Shpirt i bukur!
Sa duar të tjera për ty do të prehen,
Që edhe kur u bie gjak, prerjet nuk vërehen?
Sa zemra te ti panë idealen e bukurisë së vet?
Sa sy aty nuk u besuan vetes dhe thanë se s’je i vërtetë?!
Sa njerëz duhet mbledhur për të t’u përngjasuar një qerpik,
Kur bukuria jote e ndërron me presje çdo vend ku ka pikë!
Ti ishe një e treta e bukurisë, nga meshkuj e femra tog,
Se ty t’u dha trupi më i mirë që do të jetojë në tokë.
T’u dha një shpirt i ëmbël, i këndshëm e i dashur,
Kush të shihte një çast, në sy më të ka pasur.
Kush të afrohej më afër, nuk ndiente më tjetër erë,
Edhe takimi i njëmijtë u dukej si e para herë.
Kush të shihte të qeshur nuk kishte më të qarë,
Se shpirti u dehej nga ti, si me vendin e vet çdo mërgimtar!
Yt atë ty kur të humbi u barazua sinonimisht me jetimin!
A thua sa e mori malli për ty, që t’ia humbte shikimin,
E pastaj këmisha jote ta gëzonte e t’ia heqte verbërimin!
Ai u tha e u thinj, siç thahen e thinjen gjethet kur kalojnë verën,
Siç na ndodh edhe neve, kur të dashurve ua mësojmë vlerën.
O shpirt i bukur!
Sa forcë duhet të ketë që të të mbajë ai pus qyqar,
Dhe sa që të hodhën e të lanë xhelozët grabitqarë?
Gjerësia e gjoksit tënd ka vend edhe për ngushticat e tyre,
Gjersa është e kotë të verbërve t’u bësh dallime ngjyre.
Të verbrit dhe xhelozët nuk kanë të përbashkët asnjë gjë,
Që po s’qe ashtu, çdo viktimë prej tyre duart në zjarr i vë.
Të verbrit nuk kanë zemër në sy, po bile sy në zemër.
Xhelozët mund të kenë sy, po zemrën e kanë në thembër.
Ngaqë shkilen nga vetja, duan edhe të tjerët t’i shkelin,
Duke urrejtur hapat e të tjerëve, vetë në vend ngelin.
Pra, të urryen, të shqyen, të përlyen, të fyen dhe në fund të burgosën,
Atyre as ankthet ditën, as ëndrrat e rënda natën nuk iu sosën.
Shihnin, po çfarë nuk e dinin, e nisën e u brengosën.
Meqë nuk gjetën zgjidhje, në fund krenarinë e varrosën.
Në burg të erdhën…
Ishte i domosdoshëm për ta, si e ëma për çerdhën.
Të kërkuan shpjegim për një ëndërr-paralajmërim.
Zoti ua çoi atyre, se ty do të ta merrnin për gënjim.
Ti ua tregove atyre gjithë atë që pate në dije,
Si Dielli në shkretëtirë që nuk lejon kurrfarë hije.
Shpjegimi yt u bë realitet pas 7 + 7 viteve vistër,
Kur më patjetër e kishin të të bëjnë ministër.
T’u kurrizën ashtu si në ëndërr planetet, hëna e dielli.
Festoi për ty e gjithë toka, e u gëzua qielli.
Duke lexuar Kaptinën “tënde” lind një tufë(,) me fjalë
nuk mundi të të përshkruajë as poeti (tha): uf, sa i rrallë!
Nga leximi për ty çdo zemër e mirë do të gufë,
Sa shpirt të bukur kishe, o i dashuri Jusuf!
Arsim Jonuzi
më 8 korrik 2014
EDITOR
10 years ago
previous article
Agjërimi për dikë që nuk falet
next article