Kush dëshiron të dijë se si ka qenë Evropa shekuj më parë le të shikon gjendjen aktuale në Lindjen e mesme. Nga gjitha vendet që u përfshinë në “pranverën arabe” duket se më rëndë e pësoi populli sirian. Protestat popullore kundër regjimit në Siri lindën si pasojë e vrasjes së 16 nxënësve nga ana e regjimit sirian në një shkollë fillore në qytetin Dar’aa – qytet në jug të Sirisë – pikërisht për faktin se dikush në muret e kësaj shkolle kishte shkruar fjalën tani më të njohur -“Populli dëshiron rënien e sistemit”.
Ky veprim makabër revoltoi tej mase popullin saqë në pjesën më të madhe të vendit mijëra njerëz u ngritën për të kërkuar të drejta dhe liri. Presidenti Asad brutalitetin, dhunën, dhe gjenocidin e ka të trashëguar nga familja e tij. Ju përkujtojmë se babai i Asadit, Hafez al-Asad së bashku me vëllain e tij Rifaat al-Asad, në vitet e 80’ta të shek. XX masakruan afërsisht 40 mijë civilë në qytetin Hama.
Në këtë luftë që nuk dihet fundi se ku do të jetë, regjimi i Asadit kundër popullit të tij përdori gjithë arsenalin ushtarak, përfshirë këtu edhe armët kimike. Deri më sot atje janë vrarë mbi 130 mijë njerëz, si dhe miliona janë shpërngulur qoftë brenda Sirisë qoftë në vendet fqinje si në Turqi dhe Jordani. Skenat që na vijnë nga mediat ndërkombëtare për Sirinë, na e kujtojnë Ruandën dhe Kamboxhën. Duket se mësimet që u desh ti marrë bota nga Ruanda dhe Bosnja nuk u morën në konsideratë.
Në Siri në mënyrë brutale çdo ditë kryen krime kundër njerëzimit, dhe vazhdimisht shkelen normat ndërkombëtare –Jus in bello e drejta në luftë – që këtu intervenimi humanitar në këtë vend do të duhej të ndodhë që moti. Intervenimi si i tillë fokusohet në dy qëllime: a) ofrimin e ndihmës emergjente si dhe b) ruajtjen e të drejtave fundamentale të njeriut.
Vlen të përmendet se karta e OKB-së përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare ia jep Këshillit të sigurimit -KS. Në nenin 39 të kartës së OKB-së, thuhet: “Këshilli i Sigurimit është ai që përcakton, nëse kemi të bëjmë me kërcënim e paqes ose agresionit”. Se vallë termi “kërcënim i paqes ose agresionit”, konsiderohet vetëm sulmi i një shteti ndaj një shteti tjetër anëtar të OKB-së, apo edhe krimet të cilët kryen kundër popullatës civile brenda integritetit territorial, këto çështje u bënë temë debati në koloaret akademike.
Në vitin 2000 KS i OKB-së përmes miratimit të rezolutës 1296 përcakton se: “sulmi ndaj civilëve në konfliktin e armatosur si dhe refuzimi për vendosjen e ndihmës humanitare tek popullata civile, do të konsiderohet si kërcënim i paqes ndërkombëtare”. Cili do qoftë shtet që kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare do të duhej të i nënshtrohet nenit 42 të kartës së OKB-së, – atje ku përmenden forcat ushtarake.
Në Siri rezulton se nuk është funksionale as doktrina “Përgjegjësia për të mbrojtur”, doktrinë kjo e cila në njërën ndër shtyllat e saj qëndron edhe ajo se: “Bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi për të përdorur mjetet e duhura diplomatike, humanitare dhe mjete tjera për të mbrojtur popullatën nga krimet kundër njerëzimit, dhe spastrimit etnik”.
Duke marrë parasysh faktin se mbështetës kryesor të Sirisë janë dy shtetet të cilët kanë drejtën e vetos në KS, pra Rusia dhe Kina, intervenimi humanitar në këtë vend pamundësohet sepse pengohet në mënyre institucionale dhe atë në emër të së drejtës ndërkombëtare. Se sa të dobëta janë normat për të drejtat e njeriut në krahasim me mos ndërhyrje në punë të brendshme të një shteti, një shembull i mirë për këtë është Siria.
