Mesfushorit Haxhi Neziraj i kanë mjaftuar dy paraqitje që të tregohet vendimtar për skuadrën e Luzernit. Neziraj 20-vjeçar të shtunën mbrëma shënoi golin e fitores për Luzernin që mposhti 4:3 në udhëtim skuadrën e Servettes, në ndeshjen e xhiros së fundit (36) të Superligës së Zvicrës në futboll. Neziraj në lojë hyri në minutën e 63-të, ndërsa golin e fitores e shënoi në minutën e 90-të. Neziraj ishte njëri prej katër lojtarëve shqiptarë që shënuan gola të shtunën mbrëma në Superligën e Zvicrës, dhe njëri prej 15 lojtarëve që u aktivizuan, shkruan “Koha Ditore”.
Haxhi Neziraj deri më tani ka luajtur për ekipin e dytë të Luzernit. Me ekipin e parë në Superligë debutoi më 29 maj, kur luajti nga minuta e 83-të në ndeshje kundër Sionit. Për ekipin e dytë ai ka luajtur 23 ndeshje dhe ka realizuar tetë gola në kategorinë e tretë helvetike. Kosovari Neziraj së fundi i është bashkuar kombëtares Shpresa (U-21) të Shqipërisë. Ai golin e parë në Superligë e shënoi me asistim të Pajtim Kasamit. Vetë Kasami realizoi golin e tretë për Luzernin. Për Luzernin prej fillimi luajti edhe Jahmir Hyka, ndërsa Hekuran Kryeziu qëndroi në stol.
Gola në javën e fundit të kampionatit zviceran shënuan edhe Shkëlzen Gashi për Grasshopperin e Benjamin Kololli për Sionin. Grasshopperi që përfundoi nënkampion, mposhti Lausannen me shifrat 4:1. Gashi shënoi golin e dytë, nga penalltia në minutën e 60-të. Te Grasshopperi startuan Gashi e Amir Abrashi, zëvendësues ishte Mërgim Brahimi, ndërsa Shani Tarashaj qëndroi në stol. Për Laussanen nga minuta e 57-të luajti Bashkim Sukaj. Mesfushori 21-vjeçar debutoi në Superligë.
Mesfushori tjetër 21-vjeçar, Benjamin Kololli, arriti golin e dytë në shtatë paraqitje në elitën e futbollit zviceran. Ai shënoi golin e dytë për Sionin që fitoi 4:2 kundër Zuerichut. Te Sioni, pos Kolollit, startoi edhe Vullnet Basha. Ndërkohë për Zuerichun luajti Berat Gjimshiti. Për Thunin zëvendësues në barazimin 2:2 me Young Boysin ishin Berat Sadik e Mirson Volina.
Superliga e Zvicrës përbëhet nga dhjetë skuadra. Titullin e fitoi Baseli që në ndeshjen e fundit e mposhti St. Gallenin me rezultatin 1:0. Për Baselin tërë ndeshjen luajti mbrojtësi Arlind Ajeti, kurse zëvendësues ishte Endogan Adili. Te St. Galleni i pazëvendësueshëm ishte Ermir Lenjani. Në ndeshjet e xhiros së fundit munguan Kristian Nushi (St. Gallen), Muhamed Demiri (Thun) e Taulant Xhaka (Grasshopper) që luajtën rregullisht këtë edicion.
Numri i futbollistëve shqiptarë në klubet zvicerane pritet të rritet edhe më shumë në edicionin e ardhshëm, për shkak të numrit të madh të lojtarëve që janë pjesë e akademive të këtyre klubeve. (Koha Ditore)
Categories