“Çdo xhami e shembur ne Ballkan, çdo institucion islam i pakësuar, çdo element tradicional islam i asgjësuar në kuptimin kulturor janë nga një gur themeli i shkulur prej ndikueshmërisë përtej kufitare të Turqisë në këtë zonë. Tashmë Turqia është e detyruar të prodhojë politika të mesme alternative që t’i zënë vendin politikës së emigrimit të shndërruar në simbol të braktisjes së plotë. Është e pashmangshme që në themel të këtyre politikave të mesme të zërë vend mbajtja gjallë e kulturës osmane-islame në Ballkan. Përpjekjet veçanërisht të dy elementëve themelorë të mbetjes osmane në Ballkan, boshnjakëve dhe shqiptarëve, për të vazhduar qenien e tyre si shtete të pavarura, e bën të domosdoshme mbështetjen e themelit të lidhjes historike-kulturore të përbashkët në mes këtyre dy aleatëve të natyrshëm dhe Turqisë.” (Thellësia Strategjike)
E nderuara, Alma Lama
Sa herë që dëgjoj këngën e Luftës së përgjakshme të Çanakalasë, më projektohet imagjinata e lirisë dhe dashurisë së vendlindjes. Kjo këngë më rifreskon tregimin e nënës sime për stërgjyshin e saj dhe dy vëllezërit e tij, që sikur shumë preshevarë kishin dalë në stacionin hekurudhor dhe po prisnin trenin me flamur të zi. Në këtë tren, jepej një lajmërim i dhimbshëm se ata që hipnin, nuk do të ktheheshin. Me një fjalë rruga që po merrte treni për Çanakale, ishte rrugë pa kthim. Djelmoshat e rinj që ishin nisur të luftojnë dhe të mbrojnë Devletin, nuk ishin kthyer kurrë më në vendlindje, kështu që as stërgjyshërit e nënës sime. Pa harruar se lufta e Çanakales ka ngjarë me 1915-1916, tri vite të plota pasi administrata osmane ishte larguar nga Ballkani.
Duke shikuar disa foto të vjetra, të stërgjyshërve të mi dhe të babait tim, shoh se kanë mbajtur fesin e kuq të osmanlinjve, pasi që stërgjyshi i babait tim shërbimin ushtarak e kishte kryer në Jemen kurse stërgjyshi im, në Misir. Stërgjyshi i babait tim ishte i plagosur në Jemen, dhe deri sa u kurua tërësisht, rrugëve të Stambollit shiste qumësht. Ai qëndroi në Stamboll, deri sa nuk ra në kontakt me grupet revolucionare të Ataturkut. Me të rënë në kontakt, grupet e Ataturkut i ofruan t’iu bashkëngjitet grupeve të tyre, pasi që Sulltanati po merrte fund dhe se po viheshin themelet e Republikës (Cumhuriyetit), mirëpo, ky kishte vendosur të kthehej në memleqet, dhe ashtu u bë. Madje komitët e Ataturkut i thonë le të ngutet, sepse po vinin kohë të turbullta.
***
Fjala e thënë është rezultat i frymëzimit të simboleve si nevojë për shprehjen e mendimeve si gjurmime logjike të zhytura në një fondament të caktuar ontologjik. Nëse “e thëna” konsiderohet një shenjim që e definon objektin apo gjënë që synohet të shënjohet, krijon një lidhje ontologjike në mes shënjuesit/subjektit dhe të shënjuarës/objektit. Në një fjalë, e thëna apo gjuha është vetë-qeniesimi i subjektit. Rëndësia e asaj që thuhet mbështetet mbi pozicionin e supozuar të subjektit. Pasi që deputeti si i përzgjedhur i popullit, përfaqëson fjalën e thënë, lenë të kuptohet se subjekti presupozon fuqinë e saj te pushteti e jo argumenti i fjalës.
Të sqarojmë se përzgjedhja e juaj si deputete në Kuvendin e Kosovës është rezultat i një programi të caktuar politik, siç është ai i “Vetëvendosje!”-s, një program politik të cilin ju më nuk e përfaqësoni në Kuvend. Duke shmangur një prejudikim të mundshëm, por po hamendësoj se po të kandidonit si kandidate e pavarur në Kuvendin e Kosovës, dyshoj për një sukses të pritshëm si ky pozicioni që gëzoni sot. Andaj, reagimet tuaja në cilësinë e deputetes mendoj që humbin legjitimitetin si përfaqësuese e njëmendët e qytetarëve. Por asnjëra nga këto nuk ju vë në dyshim apo mohon të drejtën për të shprehur atë që mendoni.