Çdo iniciativë nga SHBA-ja për të dënuar qeverinë e Asadit në KS u sanksionua me veto nga Rusia dhe Kina, pasi që çdo rezolutë në këtë drejtim do ti hapte rrugë një intervenimi të mundshëm. Për këtë shkak ministri i punëve të jashtme rus theksoi, “..ne nuk do të ju ndihmojmë juve ashtu sikurse bëmë në Libi”.
Ka dy arsye se pse Rusia aq fuqishëm mbështet presidentin Bashar al-Asad:
a) aspekti ekonomik, dhe
b) dhe aspekti ushtarak-strategjik
Rusia është furnizuesi më i madh i armëve për Sirinë, kontratat siriane me industrinë ushtarake ruse llogaritet se janë mbi 4 miliardë $. Me largimin e Asadit nga pushteti automatikisht për Rusinë nënkupton humbje e një klienti.
Aspekti strategjik është po ashtu i rëndësishëm për vet faktin se Rusia ka të vendosur bazën e saj – që nga vitit 1971- në qytetin perëndimor sirian Tartus, e që përmes kësaj baze Rusisë i mundësohet qasje e drejtpërdrejt në mediteran, si dhe kryerjen e disa misioneve anti-pirate në gjirin e Adenit -vendndodhja ndërmjet Jemenit dhe Somalisë .
Pra, një faktorë për mos ndërhyrje është edhe ajo se fuqitë të cilët kanë të drejtën e vetos në KS nuk kanë konsensus, madje jo vetëm kaq, por edhe vendet perëndimore -Britania e madhe, Franca – muaj më parë kundërshtuan një intervenim të tillë.
Nëse marrim anketat të cilët janë zhvilluar në SHBA në periudhën gusht – shtator (pra, pas përdorimit të armëve kimike nga ushtria siriane) shohim se mbi 56% e publikut amerikan janë kundër intervenimit në Siri, 26% prej të anketuarve nuk e dinë se çfarë masa të ndermirën, dhe vetëm 19% prej tyre mbështesin intervenimin. Andaj një intervenim humanitar në Siri nuk gëzon mbështetje as tek publiku amerikan.
Kur kihet parasysh fakti se disa grupe të cilët luftojnë kundër presidentit Asad, radhiten si grupe terroriste nga OKB-ja dhe departamenti amerikan i shtetit, intervenimi bëhet edhe më kompleks.
Për këtë shkak gjenerali amerikan Martin Dembsej- këshilltar ushtarak i presidentit Obama-pohoi se një intervenim i tillë do të zhyt SHBA-të në një luftë tjetër në Lindjen e mesme. Kërcënimet e Asadit se në rast sulmi ndaj Sirisë do të ndezë një luftë regjionale pasqyrojnë një skenar të besueshëm, një gjë të tillë paralajmëroi edhe Brzezinski. Në rast sulmi mbi regjimin e Damaskut padyshim se do të sjell destabilizim në rrafshnaltën e Golanit -tampon zona ndërmjet Izrelit dhe Sirisë- dhe në këtë formë konfliktin sirian Asadi do ta transferonte në një konflikt arabo-izraelit, e që në vete bart rreziqe të mëdha.
Ndërsa plani paqësor 6 pikësh i vitit 2012 – Gjeneva I – i iniciuar nga ndërmjetësuesi i atëhershëm Kofi Anan nuk u implementua në praktikë, bisedimet për paqe – Gjeneva II – të cilët filluan muajin e kaluar nuk pritet të japin ndonjë rezultat konkret. Vetëm gjatë ditëve të para të bisedimeve u vranë afër 2000 civilë. Vlen të përmendim se grupi më i madh opozitar “Këshilli kombëtar sirian”, u tërhoq nga “Koalicioni kombëtari i Sirisë” pasi që këmbëngul se Asadi duhet të largohet nga pushteti, kurse në anën tjetër, delegacioni i regjimit sirian në krye me ministrin e punëve të jashtme prioritet në këto bisedime e ka “luftën kundër terrorizmit”.
Padyshim se përgjegjësinë kryesore për ndaljen e luftës në Siri e mban bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht OKB-ja, ajo e cila dekada në parë u zotua se do të ruan paqen, stabilitetin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo regjion të botës. Neglizhimi i çështjes siriane dhe mos marrja e ndonjë veprimi të duhur për të ndal këtë gjakderdhje, prish imazhin dhe kredibilitetin e OKB-së tek popujt e ndryshëm të globit.
Categories