Si që afrohen zgjedhjet lokale ashtu dhe përfliten mënyrat se si mund partitë të manipulojnë me procesin zgjedhor dhe të përfitojnë votat e qytetarëve në mënyra ilegale. Janë këto mënyra të cilat është shumë vështirë të dëshmohen se ekzistojnë ndërsa janë përdorur edhe në vende tjera përpos Maqedonisë.
Në Maqedoni, sikur dhe zgjedhjet e kaluara përflitet mënyra e “Trenit Bullgar” ku sipas profesoreshës universitare Mimoza Ristova e cila para dy viteve ka shkruar për këtë çështje, është e nevojshme të sigurohet vetëm një fletëvotim i pastër.
“Duhet të sigurohet një fletë e pastër e fletës së votimit dhe kjo zakonisht bëhet duke e korruptuar shtypshkronjën e cila i shtyp këto fletëvotime që të shtypë më tepër se sa është ligjërisht e nevojshme. Duke siguruar kështu fletën e pastër, ajo plotësohet me numrin e partisë përkatëse dhe i jepet personit që do të votojë. Sipas procedurës normale gjatë votimit personi merr edhe një fletëvotim. Të plotësuarën e hedh në kutinë votuese ndërsa me tjetrën del jashtë dhe ia jep personit të radhës i cili do ta përsëris procedurën” sqaron profesoresha për emisionin “Në qendër” të Alsat-M, duke shtuar se kështu dhe krijohet ‘lokomotiva’ dhe sigurohen minimum 30 vota.
Më tej, sqaron ajo, teknikën e “unazës kineze” me anë të së cilës fshihet vija e rrethuar me stilograf nga votuesi.
“Këtë e bën zakonisht personi nga Komisioni cili i numëron votat që ka në dorë këtë unazë të sjellë nga Kina, me një lëvizje të dorës ai mund ta fshijë vijën e rrethuar me anë të vajit special që fshin shenjat e stilografit. Kështu që, nga fletëvotimi i vlefshëm, ai kthehet në të pavlefshëm” tregon profesoresha Ristova.
Përpos kësaj, ka dhe metoda të tjera. Portali Ohridsky shkruan se në Ohër tani më jepen letërnjoftime të dyfishta për një person, vetëm e vetëm të shtohet numri i “votuesve”.
“Vetëm për një ditë nga policia e Ohrit janë dhënë madje 600 letra njoftimi të dyfishta. Kjo metodë është përdorur në zgjedhjet e viti 2002, për të është ngritur procedurë penale por për shkak të presioneve ndaj gjyqësorit, vendimi ka qenë pozitiv për kryesin e veprës” shkruan OhridSky.
Madje, thuhet se në Kërçovë dhe në komunat ku partia maqedonase në pushtet qëndron më dobët, dërgohen “banorë” të rinj të cilët pajisen me letërnjoftime  që më pas të votojnë.
“Është fakt i palëvizshëm se përgatitet manipulim me numrin e votuesve në Kërçovë dhe me automatizëm edhe në vendbanimet e tjera, gjë që konstaton se këta persona me adresa vendbanimi të dyfishtë do të keqpërdoren edhe për votim të dyfishtë”, thuhet në reagimin e RDK-së opozitare para disa javëve.
Organizata për luftimin e korrupsionit, “Transparencë Maqedoni” bën me dije se korrupsioni masiv zakonisht në rajonet e varfra bëhet në atë mënyrë që personat nga institucionet përkatëse, për të siguruar vota për partinë e tyre, ua shlyejnë obligimet dhe tatimet e papaguara familjeve të tëra.
“Madje bujqit që nuk votojnë për partinë në pushtet u mohohen në të ardhmen subvencionet shtetërore të bujqësisë” thotë Ana Deleva nga kjo organizatë për REL.
Ndërkaq, potenciale është dhe mënyra të cilën e zbuloi ish TV A1 në vitin 2001 me anë të përpilimit të listave nga partia në pushtet VMRO DPMNE. Sipas asaj që doli në publik, personat e punësuar në administratë, në drejtori të ndryshme apo shkolla kishin “për detyrë” të sigurojnë nga 15 deri më 30 vota për partinë maqedonase në pushtet, përndryshe do të humbasin punën.
Përpos kërcënimeve për humbje të punës, ka dhe vota që sigurohen në bazë të premtimeve, si për shembull nga ajo që zbuloi A1, kur një banore e Shkupit do të siguronte sasinë e caktuar të votave asaj do ti lejohej të kryente mbarësimin artificial.
Afera e tillë u evidentua edhe në raportin e OSBE – ODIHR, për zgjedhjet e vitit 2011.
Me gjasë ka dhe mënyra të tjera, të cilat të gjithë i dinë dhe madje i komentojnë në publik por rrallë kush i denoncon në organet përkatëse. Njëkohësisht, para publikut të gjithë partitë deri më tani flasin se janë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. /Portalb