Categories
Opinione

Si të dilet nga kriza që ka kapluar Bashkësinë Islame të Kosovës

Rreshtat në vijim janë sekuenca nga Vizioni jonë që patëm botuar në Buletinin e KBI-së në Gjilan. Synimi i vetëm ishte kontributi për një Bashkësi Islame më të qëndrueshme. Asgjë më shumë.
Ekzistojnë një mori problemesh brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Rreth tyre diskutohet vazhdimisht dhe meqë ende nuk ka zgjidhje, me të drejtë kërkohen ndryshime që duhet të ndodhin në strukturën organizative dhe kadrovike të saj. Të brengosur thellësisht por edhe të interesuar që t’i kontribuojnë zgjidhjes së problemeve të akumuluara aty, një pjesë e intelektualëve brenda dhe jashtë saj po bëjnë çdo gjë që është e mundur në favor të përmirësimit të situatës. Siç po flitet, sistemi i ngurtë i instaluar përgjatë dhjetë viteve të kaluara ka ngulfat iniciativat e reja. Demokracia e brishtë fasadë, vetëkënaqësia, mos-transparenca, shqetësimet e brendshme, krizat e vazhdueshme si dhe shumë anomali tjera duket se edhe më tutje po shqetësojnë dashamirët e këtij institucioni.
Jemi dëshmitarë të dy koncepteve krejtësisht të kundërta mes vete. Nga pikëpamja e ri-organizimit secila pretendon se ka të drejtë dhe nëse vazhdohet kështu, që të dyja mund të jenë të dëmshme dhe me pasoja. Linja e parë, me këmbëngulje mbështet status quo-n duke arsyetuar se ka pas vete një mal rezultatesh, ndaj duhet të vazhdohet pa asnjë ndryshim në sistemin e punës. E dyta bazohet në idenë për një qasje të re, ndryshe nga e kaluara dhe këmbëngul për hapjen e horizonteve të reja karshi dinamikave të kohës. Praktikat e gjertanishme tregojnë se pa ndryshime serioze nuk do të ketë qetësi. Po flitet me të madhe se puna ad hoc është tipari kryesor i veprimtarisë së kreut të Bashkësisë Islame. Kjo formë e qasjes ndaj punës, thonë të dytët, mund të arsyetohet vetëm kur dihet se përgjatë dhjetë vjetëve të kaluar asnjëherë nuk janë prezantuar programe qofshin afatmesme. Nga ana tjetër, përderisa linja e dytë po akuzohet për shumë vese të këqija, e që sipas tyre janë forma shantazhi, shpifje dhe strategji të errëta sa për ti eliminuar, e para, duke shfrytëzuar fuqinë e pushtetit këmbëngul në vazhdimësinë e gjendjes së tanishme. Personalisht mendoj se duhet provuar opsionin e tretë; duke ruajtur kapacitetet e gjertanishme kadrovike të krijohet një frymë e re, një sistem i ri, një kushtetutë krejtësisht ndryshe nga kjo që tani është e që nuk respektohet fare. Pra, jo të flitet vetëm për emra se kush duhet të jetë, por të punohet pikërisht në ndryshimin e logjikës së punës. Zërat që kërkojnë transformime nuk bënë të anashkalohen. Nga këtu del se Bashkësisë Islame të Kosovës i duhen infuzione të reja. Është ligj i jetës se njerëzit e njëjtë, me të njëjtat metoda, me krye të njëjtë dhe në kushte të njëjta nuk mund të japin fryte, pos të njëjta. Rezultatet e gjertanishme nuk janë të kënaqshme. Interpretimet e reja si dhe qasjet komform dinamikave të jetës janë imperativ i kohës si dhe dalje nga ky qorrsokak në të cilin është ngulfat Bashkësia Islame.
Xhematlinjtë e Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj që kanë ndjeshmëri ndaj këtij institucioni janë të zhgënjyer. Nesër mund të zhgënjehet edhe shteti jonë. Bashkësia Islame e Kosovës nuk është pronë vetëm e atyre që udhëheqin me te. Ajo është e gjithë qytetarëve që i përkasin asaj dhe që deklarojnë se janë të besimit islam. Andaj, edhe qytetarët por edhe shteti duhet të jenë më të ndjeshëm karshi ngërçit dhe mospajtimeve në Bashkësinë Islame. Krerët e BIK-ut duhet të jenë të vetëdijshëm për gjendjen e krijuar dhe të vetëdijshëm duhet të krijojnë hapësira për qasje serioze të zgjidhjes së këtyre problemeve që u janë krijuar.
Sikur shihet, strukturës udhëheqëse të tanishme të Bashkësisë Islame i mungon cilësia e ndjenjës së kolektivitetit si formë efikase e angazhimit. Veprimtaria e saj, zakonisht dhe në të shumtën e rasteve zhvillohet pa platformë të përgjithshme paraprake. Mungon korrelacioni mes këshillave komunale të Bashkësisë Islame. Raportet horizontale mes komunave fare pak ekzistojnë. Nuk ka vizita të ndërsjella pune, nuk shkëmbehen përvoja e as që obligohen për projekte të përbashkëta nga Kryesia në Prishtinë. Është krijuar një përshtypje se kjo politikë e çuditshme qëllimisht promovohet nga kjo e fundit, sepse, siç flitet, ajo kështu do dhe kështu i shkon për shtati. Diktatet nëpërmes sistemit vertikal, Kryesinë në Prishtinë e ndihmon shumë në kontrollimin, ndërhyrjen dhe menaxhimin jo-demokratik mbi këshillat komunalë edhe ashtu thellësisht të dërmuar nga ky sistem i çuditshëm.