Reagimi im merr për shkas dy gjëra thelbësore bazuar në letrën tuaj të hapur drejtuar kryeministrit: përshkrimi i diplomacisë pro-aktive Turke si lëvizje pan-islamiste; e dyta është diskursi narrativë i afrimit të një “gogoli” nën vellon e siç e quani ju “neo-otomanizëm”. Ngaqë subjekti juaj ndërlidhet ontologjikisht me objektin, krijon raportin e uni-t dhe tjetri-t, përmes projektimit të tjetrit/gogolit, realisht po tentoni të projektoni veten. Kjo mund të shihet edhe nga përdorimi i juaj i dualitetit opozitar, BE-Turqia; katedralja-xhamia; kombi-feja.
Qysh në fillim të këtij reagimi citova Ahmet Davutoglunë ku shihet qartë pozicionimi i tij sa i përket qasjes në kontekstin e relacionit shtet-fe. Davutolgu shpreh qartë se të drejtat e qytetarëve të besimit mysliman në Ballkan nuk janë të barabarta me të drejtat e qytetarëve ortodoks dhe katolik. Ai assesi nuk len të kuptojë se kjo diferencë ka shtytje religjioze, por ai haptas paraqet idenë se Turqia do të duhej të interesohej për qytetarët mysliman për avancimin politik të të drejtave të tyre si dhe përmasimin e infrastrukturës dhe kushteve të tyre materiale për të realizuar qeniet e tyre. “Thellësia Strategjike” për herë të parë është botuar në vitin 2001, kohë kjo kur ai ende ushtronte profesionin e pedagogut. Xhamia në diskursin tuaj shërben si objekt potencial për manipulim politik më tepër sesa thjesht një objekt kulturor apo religjioz që është i nevojshëm për besimtarët. Për Turqinë medoemos xhamia do të jetë preokupim sepse ajo nënkupton një aset të rëndësishëm të sendërtimit shpirtëror të besimtarit, sendërtim ky që është i lidhur fort me realizim e të drejtave të qytetarit me besim islam. Prolongimi i ndërtimit të xhamisë në Prishtinë, ka tejkaluar të gjitha kufijtë e mirëkuptimit institucional në nivel lokal dhe qendror.
Është naive shtypja e një alarmi për një “Islam Politik” apo “agjendë islamike” duke iu referuar subjekteve që kanë pranuar shtetin shekullar dhe votën e lirë dhe të drejtën ndërkombëtare të popujve për vetëvendosjen e tyre. Turqia si shtet nuk është asgjë më tepër sesa një simbiozë e shtetit shekullar, sistemit ekonomik kapitalist dhe një morali islam që buron nga një traditë e ushtruar ndër shekuj që tashmë ka marrë nuanca autoktone dhe dallon nga shtetet e tjera të Lindjes së Mesme. Ndihma ndaj amerikanëve indigjen apo siç i njohim ne si indianët amerikan, restaurimi i shumë kishave anë e kënd botës e sidomos investimet në shtetet e Amerikës Latine forcon edhe më tepër dyshimin dhe pamundësinë e përdorimit të shprehjes “agjendë islamike” e Turqisë. Turqia si shtet ka nisur shumë iniciativa për dialog ndërfetar dhe nacional dhe ka një përpjekje serioze për të riformuluar një paradigmë të re, krahas paradigmave të tjera qytetërimore, e në këtë rast qytetërimit perëndimor. Iniciativa e Turqisë për ri-aktualizimin e qytetarit mysliman ballkanas, mund të konsiderohet edhe si iniciativë “islamike” por për mendimin tim ajo është diçka e ngjashme me “Civitas Dei” apo “Qyteti i Zotit” të Augustinit me ç’rast qytetarët e këtij qyteti nuk do të thoshte të ishin brenda një hapësire të kufizuar gjeografike dhe orientimi të caktuar politik, por sipas Augustinit kudo ndodhej besimtari aty ndodhej edhe “Qyteti i Zotit”, ndërlidhja nuk ishte toka por ishte qielli. Turqia ka një agjendë të hapur dhe ta quash agjendën e saj si “Islamike” ngaqë angazhohet për të drejtat e qytetarëve të besimit Islam, t’i avancojnë të drejtat e tyre qytetare brenda shteteve ku jetojnë ata, mund të tingëllojnë si naive në veten e saj.
