin e Sulltanin
Në Drenicë, tregohet një mesele se kur janë takuar Cari e Sulltani e kane diskutuar se çfarë kryen më shumë punë në politikë “e lemja” (talenti)  apo “e blemja” (shkolla, trajnimi)?. Cari na paskësh thënë se është “e blemja” kurse Sulltani na paskësh thënë se ështe “e lemja”.
Cari për të argumentuar pohimin e vet na paskësh urdhëruar majmunin e trajnuar që t’ju sherbejë me kafe. Sulltani duke ditur dobësinë e majmunit paskësh nxjerrë nga kutia një miush dhe majmuni paska hedhur për toke tabakanë me kafetë e Carit dhe Sulltanit dhe na qenka sulur pas miushit.
Ahmet Zogu dhe kushëriri i tij Hashim Thaçi
Kështu edhe mund të shpjegohet suksesi i Kryeministrit Thaçi për t’i vënë në kurthë rivalët e vet politikë.  Madje, mund të thuhet se atij më shumë i rregullojnë punë rivalët e vet se sa bashkëpartiakët e tij.
Për këtë dhunti ishte shquar një kushëri i largët i Hashim Thaçit, Ahmet Zogu, i cili duke përdorur po këto shkathtësi arriti të bëhet mbret i Shqipërisë.
Jo rrallë, Zogu, kur ndodhej në situata të vështira politike, ishin rivalët e tij ata që e nxjerrnin nga kriza.
Hashim Thaçi u ndodh  në një situatë të vështirë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Daçiqin.  Ky i fundit çdo ditë e më shumë po i ngrenë pazarin duke i bërë me dije opinionit se nënshkrimi i marrëvshjes ishte vetëm një tallje me Thaçin.
Sikur mos të mjaftonte kjo, pikërisht në këtë kohë, Thaçin e gjet edhe telashja brenda partisë së tij: pralajmërimi i braktisjes nga ana e 2-shit  (Jakup Krasniqi) e 3-shit (Fatmir Limaj) të deridjeshëm në partinë e tij.
Vetëvendosja dhe intelektualët rreth Veton Surroit në karremin e Hashim Thaçit
Kur pritej që rivalët më të thekët të Hashim Thaçit: Vetëvendosja, dhe intelektualët rreth Veton Surroit, t’i hidheshin në qafë, Thaçi përmes Vlora Çitakut u “hodhi miushin” dhe këta e harruan Hashim Thaçin dhe u morën me hoxhën e Prizrenit, Irfan Salihu.
Kësisoj, Vlora Çitaku  prodhoi temë përmes së cilës i futi në sherr shumicën e deputeteve femra nga radhët e opozitës.
Derisa po zhvillohet ky debat, Hashim Thaçi ka komoditetin t’i paraqes të dy palët si ekstremistë me të cilët “është në hall qeverisja e tij demokratike”. Njërën palë si fundamentalistë fetarë  dhe palën tjetër si fundamentalistë politikë. Derisa këta shkëmbejnë sharje, fyerje e kërcënime mes veti Thaçi, takohet me zv/presidentin amerikan Biden dhe me shefin e CIA-s.
Hoxha i Prizrenit, Irfan Salihu
Fjalimi i hoxhës Irfan Salihu  në fakt ishte një predikim që zakonisht e bëjnë edhe hoxhallarët tjerë edhe priftërinjtë edhe rabinët.
Në fakt, në çështjën për të cilën predikonte  hoxha i Prizrenit, Islami është më liberal se kristianizmi e judaizmi. Te katolikët, ta zëmë, jo vetëm që nuk lejohet jeta seksuale para martese,  por nuk lejohet as edhe shkurorizimi. Në Islam nuk lejohet kurvëria, por lejohet shkurorizimi. Lejohet edhe dalja nga kurvëria, kthimi në rrugën e Zotit. Vetë profeti Muhamed ishte i martuar me grua të vejë.
E vertetë se hoxha i Prizrenit duke tentuar t’i tregonte gjërat sa më thjeshtë kishte sharruar në shkarje. Thoshte, se femrat e shthurura duhet të hudhen si meçkat. Hoxha harronte se Islami është fe që nuk lejon keqtrajtimin e kafshëve.  Kjo ishte një shkarje e hoxhës, por këso shkarje bëjmë shpesh të gjithë ne. Edhe hoxha është njeri dhe gabon. Në fund secili paguan çmimin për gabimet e veta. Vetëm gabimet e politikanëve i paguajnë edhe ata që kanë votuar për ta.
Rabinët dhe priftërinjtë
Kur isha një Izrael, takova një rabin, të cilin ma prezantuan si njeri të moderuar. Pretendimi i tij ishte se femrat arabe janë më të shthuruara se femrat hebreje, dhe këtë e argumentonte me frekuencen e predikimeve lidhur me këtë çështje. Po më thoshte se imami në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem u flet shumë rrallë xhematit për atë se është mëkat jeta seksuale para martesës krahasuar me predikimet e tij në sinagogën e tij.
I pata pyetur disa nxënës serbë se çfarë u mësojnë priftërinjtë ortodoksë serbë që paguhen nga Qeveria e Republikës së Kosovës  kur ua mësojnë edukaten fetare në shkollat serbe në Kosovë.  E dini se cila ishte përgjigjia? Na thonë që të mos hamë shumë, që ta ndërprejmë ushqimin para se të ngopemi dhe se vajzat e krishtera janë më të ndershme se ato muslimane.
Si duket, Vlora Çitaku as edhe deputetet tjera nuk çajnë kokën pse fyhen femrat muslimane nga prifterinjtë që marrin rrogë nga buxheti i Kosovës.
Sidoqoftë,  fjalimi i hoxhës së Prizrenit nuk meritonte më shumë se ndonjë reagim të shoqatave për mbrojtjen e kafsheve apo edhe ndonjë qortim prej ndonjë kolegu të tij që do t’i përkujtonte se feja islame ndalon keqtrajtimin e kafsheve, përshirë këtu edhe meçkat.
Alma Lama
Në gjithë këtë mesele ajo që u godit në mënyrën më të vrazhdë qe deputetja Alma Lama. Reagimi i saj u përcoll me fyerje jo vetëm për të, por edhe për vendin e saj të origjinës, gjëra këto që nuk duhet t’i lejojmë si shoqëri.
Dikush mund të pajtohet me të, e dikush mund të mos pajtohet me të, por ajo nuk guxon të fyhet. Ajo përfaqëson mijëra qytetarë, sepse nuk është zgjedhur me vota të vjedhura si shumë deputetë tjerë. Shumë nga këto vota ajo mund të mos t’i ketë më në zgjedhjet e ardhshme pikërisht për shkak se ra në grackëm e Vlora Çitakut, apo edhe për shkak se tregoi një antipati për predikuesit e fesë, por edhe mund të marrë vota nga ata që nuk e kanë votuar herën e parë pikërisht për këtë paraqitje të saj. Kjo mbetet të shihet.
Secili politikan e paguan çmimin për atë që bënë. Duhet të pranojmë se edhe të pafetë janë pjesë e shoqërisë sonë, edhe pse Neni 9 i Kushtetutës së Repblikës së Kosovës thotë se : “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”
“E lemja” apo e “blemja”
Përfundimi i kësaj meseleje është se derisa intelektualët rreth Veton Surroit kanë kryer shkolla dhe shesin imazhin e Perëndimit, derisa shumë hoxhollarë kanë bërë shkolla me famë në Lindje, krejt këto dalin të “bleme” përballë të “lemes” (talentit të lindur) të Hashim Thaçit, i cili ua hedhë miushin sa herë rrezikohen interesat e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version