Ndër kërkesat e shumta të intelektualëve shqiptarë, e jo vetëm gjatë vitit jubilar të pavarësisë, ishte edhe dhënia e shtetësisë së shqiptarëve që banojnë jashtë shtetit amë. Por duke u bërë një qorr dhe një vesh shurdh politikanëve dhe shtetarëve të atëhershëm,nuk u realizua,madje as parasysh nuk u mor kjo kërkesë mbarëshqiptare. Në veçanti, shqiptarët e Maqedonisë duhet të insistojnë dhe të jenë të gatshëm të marrin shtetësinë e Shqipërisë, pse kurdoherë kanë luftuar, madje duke derdhur edhe gjak deri së voni, e sakrifikuar për bashkim kombëtar. Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës tashmë kanë shtetin e tyre, e kanë më të lehtë rrugën e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në të gjitha fushat.
Politikanët shqiptarë të Shqipërisë, Maqedonisë dhe të Kosovës, tashmë duhet të zgjidhin ekuacionin e shtruar për zgjidhje për identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë; se çfarë do të bëhet me ta, do të asimilohen, do të përzihen gradualisht si shqiptarët e Çamërisë, do të pajtohen përfundimisht se janë qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë në trojet e tyre etnike në Maqedoni, apo do heshtim si deri më tani? Njëherazi edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës, faktori politik duhet ulur, biseduar dhe trajtuar seriozisht atdhesimin e tyre, se o sot o kurrë. Më pastaj do jetë vonë dhe shqiptarët në trojet e veta jo vetëm që harrojnë gjuhën e tyre,por do ndërrojnë identitetin, siç ndodhi në Rrozhajë, Plavë e Guci, e vise të tjera me shqiptarë në trojet e tyre stërgjyshore.
Tashmë ka ardhur caku i shkoqitjes së problemeve të mbetura pezull prej kohësh,e nuk duhet të na humbin shansi, por mesa duket shumë ftohtë qëndrojnë këto teza që cekëm më lart. Por siç shkruan një intelektuale shqiptare nga Shkupi, “që të mos ndodhin ato sa thamë më lart, Shqipëria duhet pa hezitim dhe sa më shpejt, t’i pajisë me shtetësinë e saj, sepse tek e fundit kjo shtetësi u takon edhe në bazë të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Para 70 vjetësh, shqiptarët e Maqedonisë kanë patur pasaportë të mbretërisë shqiptare.
Çdo vërtetim shkollor, martesor, fetar dhe administrativ lëshoheshin më vulën e mbretërisë. Dokumentet arkivore dëshmojnë qartë se shqiptarët e Maqedonisë ishin shtetas të mbretërisë shqiptare. Pas vitit 1944 shqiptarëve nga Maqedonia ju hoq arbitrarisht shtetësia e Shqipërisë. Prandaj Republika e Shqipërisë duhet t’u rikthejë shtetësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve administrativë në bazë të kushtetutës së saj. Ka fakte që shumë drejtues të partive shqiptare kanë shtetësi të Shqipërisë. Por përse këta politikanë shqiptarë të Maqedonisë nuk kërkojnë që edhe votuesit e tyre të fitojnë shtetësinë e shtetit amë?! /Shekulli