Davutoglunë e quani neo-otomanist duke e pranuar këtë koncept ekzistues dhe të mirëqenë. Ky koncept lëre se është i diskutueshëm por në të njëjtën kohë është edhe a-historik por në shume raste konceptohet edhe si nocion pezhorativ. “Neo-Otomanizmi” është togfjalësh i përbërë nga parashtesa Neo dhe Otomanizmi. Otomanizmi është ideologji e shek. 19 të Perandorisë Osmane por burimet e saja datojnë qysh pas verdiktit të reformës (ıslahat-fermanı 1856) gjegjësisht pas periudhës së Tanzimatit më 1839 parashihej që të gjithë qytetarët kishin të drejta të barabarta qytetarie pavarsisht feje dhe entie. Otomanizmi bëhet një përpjekje për të krijuaj konceptin politik osman për të shmangur shkëputjet trazirat, kryengritjet me motive nacionaliste dhe fetare si dhe riorganizimi dhe kërkimi i një alternative ndërkombëtare të shtetit osman, pjesë të së cilit ishin edhe shqiptarët. Koncepti i neo-Otomanizmit, për herë të parë u përdor nga grekët qipriot gjatë aksionit ushtarak të Turqisë në ujdhesë më 1974. Në diskursin politik filloi të përdorej nga ish kryetari i Turqisë Turgut Ozal. Por, Davutoglu në asnjë nga librat e tij nuk përmend se është “Neo-Ottoman” dhe se teoria e tij është “Neo-Otomaniste”, përkundër kësaj mban një qëndrim kritik ndaj tri alternativave ndërkomtare të Turqisë siç janë neo-otomanizmi i Ozalit, frazeologjia islamiste e Partis Refah të Nexhmetin Erbakanit dhe programet radikale të turqizmit pas intensifikimit të konflikteve me Partinë Punëtore Kurde apo PKK-në. Manipulimi që bëhet përmes këtij koncepti, përpos subordinimit të tij ndaj Davuoglusë, rrok edhe dimensionin e zhvendosjes psikologjike të ikonave dhe periudhës historike, të gjallëruar në format narrative të personazheve filmike si ajo e ‘Sulltan Muratit të I’ në filmin jugosllav “Boj na Kosovo” – Beteja e Kosovës.
Mirëpo origjina e ideve dhe kultivimi i bindjeve negative për “turkun” buron nga periudha e renesancës me imazhin e “Turkut të tmerrshëm” siç thotë edhe Ibrahim Kalin. Ai deklaron se ky koncept është frymëzuar nga kryqëzatat, ku myslimanët janë thirrur “saraçenë”, e gjatë mesjetës edhe “maur” dhe pas shekullit XVI kjo iu referohet “turqve”. Madje edhe ju, Perandorinë Osmane e quani Perandori Turke ose fenë islame e shpjegoni si imanencë e “turkut”, e “turkun” si antipod të kombit shqiptar, kurse kombin si projekt të qytetërimit perëndimor e që po rrezikohet nga një gogol me “agjendë islamike”, komb ky i cili ka luftuar ndër shekuj nga okupues të huaj. Nëse kombi shqiptar ka lindur në Perandorinë Osmane si ka mundësi që shuarja eventuale e tij të vij nga një shtet me pretendime perandorake? Për vite me radhë diskursi juaj karakterizohet me tone të fuqishme orientaliste dhe islamofobe duke shkaktuar çarje dhe polarizime në shoqërinë shqiptare. Perceptimi i mizorive tona te të tjerët, janë veset tona të pasqyruar tek të tjerët.
