Tre futbollistë shqiptarë të Baselit, Naser Aliju, Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi, pritet të zbresin në fushën e stadiumit “Santiago Bernabeu” të martën në mbrëmje (ora 20:45) për tu përballur me Realin e Madridit, kampionin aktual të Europës. Baseli tashmë ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit para këtij takimi, duke shijuar terrenin e stadiumit “Santiago Bernabeu”, një nga stadiumet më të bukura në botë.
Njëri nga tre shqiptarët e Baselit, kumanovari Naser Aliju për “Lajm” rrëfen emocionet e pragsfidës së parë të edicionit të sivjetmë të Ligës së kampionëve.
“Emocionet janë shumë të mëdha, pasi për herë të parë kemi zbritur në një stadium të tillë siç është Bernabeu, dhe që natyrisht është ëndërr e çdo lojtari të luaj në këtë fushë dhe para një tifozërie dhe yje lojtarësh siç i ka Reali. Stadium qenka i madh dhe shumë i bukur. Natyrisht që jemi të vetëdishëm se Reali është favorit, por ne nuk kemi ardhur këtu në shëtitje. Trajneri na ka folur për çdo imtësi, na ka sugjeruar që të mbajmë sa më shumë topin në këmbët tona, të luajmë sa më thjeshtë dhe pa frikë”, rrëfen për “Lajm”, mbrojtësi i Baselit Naser Aliju, i cili tregon se ka përjetuar atmosfera të tilla duke luajtur me Baselin edhe në stadiumin “Mestalla” në Valencia.
Ai ka pohuar se nëse trajneri i beson vendin e titullarit, atëherë do të ketë detyrë të ruaj yllin uellsian, Gareth Bale.
“Nëse do të jem në formacion dhe shpresoj të jem, atëherë me siguri do të ruaj Balen, por jo vetëm atë. Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje, pasi Reali ka yje të mëdha në radhët e tij’, ka theksuar Aliju, duke shtuar se do të luaj me zemër pasi është tifoz i Barcelonës.
Për Xhakën dhe Gashin ka zbuluar se janë tifoz me Realin. Ndeshja Real-Basel luhet të martën në mbrëmje në stadiumin “Santiago Bernabeu” me fillim prej orës 20:45./lajm/
Categories