Categories
Lajme

Shqiptarët e Bullgarisë dokumentojnë historinë e tyre

Në Bullgari, që nga Mesjeta jetojnë shqiptarët, ndërsa nga nëntë fshatra që ishin, sot është vetëm ai i Mandricës, ku kryesisht jetojnë të moshuarit. Anton Panchev është studiues i gjuhëve ballkanike, nga të gjitha të tjerat ai ka veçuar gjuhën shqipe, ngase i ka pëlqyer më shumë se të gjitha gjuhët e tjera të Ballkanit.
Që nga viti 2005 kur kishte ardhur për të studiuar në Universitetin e Prishtinës, që studioi një semestër, që ishte hera e tij e parë në Prishtinë, Panchev tani merr pjesë pothuajse çdo vit në seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare. Këtë vit ai erdhi me kumtesën “Petja Asenova dhe gjuhësia shqiptare”. Panchev edhe asistent dhe profesor në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”.
Zëri: Pse e keni veçuar gjuhën shqipe nga gjuhët e tjera të Ballkanit për ta studiuar?
Panchev: Kur vendosa të studioja, në Bullgari nuk kemi pasur shumë specialistë, sidomos në fushën e Politikologjisë, në fushën e Historisë, nuk kemi pasur asnjë studiues i cili di gjuhën shqipe. Pothuajse çdo vit vij në Kosovë. Kam shumë miq, dhe kam shumë dëshirë të vij këtu, të qëndroj këtu. Nga ana praktike, dashuria ndaj shqipes dhe shqiptarëve janë arsyet kryesore, pse unë kam studiuar gjuhën dhe historinë e shqiptarëve.
Zëri:Sa ka qenë e vështirë për ju që të mësoni gjuhën shqipe?
Panchev: Ishte shumë vështirë, sepse shqipja ka disa veçori shumë të rralla. Në gjuhët e tjera në botë, nuk ka për shembull mënyrë habitore, dëshirore, nyjat, që janë shumë të vështira për të gjithë të huajt, por ka edhe një ngjashmëri midis gjuhës bullgare dhe gjuhës shqipe, si në leksik, e në disa forma gramatikore. Po ashtu, të dy gjuhët janë pjesë e lidhjes gjuhësore ballkanike, bashkë me greqishten dhe rumanishten dhe kanë frazeologji të njëjtë, në morfologji ka shumë tendenca të përbashkëta, në përemrat vetorë, në trajtë të shkurtër, dhanoren dhe kallëzoren i kemi edhe ne gjithashtu, mënyra e ndërtimit të kohës së ardhme është e njëjtë.
Zëri: Sa i jepet hapësirë gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes?
Panchev: Vitin e ardhshëm do të festojmë 20-vjetorin e degës së Ballkanologjisë në Bullgari, kur studentët mësojnë 600 orë shqip për katër vite, por edhe dy semestra merren me letrësinë shqiptare, me gjuhën sepse ka shumë lëndë gjuhësore, pastaj mësojnë për historinë, e të tjera.
Zëri: Cilat janë përparësitë në shtetin tuaj për një studiues të gjuhës shqipe?
Panchev: Tani në Bullgari ka disa mundësi të punosh në gjuhën shqipe dhe studentët tanë kanë një realizim shumë të mirë të profesionit. Punojnë në kompani ndërkombëtare shumë të famshme. Me gjuhën shqipe mund të realizohesh mirë në Bullgari. Kemi redaksinë e gjuhës shqipe, bëjnë emisione, përkthime për shqiptarët. Në Institutet Shkencore gjithashtu ka mundësi të realizohemi.
Zëri: Ju jeni marrë shumë me shqiptarët e Bullgarisë. Sa shpesh i keni vizituar ata? Çfarë mund të thoni për traditat e tyre, sa kanë arritur që nëpër vite t’i ruajnë ato?
Panchev: Është një fshat në Bullgari, që quhet Mandrica, është afër kufirit me Greqinë, është 2 kilometra larg, por edhe në këtë fshat ka probleme si në fshatrat e tjera bullgare, shpopullimi, njerëzit kanë ikur, kanë shkuar në qytete për të punuar apo arsimuar dhe tani në Mandrica jetojnë kryesisht të moshuarit.
