Në moshën 68-vjeçare në Shkup, ka ndëruar jetë legjenda e mundjes, Mentaz Allajbegu, njeriu i cilësuar si babai u mundjes shqiptare. Ai vuante nga probleme shëndeti kohët e fundit, kështu që ndarja e tij nga jeta i ka tronditur të gjithë.
Allajbegu është padyshim emri më i madh i munjdes shqiptare ndër vite, i nderuar me çmime të shumta, ndërsa ka nxjerrë edhe kampion olimpik, botëror si dhe kampion të shumtë vendor. Në vitet e 70-ta, Mentaz Allajbegu, do të punësohet në SHF “Liria”, ku do të hapë 9 seksione të sportit, si: mundja, basketbolli, hendbolli, futbolli dhe sporte të tjera. Trajneri Allajbegu punën e tij nuk e kishte orientuar vetëm në një drejtim. Ai punoi shumë edhe në sportet tjera, siç janë gjimnastika, shenjëtaria, atletika, ping-pongu, ndërsa kur nxënësit kishin pushime verore, ai arrinte që të organizonte kampingje në Liqenin e Ohrit në Ohër, në Strugë dhe në Prespë, që kështu fëmijët ta mësojnë edhe notin.
Në vitin 1977 me nismën e tij u formua Klubi i Mundjes “Liria” dhe Klubi i Basketbollit “Liria”, ku trajneri kishte dhënë kontribut të veçantë, sepse ato gjenerata që ai i udhëhoqi, pastaj u rritën dhe ishin bërthama të klubit, të cilët arritën të mbajnë cilësinë dhe aftësitë e tyre tekniko-taktike për ta zhvilluar garën dhe për të bërë rezultate. Me ardhjen e trajnerit të njohur Mentaz Allajbegu në postin e trajnerit të Klubit të Mundjes “Prishtina” nga Prishtina, më 1983 filloi edhe puna e mirëfilltë e Federatës së Mundjes së Kosovës, të cilin Allajbegu arriti ta themelojë me punë dhe mund të madh. Përveç që ishte trajner i këtij klubi, Allajbeu rregullisht shkonte edhe në vende të tjera të Kosovës, ku punonte me trajnerët e klubeve të tyre. Kështu shumë shpejt mundja nisi të zhvillohet jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Prizren, Mitrovicë, Han të Elezit, Vushtrri, Ferizaj, Skenderaj dhe Dragash.
Shaban Sejdiu (i shpallur sportist i vitit 1977 në ish-Jugosllavi, Shaban Tërstena (i shpallur sportist i vitit 1984 në ish-Jugosllavi), janë ata që sollën famën e mundjes së ish Jugosllavisë, ndërsa Abdulla Memeti, Bajram Qerolli dhe disa të tjerëve nuk iu dha mundësia që të marrin pjesë në gara, gjë për shqiptarët paraqet humbje, sepse ashtu atyre nuk iu lejua të bëhen figura të mëdha të sportit. Në Evropë ka ndodhur ajo që deri më tani më nuk është përsëritur, pasi që vetëm në moshën 18-vjeçare Shaban Sejdiu do ta fitojë medaljen e artë në kampionatin Evropian në Bursa, ndonëse kundërshtarët e tij ishin të gjithë mbi 20 vjeç. Pastaj vijnë edhe sukseset e Shaban Tërstenës, i cili edhe sot njihet si sportisti më i suksesshëm shqiptar. Ai ka arritur të fitojë medaljen e artë në lojërat olimpike të vitit 1984 në Los-Anxhelos të SHBA-ve, si dhe të jetë fitues i medaljes së argjendtë në LO 1988 në Seul. Ai është kampion evropian i vitit 1984 dhe 1990, si dhe fitues i shumë titujve tjerë. Trajneri Allajbegu në kohën e fundit ka stërvitur edhe kik-boksierët që fituan tituj botërorë, siç janë Mirdi Limani, Albert Selimi dhe Azem Maksutaj. Këto ishin rezultatet më të mëdha të trajnerit Allajbegu i cili gjatë kësaj periudhe punonte si vullnetar, duke punuar pa asnjë kompensim material. Farkatari I medaljeve olimpike dhe botërore për sportin shqiptar Mentaz Allajbegu, kishte lindur me nëntë gusht të vitit 1946 në Dibër. Varrimi i tij do të bëhet gjat ditës së hënë në varrezat e Nerezit të Shkupit.
Forumi Rinor Islam në manifestimin e Hixhrit 1435 e dekoroi si personalitet që ka dhënë kontribut në zhvillimin dhe afirmimin e sportit tek shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë.
Categories