Shqiptarët e Maqedonisë në Zvicër janë mes dilemës nëse duhet të kthehen, apo thjesht vendlindja e tyre është vetëm një botë e bukur në imagjinatën e tyre. Të gjitha këto janë trajtuar në një film të realizuar dokumentar për shqiptarët e Maqedonisë në Zvicër, e që është titulluar “Midis dy botëve”.
Regjisori dhe producenti tetovar i këtij filmi, Sabidin Aliu, tha për albinfo.ch se filmi gjurmon mbi fatet e njerëzve nëpër një botë të “huaj”.
“Jam munduar ta paraqes realitetin e shqiptarëve në Zvicër, ta bëj sa më të qartë dilemën dhe fatin e mërgimtarëve nëse do të kthehen një ditë, apo do të qëndrojnë atje përgjithmonë”, tha Aliu.
Personazhet e filmit flasin për peripecitë e sistemimit dhe integrimit në shoqërinë zvicerane, flasin me mall dhe dashuri për vendlindjen, kanë një dëshirë të brendshme për t’iu kthyer vendin nga kanë ardhur, por kthimi i tyre aktualisht duket të jetë i pamundur.
Regjisori i filmit thotë të jenë kushtet e vështira ekonomike dhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohen shqiptarët sot, e që e bën të pamundur kthimin e tyre.
Tri personazhe e përbëjnë filmin dokumentar “Midis dy botësh”, tre intelektualë shqiptarë në Zvicër, të cilët japin mesazhin e qartë se kur mund të kthehen në vendlindje.
“Me keqardhje e them se gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam vërejtur ndonjë familje të ketë marrë një qëndrim të prerë për t’u kthyer nga Zvicra, edhe po të ketë ndonjë rast të rrallë, ata e ruajnë lejeqëndrimin në Zvicër, kjo do të thotë se nuk ndiejnë siguri në vendlindje”, thotë producenti i filmit.
Ai thotë se këtë e vërejmë edhe te personazhet e filmit, të cilët edhe pse janë mirë të siguruar ekonomikisht dhe profesionalisht, prapë e preferojnë Zvicrën, vend ku respektohen dhe paguhen mirë për punën që e bëjnë.
Moszgjidhja e shumë problemeve të brendshme në Maqedoni bën që jo vetëm personat me gjendje të vështirë ekonomike, por edhe intelektualë, specialistë e mjekë të largohen nga vendi që të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.
Pse vetëm shqiptarët e Maqedonisë?
“Mërgimi është një brengë e madhe e shoqërisë shqiptare në përgjithësi në Maqedoni, kemi qytete dhe fshatra të boshatisura dhe të lëna në mjerim, nëpër shkolla çdo vit zvogëlohen paralelet, kemi klasa me nga dy-tre nxënës. Ndërkohë po t’i vizitojmë këta njerëz në vendet ku kanë migrua, ata kanë krijuar kushte dhe janë integruar në shoqëritë evropiane”, shprehet regjisori dhe producenti tetovar i këtij filmi, Sabidin Aliu.
Ai është i shqetësuar se fëmijët që kanë lindur dhe shkollohen në shtetet perëndimore nuk kanë mundësi paralelisht ta mësojnë kulturën e vendit ku jetojnë.
“Ata kanë tjetër mentalitet, tjetër botëkuptim për gjërat, janë të integruar në shoqëritë ku jetojnë. Nëse prindërit e tyre e kanë pasur problem të integrohen në shoqërinë zvicerane, ata do ta kenë problem edhe më të madh integrimin e tyre në Maqedoni, me gjithë këto probleme që kemi”, tha Sabidin Aliu.
Regjisori nga Tetova nuk do të ndalet me kaq. Tashmë kanë filluar përgatitjet e realizimit edhe të një film tjetër dokumentar me shqiptarët në Zvicër.
“Titulli i filmit është “Bern Bern” dhe është në fazën e paraproduksionit, krijimit të ekipit dhe kontakteve me disa familje në Zvicër dhe Gjermani.
Edhe ky film ka të bëjë me shqiptarët në mërgatë, por nga një këndvështrim tjetër dhe me karaktere krejtësisht të ndryshme nga dokumentari “Midis dy botëve”.
Filmi është xhiruar më 2013 në Zvicër e në Maqedoni dhe është financuar nga Fondi i Filmit të Maqedonisë.
Për realizimin e filmit janë vizituar disa herë personazhet e filmit në Zvicër dhe në Maqedoni. Filmi mori pjesë në Festivalin e Filmit  “Një botë” në Prishtinë dhe tashmë ka aplikuar në shumë festivale ndërkombëtare.
Përveç premierës që kishte para audiencës në Maqedoni, filmi do të shfaqet në mars edhe në disa qytete të Zvicrës.
Sevdail Tahiri