Categories
Lajme FRI

“Shpërthejnë” ultrasit e Interit

Ultrasit zikaltër shpërthejnë sepse ky Inter po zhytet përherë e më shumë në një batak nga i cili nuk arrin të dalë. Humbja me Lazion i la jashtë objektivit të fundit sezonal, atë të kualifikimit në Europa League. Një sinjal alarmi ky nëse kthehemi pas në kohë dhe shikojmë se Interi nuk mungonte në evenimentet evropiane që prej vitit 1999. Kjo ishte disfata e 15 sezonale për ekipin nga Milano, një rekord më vete ky për zikaltërit pasi vetëm në sezonin 1947-1948 ka bërë më keq me 19 disfata sezonale. Situata po bëhet e papërballueshme për tifozët, të cilët po rrisin tonin ndaj presidencës dhe këtë e bënë në mënyrë mjaft origjinale edhe në përballjen e San Siros kundër bardhekaltërve. Ata kërkojnë përgjigje nëpërmjet 12 pyetjeve të cilat nuk kishin si të mos i vrisnin sytë presidentit.
Sipas mbështetësve zikaltër, përse duhej që shoqëria të largonte mjekët e tripletës së famshme dhe përse shoqëria nuk bazohet në projektin për rivitalizimin e grupit për të afruar elementë të rinj në moshë? Tifozët kërkojnë përgjigje edhe për largimin e disa nga emrave më me peshë, ndërsa pyetjet e tyre përfshijnë edhe mosreagimin e shoqërisë ndaj sulmeve mediatike, largimin e Orialit dhe deri tek fanela e dytë e skuadrës që mban ngjyrën e kuqe. “Thuhej se ëndrra juaj ishte Champions League dhe tani thuhet se keni ëndërr një stadium të ri…nuk kemi asgjë kundër këtyre, por duam të pyesim: Ku është Interi në këtë mes?. Padyshim që kjo e fundit është një pyetje, përgjigja për të cilën kërkon kohë, por ajo që mbyll tablonë e kësaj situate është pjesa ku tifozët pyesin se përse të gjithë kur largohen flasin mirë për Morattin por keq për Interin? Presidenti duhet të mbajë shënime, sepse të tjera pyetje mund të shtohen në listën e gjatë, nëse ekipi zikaltër nuk reagon për t’u ringjitur mes më të mirëve të futbollit italian, pasi edhe vetë Serie A nuk do të ishte e njëjtë pa Interin më të mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version