Categories
Lajme

Shqipëri-Kuvajt, qeveria nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një sërë takimesh të rëndësishme me krerët më të lartë të institucioneve të shtetit të Kuvajtit, ku ai ndodhet për një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit u nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe të rëndësishme, në fushën e industrisë, mjedisit dhe shëndetësisë dhe lëvizjes së lirë.
Kryeministri u prit në një ceremoni zyrtare nga Kryeministri i Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah. Gjatë bisedimeve dypalëshe mes delegacionit shqiptar dhe atij kuvajtian, u vendos theksi mbi nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, sidomos në fushën e turizmit dhe sektorin e ujit.
Kryeministri Rama e njohu homologun e tij kuvajtian me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe potencialin që vendi ynë ofron për sipërmarrjet e huaja të interesuara për të investuar në Shqipëri.
Në përfundim të takimit, ministri i Jashtëm Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë Ahmetaj, nënshkruan katër marrëveshje mirëkuptimi me homologët e tyre në fushën e bashkëpunimit dhe zhvillimit të eksporteve industriale, mbrojtjen e mjedisit, ruajtjes së burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, bashkëpunimit në shëndetësi, si edhe marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.
Kreu i qeverisë u prit më pas nga Princi i Kurorës, Lartësia e tij Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kuvajtit.
 

Exit mobile version