Categories
Lajme FRI

Shumë studentë janë ‘analfabetë funksional’

Analfabetizmi, që si dukuri duhej t’i kishte kaluar historisë, pasi “shkollimi i masave të gjera” është përmbyllur si aksion i kohës së socializmit, po shqetëson gjithë e më shumë edhe sot e kësaj dite. Dallimi i vetëm duket se janë format e reja dhe terminologjia e kohës. Gjithnjë e më tepër flitet për “analfabetizëm funksional”, “analfabetizëm modern” apo “analfabetizëm digjital”.

Nëpër shtetet ku bëhen analiza dhe raporte përkatëse, të dhënat flasin për nivele të ulëta të arsimit. Në Maqedoni, nuk janë bërë studime përkatëse dhe nuk dihet se sa është saktësisht përqindja e këtyre analfabetëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se tek ne, nuk kemi “analfabetë funksional”. Pedagogë universitarë, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me studentë, pra me ata që nesër do të jenë elita e vendit, flasin për një situatë dëshpëruese. Niveli i njohurive të studentëve, aftësive të tyre për të riprodhuar me fjalë të veta materialet e librave, apo edhe niveli i komunikimit, për fat të keq, janë dëshpëruese, thotë profesori Asllan Hamiti. Se në Maqedoni kemi “analfabetizëm funksional” edhe atë në nivele të larta , sipas tij, nuk ka asnjë diskutim. Problemi është se institucionet relevante nuk merren me matje të këtilla dhe nuk e dimë saktësisht cila është shtrirja e analfabetizmave të ndryshme, sipas grupeve dhe moshave të caktuara. “Është mirë që Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me organizata të specializuara për këtë punë, të realizojnë studime përkatëse dhe të dalin me të dhëna të sakta se sa është i pranishëm ‘analfabetizmi funksional’, ai ‘modern’ apo ‘digjital’ këtu tek ne”, pohoi ai. Këtë mendim ndan edhe profesori tjetër Avzi Mustafa, i cili konsideron se vetëm pasi të ketë të dhëna të sakta për shkallën dhe llojet e analfabetizmave, atëherë ka mundësi reale që të ndërtohen strategji për përmirësimin e gjendjes në këtë drejtim. Që në sistemin tonë arsimor ka anomali dhe defekte të shumta, nuk ka asnjë diskutim, pohon Mustafa.
“Rrjedhimisht, edhe kategorinë e ‘analfabetëve funksional’ do ta gjemë kudo, pa përjashtuar as universitetet”, plotëson ai. Kur disa muaj më parë, një raport i Bankës Botërore nxirrte 57 për qind të nxënësve 15 vjeçar në Shqipëri “analfabetë funksional”, pra që dinë të shkruajnë e lexojnë, por që nuk kuptojnë atë që thuhet, u hap debat i gjerë për këtë dukuri, për shkaqet dhe masat që duhen ndërmarrë. “E çfarë mund të thuhet për në Maqedoni, sidomos për popullatën shqiptare nëse kemi parasysh dallimin e madh në kulturën e shkollimit, në Maqedoni dhe në Shqipëri”, shprehet prof.dr. Hamiti. Por, pavarësisht mungesës së të dhënave statistikore për “analfabetizmin funksional” në Maqedoni, prezenca e tyre ndjehet kudo. “Nga ajo që shohim e dëgjojmë çdo ditë, nga përvoja jonë pedagogjike në universitet, me keqardhje mund të themi se, përgjithësisht, niveli i kulturës gjuhësore i rinisë sonë është jo i kënaqshëm. Shumë nxënës të filloreve e të shkollave të mesme nuk dinë t’i shprehin mendimet e veta as me shkrim e as me gojë, por edhe atë që e lexojnë nuk janë në gjendje ta reprodukojnë”, pohon ai. Përjashtim, thotë se nuk bëjnë as studentët.
“Ky ‘analfabetizëm funksional’, kjo paaftësi e tyre në shkrim-leximin logjik vërehet shpesh edhe tek studentët. Fjala vjen, në provimet me shkrim a me gojë, ata përgjigjen vetëm duke i mbetur besnik me përpikëri tekstit mësimor, në të shumtën e rasteve duke e mësuar përmendësh ose duke e kopjuar”. Rrallëherë, plotëson më tej profesor Hamiti, ndodhë që të lexojmë përgjigje origjinale me fjali që nuk janë kopje e tekstit. “Ka edhe të tillë që nuk dinë të plotësojnë fletëparaqitjet e provimit, si dhe formularë të tjerë dhe që nuk dinë të shkruajnë një ftesë, letër-urim, njoftim, lutje, kërkesë, ankesë, procesverbal, fletëpalosje etj. Mund të supozojmë se gjysma janë ‘analfabetë funksional’”, nënvizon ai. Në Maqedoni, jo vetëm që nuk ka të dhëna për “analfabetët funksional” dhe “digjital”, por sipas profesorit Avzi Mustafa, edhe të dhënat për “analfabetët klasik” janë larg realitetit. Të dhënat zyrtare të analfabetizmit në Maqedoni, nënvizon ai, nuk korrespondojnë me të dhënat e hulumtimeve të pavarura që bëhen në këtë drejtim.
“Sipas Entit Statistikor të Maqedonisë, bazuar në regjistrimin e vitit 2002, analfabete janë 3.6 për qind e popullatës. Mirëpo, të dhënat e një hulumtimi që kemi bërë me ndihmën e UNICEF-it, në kuadër të projektit ‘Arsimimi funksional’, flasin për situatë tjetër. Pas hulumtimit në fjalë, rezultoi se në Maqedoni numri total i qytetarëve analfabetëve arrin shkallën e 8.3 përqindëshit”, tregon prof.dr. Mustafa. Në rast hulumtimi special për “analfabetë funksional”, ai pret që përqindjet të jenë tepër të larta, deri në 60 për qind. “Nëse merren parasysh rrethanat, si për shembull, autodidaktët, përfshirja e të rriturve në procesin arsimor, shkapërderdhja e nxënësve të shkollave fillore, si dhe niveli i zhvillimit teknik-teknologjik, në mënyre hipotetike mund të konstatohet se përqindja e ‘analfabetëve funksional’ arrin shkalën e 60 përqindëshit”, sqaron ai, ndërsa thotë se urgjentisht duhet të merren hapa për ndryshimin e situatës./koha/
 

Exit mobile version