Shqiptarët që kanë nënshtetësi gjermane që jetojnë në rajonin e Oberbayernit, sivjet do ta kenë mundësinë që për herë të parë ta votojnë një kandidat shqiptar, i cili synon të përfaqësohet si deputet në parlamentin e këtij rrethi në Gjermani.
Deli Balidemaj, me prejardhje nga Mali i Zi, tashmë edhe zyrtarisht është kandidat i Partisë së Gjelbërve për deputet në Parlamentin e Oberbayernit. Oberbayerni është Krahinë e Bayernit, në të cilën jetojnë rreth pesë milionë banorë.
Gjatë një bisede për “Zërin”, Balidemaj thotë se votën për të do të mund ta japin të gjithë qytetarët që kanë shtetësinë gjermane dhe të cilët e kanë lajmëruar banimin në Oberbayern. “Bayerni kërkon nga qytetarët nga Kosova qe të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës apo ajo e Serbisë, gjë që është një absurditet. Në këtë drejtim jam duke bashkëpunuar me politikanë të të gjitha niveleve që ta ndryshojmë këtë ligj”, deklaron ai.
Balidemaj thotë se qëllimi i tij është që duke u zgjedhur përfaqësues i shqiptarëve t’ua mundësojë atyre që të bëhen pjesë e vendimmarrjes.
“Partia ime ku unë jam i kandiduar ka interes të posaçëm për disa tema, si arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme, integrimin e të tjera. Që të mos mbetemi si qytetarë të rendit të dytë apo të tretë, pra të jemi pjesë e sistemit dhe të njoftohemi për të gjitha rrjedhat që janë vendimtare për kualitetin e jetës në këtë vend”, thotë Balidemaj, sipas të cilit, zgjedhjet do të mbahen më 15 shtator.
“Nuk është edhe aq e lehtë pasi që e gjitha duhet të realizohet pas orarit të punës, do me thënë në kohën e lirë sepse punëdhënësi im dhe i të tjerëve nuk lejon aktivitete politike gjatë orarit të punës, ngase kjo do të dëmtojë ekonominë e vendit”, nënvizon ai, duke sqaruar se fushata parazgjedhore ka filluar me një maj të këtij viti.
Në degën e Partisë së të Gjelbërve, shqiptari nga Mali i Zi, është anëtar i kryesisë.
“Unë jam në disa kontakte me shërbimet profesionale për migracion dhe integrime ku punojnë këshilltarë shqiptarë. Me disa prej tyre kam kontaktuar dhe më kanë dhënë përkrahje, për çka iu falënderohem përzemërsisht. Janë disa shqiptarë që më kanë shoqëruar edhe në fushatë dhe si miq, shokë, përkrahës të partisë në emër të së cilës unë kandidoj. Deri më tani kjo është përkrahja e komunitetit tim”, thekson ai.
Balidemaj shprehet i bindur se pasi të fitojë, përkatësisht të bëhet deputet i Partisë së Gjelbërve në Parlamentin e Oberbayernit do t’ia arrijë që të bëjë shumë për komunitetin shqiptar që jeton në Oberbayern.
“Do t’i dëgjojë me vëmendje problemet, kërkesat, propozimet, dhe do t’i përcjellë në grupet punuese të partisë sime. Si i vetëm nuk mund të zgjidh problemet madhore, por do t’i përcjell kërkesat dhe propozimet në këshillat dhe grupet punuese. Unë dua të angazhohem për barazinë dhe pjesëmarrjen e emigrantëve në nivel arsimor, shoqëror dhe politik”, deklaron kandidati për deputet në Parlamentin e Oberbayernit, Deli Balidemaj.
Categories