Në kontekstin e pozicionimit qytetërimor vlen të parafrazohet Maria Todorova ku thotë se më vitin 1830 gjeologu Francez Ami Boue e quante Ballkanin, “Turiqe d’Europe” apo Turqia e Evropës, apo Huntington-i siç e definon kufirin e Evropës me atë të ish-Perandorisë Habsburge apo më konkretisht kufiri me Kroacinë sot ndanë Evropën dhe Azinë, çka më tepër për Huntington-in, për të qenë pjesë e civilizimit perëndimor nuk mjafton veç transformimi dhe dëshira e popujve aderues por edhe vullneti i “padronëve” të civilizimit perëndimor për të konfirmuar aderimin. Përkundër Huntingtonit që Ballkanin e konsideron periferi të qytetërimeve, Davutoglu Ballkanin e konsideron qendër të qytetërimi dhe urën e Mostarit si simboli i lidhjes së qytetërimeve.
Në letrën tuaj, po ashtu flitni për “arbitraritein e historisë”, iluminizmin dhe absolutizmin. Një histori arbitrare është një “Histori” që qenieson jashtë kohës dhe hapësirës. Një “Histori” në kuptimin Hegelian që sillet si dora e Zotit vetë dhe ndërhyn në kontinuitetin linear sa herë që ajo është dëmtuar, keqinterpretuar dhe shpërfillur nga subjekti, e siç thuhet “Do të na dënojë historia”. Në kontestin shqiptar, “Historia” humb/fiton legjitimitetin sipas shpjegimeve për kombin, koncept ky që është formësuar dhe trajtësuar në saje të konjunkturave politike. Po thuajse të gjithë patriotët shqiptar, mbartin epitete të dyfishta, pra “historia” jonë ka shumë histori. Pajtohem aty kur thua se “historia” u takon historianëve dhe jo politikanëve. Është një nga tezat qendrore të vetë Davutoglusë, por askush nuk parashtruar kërkesë për ndryshimin e “historisë” por kërkesë për ndërrimin e frazave fyese që përdoren ndaj Perandorisë Osmane. Ajo çka duhet të përpiqemi, është që “historinë” ta kthejmë në binarët akademik dhe shkencor, që nënkupton se pikënisja e saj është diversiteti argumentues, qasja metodologjike që shmang paragjykimet dhe stereotipet; dhe konkluzionet e saja nuk duhet të jenë të prejudikuara. Në këtë kontekst historia e humb arbitraritetin ose objektivitetin sepse përshkrimi i ngjarjeve nga subjekte të ndryshme i jep asaj nuanca të ndryshme shpjegimi, përjetimi i saj është nën autoritetin subjektiv të individit e jo konvencioneve politike të shoqërive. Me një fjalë, përpjekjet tona shkencore duhet të angazhohen në sjelljen e alternativave të ndryshme shpjeguese për ngjarje të caktuara historike. Arbitrariteti dhe pandryshueshmëria e saj, ashtu siç pandehni ju, përkojnë me mendësitë totalitare dhe absolutiste. Thirreni në iluminizmin duke e vlerësuar si paradigmë për ndërtimin e realitetit por vetë iluminizmi në vete është shtypës dhe totalitar, që përmes universalitetit të tij, imponon domosdoshmërinë e pranimit të tij. Iluminizmi duke marrë si kriter arsyen, kryeveprën e tij “auschwitz” me vrasjen e afro 5 milion hebrenjve, këtu merr fund ëndrra e narracionit për “përndritjen” dhe çlirimin e qenies njerëzore.
Po i referohem edhe një herë Davutoglusë se një individ për ta realizuar veten brenda një paradigme qytetërimore varet nga dy kushte thelbësore: siguria fizike dhe liria ontologjike. Orientimi dhe preferenca ideologjike e shqiptarëve dhe popujve të Ballkanit në përgjithësi do të duhej qasur bazuar në këto dy kushte thelbësore të çdo qytetërimi. Sigurimi i këtyre dy premisave qytetërimore do të garantonte edhe përzgjedhjen metafizike të subjektit, në të kundërtën, mundësia e çorientimit dhe shpirjes drejt ideologjive konjukturale dhe potencialiteti i konsiderimit të narratives për reale dhe reales për narrativen, do të jenë evidente.
Shkruan: Latif Mustafa
Hulumtues-asistent në institutin “Aleanca e Civilizimeve” në Stamboll
Categories