Zëri: A i kanë ruajtur traditat e tyre shqiptarët e Bullgarisë?
Panchev: Shihet qartë ndikimi i paraardhësve të tyre, arkitektura shqiptare, në ndërtimin e shtëpive. Ka dy kisha në Mandrica, sepse shqiptarët atje kanë prejardhje nga rrethi i Korçës. Kjo pjesë e Ballkanit sot është e ndarë midis Turqisë, Bullgarisë dhe Greqisë, ka pasur nëntë fshatra shqiptare, por në luftërat ballkanike në pjesët turke dhe greke shqiptarët kanë pësuar shumë sulme edhe kanë ikur dhe vetëm ata të fshatit Mandrica kanë qëndruar. Ata flasin një dialekt të shqipes, kanë veshje dhe zakone shqiptare. Të rinjtë me prejardhje nga fshati Mandrica kanë krijuar një shoqatë, e cila merret me ruajtjen e zakoneve, traditave e dokumenteve shqiptare.
Zëri: Cila është gjendja e tanishme e shqiptarëve të Bullgarisë?
Panchev: Tani në Sofje jetojnë përafërsisht qindra shqiptarë të cilët studiojnë dhe punojnë. Unë njoh disa prej tyre. Ata nuk kanë harruar Shqipërinë, Kosovën, vendlindjet e tyre dhe mendoj se në të ardhmen do të ketë shumë mundësi për thëllimin e bashkëpunimit në çdo fushë.
Zëri: Cila janë disa prej hulumtimeve që ju i keni bërë për shqiptarët, gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre?
Panchev: Kam mbi 12 artikuj shkencorë të botuara në revista të ndryshme shkencore, në Maqedoni, në Kosovë, në Zvicër. Kam marrë pjesë në shumë konferenca shkencore. Interesohem kryesisht për bashkëpunimin shqiptaro-bullgar në shtetet ballkanike. Historianët në Bullgari kanë shumë interes për të zhvilluar studimet albanologjike, të hulumtojnë arkivat bullgare dhe ato shqiptare sepse ka të dhëna shumë të çmuara, të cilat tregojnë historinë e shqiptarëve dhe të bullgarëve, kontaktet e tyre.
Zëri: Ku e kanë bazën hulumtimet tuaja?
Panchev: Hulumtimet për bazë kanë kryesisht arkivat bullgare, në pak burimet shqiptare. Për shembull, kam hulumtuar për rolin e Hasan Prishtinës për bashkëpunimin shqiptaro-bullgar. Pastaj për dëshmitë bullgare për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni pas luftërave ballkanike; Kryengritja e përbashkët shqiptaro-bullgare; Kryengritja e shtatorit më 1913; për historinë e shqiptarëve në Bullgari gjatë shekujve, e të tjera.
Zëri: Çfarë do të veçonit nga hulumtimet tuaja për shqiptarët?
Panchev: Për historinë e shqiptarëve në Bullgari, ndoshta shumë njerëz në Kosovë nuk dinë se nga Mesjeta deri më sot, në Bullgari gjithmonë ka pasur një diasporë të vogël shqiptare, por me shumë rëndësi për zhvillimet në Shqipëri, njerëz si Josif Bageri, Toma Kacori, rilindësi i fundit shqiptar ka vdekur para gjashtë vitesh në Bullgari. Shoqatat shqiptare në Bullgari, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kanë bërë një punë shumë aktive për botimin e gazetave shqipe, për botimin e librave shqipe, për zhvillimet politike shqiptare, e të tjera.
Zëri: Cilat janë planet tuaja, rreth studimeve për gjuhën shqipe?
Panchev: Kam shumë dëshirë për të përmirësuar të folurit shqip, të di më shumë sepse studentët e mi kanë nevojë për më shumë njohuri. Unë mendoj të merrem kryesisht me hulumtime historike, kontaktet e shqiptarëve dhe bullgarëve, jo vetëm luftërat ballkanike, por edhe në fushën e politikës, në fushën e kulturës.

Exit mobile version