Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes rrjetit social Twitter se Shqipëria ka arritur të renditet e treta në Olimpiadën Ballkanike të Informatikës, të zhvilluar në Ankara të Turqisë, duke marrë kështu medalje të bronxtë.
Në këtë Olimpiadë, Shqipëria përfaqësohej nga Ilir Capuni, lider i ekipit, Arnold Drita, zv/lideri, si dhe garuesit Muhamed Keta, Marin Zaimi, Kamila Hasanbega, Evis Hoxha, për të cilët kryeministri i vendit dedikoi “duartrokitje të përzemërta”.
Në Ankara të Turqisë merrnin pjesë ekipe si Shqipëria, Bosnja, Bullgaria, Qipro, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia (me dy ekipe), si dhe Turmenistani.
Rezultatet e publikuara në faqen zyrtare të Olimpiadës së 22-të, që është mbajtur nga 10-17 Gusht, tregojnë 6 fitues të çmimit të parë, pra medalje të arta, 11 fitues të çmimeve të dyta, apo medalje të argjendta, si dhe 15 fitues të çmimeve të treta (medalje bronxi), ndër të cilët është edhe Evis Hoxha.