Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë po njohin një rritje të fortë dhe konstante gjatë viteve të fundit. Turqia është një prej investitorëve më të mëdhenj në Shqipëri. Investimet direkte të Turqisë në Shqipëri janë në fushën e telekomunikacionit, në sistemin bankar, ndërtim dhe në fushën e minierave. Ndër kompanitë turke më të rëndësishme mund të përmendim Bankën Kombëtare Tregtare, “Eagle” dhe “Albtelecom”, “Kurum”, kolegje turke dhe universitete në fushën e edukimit, etj.
Tregu shqiptar është shndërruar në një treg të rëndësishëm për investitorët turq, veçanërisht në miniera e energji. Ka kompani që investojnë në hidro-energji dhe disa të tjera janë duke planifikuar të investojnë në fushën e minierave. Pra, duket se Shqipëria është një treg premtues për kompanitë turke.
Shkëmbimet tregtare me Turqinë, të favorizuara nga klima e mirë politike që ekziston midis dy vendeve, në vitet e fundit kanë njohur stabilitet dhe tendencë gjithmonë në rritje.
-Tregtia midis dy vendeve.
Në vitin 2012, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, vëllimi tregtar mes Shqipërisë e Turqisë llogaritet 43,840 milionë lekë. Sipas INSTAT-it, eksportet shënuan vlerën e 13.4646 milionë lekëve, ndërsa importet ishin dyfish, duke kapur vlerën e 30.376 milionë lekëve.
Duke krahasuar shifrat nga viti 1993 deri në vitin 2012 niveli i eksporteve thuajse është 30 fishuar, ndërsa edhe niveli i eksporteve është rritur ndjeshëm. Në vitin 1993 importet llogariteshin 1,760 milionë lekë, ndërsa eksportet 170 milionë lekë.
Peshën kryesore në grupmallrat e import-eksportit zënë materialet e ndërtimit dhe metalet, të ndjekura nga makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit e më pas tekstilet.
-Në maj 2008 hyri në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë
Pas shumë raunde bisedimesh, në qershor të vitit 2006 Shqipëria dhe Turqia kanë arritur të finalizojnë marrëveshjen e tyre të tregtisë së lirë. Tregtia e lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë vendos eksportuesit turq në kushte të barabarta me ata të Bashkimit Evropian. Produktet turke, deri me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje ndonëse me kosto të ulët, kanë qenë në një disavantazh krahasuar me ato të vendeve të BE-së, për shkak të tarifave doganore që paguanin. Marrëveshja stimuloi edhe investimet e përbashkëta mes bizneseve të të dyja vendeve. Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë një mbështetje të fortë politike.
-Investimet turke
Në periudhën 2005-2009 investimet turke njohën një rritje nga 150 milionë dollarë në vitin 2005, në 860 milionë dollarë në fund të vitit 2009. Sipas të dhënave më të fundit, sot investimet turke në Shqipëri, duke përfshirë edhe shumën për blerjen e 4 hidrocentraleve nga Kompania “Kurum”, në ditët e para të vitit 2013, arrijnë vlerën e 1 miliard dollarëve ose rreth 10 % e GDP-së së vendit.
Aktualisht 100 kompani turke ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Një pjesë e tyre zotërojnë sektorët strategjikë. Kompania “Çalik Group” ka pronësinë mbi bankën e dytë më të madhe në vend, BKT; zotëron kompaninë e vetme kombëtare të telefonisë fikse, Albtelekom dhe kompaninë celulare Eagle Mobile. Së fundmi kompania tjetër turke ‘Kurum’ ka zgjeruar aktivitetin e saj përtej prodhimit të hekurit në Elbasan dhe në privatizimin e katër hidrocentraleve të mesme. Pak ditë më parë ‘Kurum’ ka marrë edhe koncesionin për terminalin e mallrave në Portin e Durrësit. Kompania tjetër turke ENKA, në partneritet me amerikanët e Bechtel, ndërtoi Tunelin e Kalimashit dhe një pjesë të rëndësishme të Rrugës së Kombit. Turqit janë të pranishëm edhe në transportin ajror me kompaninë ajrore “Albanian Airlines’. Gjithashtu, dhjetëra biznese të tjera turke, që nga shërbimet dentare, sallonet e bukurisë, restorantet, veshjet, marketingu etj. Në mbështetje të këtyre sipërmarrjeve janë 474 turq që kanë marrë leje pune për të qëndruar në Shqipëri, duke parakaluar grekët dhe italianët. Të dhënat e fundit nga zyra e atasheut tregtar tregojnë se investimet turke në Shqipëri arrijnë vlerën e 1 miliard dollarëve, ose rreth 10 % e GDP-së së vendit.
-Vitin e kaluar Turqia realizoi me vendet e BE-së një vëllim tregtar prej 122,9 miliardë euro, duke u bërë kështu ortaku i 6-të më i madh tregtar i unionit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostati vitin e kaluar eksportet turke drejt BE-së kanë regjistruar një rënie prej 1% dhe janë ulur në 47,8 miliardë euro. Kurse importet nga BE-ja në Turqi kanë regjistruar një rritje me 3% dhe janë realizuar në 75,1 miliardë euro, duke e rritur kështu deficitin tregtar të Turqisë me BE-në nga 24,9 miliardë në 27,3 miliardë euro.
Ortakët më të mëdhenj tregtarë të BE-së në vitin 2012 ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 497,7 miliardë euro, Kina me 433,6 miliardë euro, Rusia me 336,7 miliardë euro, Zvicra me 237,9 miliardë euro dhe Norvegjia me 150,3 miliardë euro. Vitin e kaluar eksporti i përgjithshëm i Bashkimit Evropian u rrit me 8% dhe u realizua në shifrën 1 trilionë e 686 miliardë euro, kurse importet u rritën me 4% dhe u realizuan me 1 trilionë e 791 miliardë euro.