Categories
Lajme FRI

Si i shkruaj fjalët

Një mik më pyeti se si shkruaj,
A kërkonte formën apo tjetër – nuk e di.
Megjithatë!
I thashë se herë me laps, herë pa të.
Vishem me rrobë të mirë,
Sepse fjalët janë mysafirë!
I pres me durim e nderim të lartë, si shiun bujqit.
Nëse nuk më vijnë, u turrem si pas deleve ujqit!
Në këto fjalë më ke të tërin, pa mashtrim.
Mirëpo të gjithave mundohu t’u gjesh edhe nga një kuptim…
Gjithsaherë kur (nuk) kam disponim të shkruaj fjalë,
Bashkoj qerpikët me qerpikë, dhëmballët me dhëmballë!
E kap veten me dy duart e e shtrydh e e shtrydh.
Çdo neuron e muskul deri në dhimbje e ndrydh.
Sepse, o mik, shkronjat për t’u mbajtur lidh’,
Duan rrip të mirë që as zjarri nuk e zgjidh!
Fjalët duke ardhur ta heshtin çdo qen që në ty leh.
Dhe hapërojnë më me naze se çdo femër që e njeh!
Janë muzë, që sekush si poet e ndien – po si njeri nuk e sheh!
E kur vijnë, rrinë në gishtat e poetit, në çdo teh!
Mikut edhe këto ia dhashë, në të cilat të besojë i thashë:
Nëse fjalët që i shkruaj nuk më pëlqejnë vetëm pak ose edhe më pak,
Me të vërtetë asaj gjelle në atë moment i vë kapak.
Çfarë kam përpara shqyej a thyej, qoftë letër a ekran,
Sepse çfarëdo fjale secilit varg nuk i bën taman!
Para vargjeve rri gatitu me orë e me orë,
Që të tingëllojnë se jo me këmbë, po janë shkruar me dorë.
Mik!
Beso se këto që po t’i them janë të vërteta,
Por ka edhe makijazh, siç i posedon të dyjat edhe vetë jeta!
Jetën në fillim e shava e e shava pse si fjalëtar më përdoroi,
Po u thava e u thava sysh duke qarë nga gëzimi pse kur më tregoi…
Mikut i tregova edhe pjesën përfundimtare,
Për të cilën më tha ta tregoja në fillim, si abetare.
I thashë se ky problem ka njëfarëlloj çare:
Gëzimi është më i dashur kur vjen pas një të qare!
Edhe procesin e të shkruarit ia thashë mikut,
Që dikur e pata marrë prej mësuesit tim, Ashikut.
Laps, letër, fjalë, sy, zemër dhe një element tjetër,
Që ua tregoj vetëm atyre që i kam miq të vjetër!
Ja, kështu i shkruaj! Takohemi kurdo, pse jo?! Patjetër!
Arsim Jonuzi, 13.06.2014
Share ! 

Exit mobile version