Categories
Lajme FRI

Si do të ndahet buxheti, cilët ministra sa do të harxhojnë?

Niveli më i lartë historik për transferet sociale në njërin nga buxhetet më të mëdha në historinë e vendit prej pothuajse 3 miliardë eurosh. Vitin e ardhshëm mbi 1,3 miliardë euro nga buxheti do të përfundojnë për financimin e sektorit social, transmeton Portalb. Njëkohësisht, investimet kapitale, të cilat duhet ta mbështesin komponentën zhvilluese mbeten pothuajse në nivelin e njëjtë sikurse edhe tani, në rreth 344 milionë euro. Propozuesi i buxhetit thotë se edhe vitin e ardhshëm vazhdon realizimi i projekteve infrastrukturore – mbi 55 milionë euro janë paraparë për infrastrukturën rrugore të Korridorit 10, mbi 21 milionë euro për pjesën e hekurudhës përgjatë korridorit të njëjtë. Për ujësjellës dhe stacione të filtrimit janë paraparë 28,6 milionë euro. Nga ana tjetër, ekonomistët e hapin çështjen se pse niveli i shpenzimeve kapitale nuk është rritur duke pasur parasysh se buxheti i përgjithshëm, në krahasim me atë të këtij viit, është rritur për 5% dhe do të jetë pothuajse 3 miliardë euro. Buxhete më të vogla do të kenë ministrat për drejtësi, ekonomi, vetëqeverisje lokale dhe kulturë, ndërsa buxhet më të madh vjetor do të kenë Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, ajo për Shëndetësi dhe ajo për Arsim.
Kush sa do të harxhojë ….
Sipas analizës së buxhetit të propozuar për vitin 2015, në disa ministri dukshëm janë rritur harxhimet e në disa të tjera janë zvogëluar. “Portalb”-i bën një përmbledhje se cilat ministri sa para do të kenë në dispozicion.
Në buxhetin e sivjetëm të rebalancuar, më tepër para do të ketë kryetari i shtetit, Agjencia për zbulim, Enti shtetëror për revizion, ndërsa më pak para janë paraparë për Komisionin për lustrim, Komisionin shtetëror të zgjedhjeve.
Te ministritë, në krahasim me buxhetin e sivjemë, zvogëlim të shpenzimeve të përgjitshme ka te Ministria për Mbrojtje, Ministria për Transport dhe Lidhje, ndërsa rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ka te Ministria për Financa, e shpenzime më të mëdha janë paraparë edhe në MPB dhe në Ministrinë për Drejtësi.
Harxhimet e ministrive sipas buxhetit të ri të Maqedonisë 2015
Harxhimet e ministrive sipas buxhetit të ri të Maqedonisë 2015
Edhe për vitin e ardhshëm qeveria e rriti buxhetin për mallra dhe shërbime, për sektorin social, për rrogat. Më pak para do të ketë për subvencione dhe transfere, mirëpo nga ana tjetër është rritur sasia e mjeteve buxhetore për pagesën e kamatave që janë rezultat i borxheve për të cilën gjë do të duhet të ndahen rreth 100 milionë euro.
Projektet: Sheshi Skenderbeu, spitale në Tetovë, Shtip dhe në Shkup, gasifikim…
Tetë komuna të vendit duhe të ndajnë 1,5 milionë euro, para të dedikuara për sistemet e ujësjellësit. Për ndërtimin e infrastrukturës në objektet sportive janë planifikuar 4,8 milionë euro, pothuajse po aq sa edhe për projektin strategjik energjetik “Gasifikimi”. Edhe një pjesë e objekteve të projektit “Shkupi 2014” e gjetën vendin e tyre në buxhetin prej pothuajse 3 miliardë eurosh. “Portalb”-i bën një përmbledhje të projekteve që duhet të realizohen vitin e ardhshëm. Ja sa para dhe për çka do të harxhohen:
