Dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mblidhen më 11 janar në një takim të përbashkët në qytetin e Prizrenit. Data u konfirmua fillimisht nga nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ku ai thekson se në këtë mbledhje do të merren vendime të rëndësishme.
“Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 Janar 2014 në Prizren! Në mbledhjen e parë do të marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri!”,- shkruan Thaçi.
Edhe kryeministri Edi Rama bëri të ditur përmes rrjetit social “Facebook” se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për akordimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës, për ngritjen e një materniteti në këtë zonë. Sipas Ramës, mbledhja e Prizrenit çel një faqe të re.
“Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 janar në Prizren. Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë. Kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri.”- shkruan Rama.
Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej që në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit. Por shtyrja e mbledhjes erdhi pas zgjedhjeve vendore në Kosovë. Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide që në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij.
E njëjta gjë pritet të ndodhë më vonë edhe me qeverinë turke, shtet i cili tashmë ka marrë pozitën e partnerit strategjik për Shqipërinë.
Me fondin që pritet të akordohet për Luginën e Preshevës në këtë mbledhje të parë të dy qeverive shqiptare pritet të ndërtohet edhe një shkollë. Ky është një nga premtimet e fushatës së zgjedhjeve të 2013 nga ana e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Fondi, që është i pari për Luginën e Preshevës, është mirëpritur me reagime entuziaste nga drejtuesit lokalë të Preshevës. Ai është konsideruar prej tyre i vonuar, por i mirëseardhur, duke kërkuar që të jetë i rregullt.
(er.nu/BalkanWeb)
Categories