– Ndërtimi dhe rikonstruimi i konvikteve studentore, projekt që është në kompetencat e Ministrisë për Arsim. Për këtë qëllim, në vitin e ardhshëm, si investim kapital janë dedikuar 752 mijë euro, ndërsa për një periudhë trevjeçare qeveria planifikon të harxhojë 5,6 milionë euro që t’i renovojë konviktet ekzistuese dhe të ndërtojë konvikte të reja. Kjo shumë e parave të planifikuara është dukshëm më e vogël se sa shuma që do të harxhohet për infrastrukturën sportive, ku është përfshirë edhe përpilimi i dokumentacioneve të projekteve, mbikëqyrja, kyçja e energjisë elektrike në objektet sportive. Kështu, për këtë qëllim në vitin 2015 janë planifikuar 4,8 milionë euro, përafërsisht po aq sa është edhe buxheti trevjeçar për ndërtimin dhe rikonstruimin e konvikteve studentore. Për tre vjet për investime në infrastrukturën sportive do të harxhohen pothuajse 12 milionë euro.
-Ndërtimi i sheshit Skënderbeu, projekt që udhëhiqet si aktivitet investues i Ministrisë për vetëqeverisje lokale. Për vitin e ardhshëm, për këtë shesh do të harxhohen 2,6 milionë euro, mirëpo ndërtimi i tij do të vazhdojë edhe në vitet 2016 dhe 2017, për kur janë planifikuar të harxhohen edhe nga 3,1 milionë euro në nivel vjetor, ose gjithsej ndërtimi i sheshit Skënderbeu në tre vitet e ardhshme do të kushtojë 8,8 milionë euro.
– Ndërtimi i spitaleve në Tetovë, Shtip dhe në Shkup, projekt për të cilin është obliguar Ministria për Shëndetësi. Kështu, ndërtimi i spitalit të ri në Tetovë do të zgjasë tri vjet, ndërsa buxheti i përgjithshëm që është planifikuar është 3,1 milionë euro. Për vitin e ardhshëm 2015, për vitin e ardhshëm janë paraparë 700 mijë euro. Për ndërtimin e Qendrës klinike në Shtip dhe kompleksit klinik “Nënë Tereza” në Shkup, projekte të cilat poashtu do të zgjasin deri në vitin 2017, janë planifikuar mjete në vlerë prej 21,5 milionë euro që do të harxhohen në periudhë prej tre vitesh.
– Ujësjellësa dhe kanalizime – tetë komuna të vendit duhet t’i ndajnë 1,5 milionë euro, para të dedikuara për përmirësimin e sistemeve të ujësjellësve. Ka aktivitet do të realizohet me kredi të Bankës gjermane për zhvillim, ndërsa do të përfshihen komuna e Tetovës, Gostivarit, Koçanës, Radovishit, Kavadarit, Manastirit, Gjevgjelisë dhe Negotinës.
– Sistemet e ujësjellësit në Tetovë, Likovë dhe Zajaz – Parashihet ndërtimi i katër krahëve nga sistemi për furnizim me ujë në komunën e Likovës, vazhdimi i ndërtimit të sistemit të gypave të ujësjellësit në gjatësi prej 5 km në komunën e Tetovës, dhe realizimi i fazës së dytë i ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit në f. Kollarë të Zajazit, në gjatësi prej 8 km. Për këtë ndërhyrje janë planifikuar 1,8 milionë euro.
Në buxhetin e ri është planifikuar edhe shumë rekorde e parave për rregullimin plotësues, por edhe për përgatitjen e dokumentacionit projektues për infrastrukturën në Zonat e lira ekonomike. Kështu, në vitin 2015 për këtë qëllim do të harxhohen pothuajse 9 milionë euro. Në buxhet vendin e tyre e gjetën edhe zonat zhvillimore turistike me shumë prej pothuajse 1 milionë euro dhe plazhet në Dojran dhe në Prespë, për të cilat do të ndahen 400 mijë euro.
Sipas qeverisë, buxheti i ri është në funksion të përkrahjes së sektorit privat dhe është i fokusuar në plotësimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.  /Portalb

Exit mobile version