Bashkësisë Islame i mungojnë strategjitë dhe shumë segmente me rëndësi. Protokolli është fjalë e panjohur për te, zyrë juridike nuk ka ndërsa për departamentin e vakëfeve është folur pak por asgjë nuk është bërë. Bashkësisë Islame i mungon instituti për hulumtime teologjike, i mungon organi informativ, mungon sistemi i përgatitjes së ligjëratave unifikuese dhe shumë momente me rëndësi për jetën fetare. Lidershipit të Bashkësisë Islame të Kosovës nuk i shkon mendja të përgatisin ndonjë ekspozitë islame, ndonjë mbrëmje letrare, takim me artistë, poet, sportistë apo me shkrimtarë. Nuk bëhen as takime pune me personalitete shkencore-akademike ku duhej të diskutohej për mundësitë e përbashkëta për hulumtime serioze në fusha të ndjeshme për shoqërinë, shtetin dhe kombit tonë. Historia jonë kombëtare fare pak është e prekur nga dora hulumtuese e njerëzve të saj. Në fakt, në vitin 2011 i është dorëzuar zyrës së myftiut projekti i detalizuar për themelimin e institutit teologjik si dhe kemi përgatitur tekstin për protokollin e Bashkësisë Islame. Instituti do të kishte ndihmuar shumë në promovimin dhe realizmin e këtyre ideve. Arsyetimi për mungesë fondesh dhe hapësirash për punë të institutit ishin të paqëndrueshme dhe banale. Në fakt, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan është i pari këshill në Kosovë që arriti të unifikoj sistemin e shkresave zyrtare, të raporteve të punës si dhe procesverbaleve që dilnin nga mbledhjet. Asgjë nuk botohej pa u lekturuar. Numri i risive në aktivitete ishte tepër i madh për të cilat është shkruar në Buletinin që patëm botuar. Në ndërtesën e rinovuar të Këshillit, ishin përgatitur dy zyrë, enkas për studiues që vinin nga jashtë Bashkësia Islame. Aty debatohej, shkruhej ku dhe propozoheshin programe në të mirë të gjithë qytetarëve. Edhe pse ishim të vetëdijshëm se mënyrat të reja të shikimit të gjërave hasin në kundërshti shumë herë të pathyeshme, ne megjithatë vazhduam nga puna. Në fund, KBI në Gjilan ra viktimë e qëndresës betonike kundër ndryshimeve. Risitë u ballafaquan me sistemin e vjetër të mbështetur tmerrësisht nga qendra e BIK-ut në Prishtinë. Andaj themi se problemi kyç në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk janë gjithaq njerëzit, por është sistemi i cili domosdo duhet ndryshuar.
Përgjatë përvojës sonë në Bashkësinë Islame jo vetëm si pjesë e saj por edhe si djalë i një familje ku vlerat intelektuale dhe islame janë çmuar në masë të madhe, kam mësuar se krahas karakterit fetar dhe njerëzor të sinqertë duhet të ekzistojnë edhe vullneti, aftësia, ambicioziteti dhe puna e palodhshme në ekip. Diferencimet dhe etiketimet si mjet për diskreditimin dhe shantazhimin e kuadrove nuk duhet të gjejnë vend në vokabularin e krerëve të Bashkësisë Islame. Nepotizimi ekstrem po damkos institucionin më të lartë islam të vendit. Këto janë damka të zeza që edhe më tutje po zbehin imazhin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Vizioni ynë është shumë i qartë; Institucioni i Bashkësisë Islame duhet të transformohet ashtu që të jetë i gatshëm për epokën e re me sistem të ri dhe i ndihmuar edhe nga njerëz të rinj. Shikuar nga totali i shoqërisë, Bashkësia Islame e Kosovës ka ngecur në aktivizimin e shumë potencialeve shoqërore, intelektuale dhe si pasojë, problemet po rriten. Rinia e Kosovës është lënë në margjina, aq më shumë femra kosovare. Deri më tani nuk është treguar gatishmëri e mjaftueshme që rinisë dhe gruas ti hapen rrugët për të qenë promotorë në aktivitete të gjithëmbarshme shoqërore. Rinia e këtij vendi është lënë në dorën e disa “edukuesve” të cilët në mungesë të përvojës dhe dijes rininë mund ta dëmtojnë. Nëpër xhamitë tona ka plot rini, por sa po shfrytëzohen ato kapacitete? A ka të përgatitura Bashkësia Islame programe, projekte apo platforma të qëndrueshme për të ardhmen e saj. Bashkësia Islame e Kosovës duhet të ndjehet keq karshi këtyre lëshimeve kaq të rënda. Sa i flitet rinisë me gjuhën që e kupton, sa dëgjohet zëri i saj, brengat dhe nevojat, apo edhe më tutje i flitet me vokabularin e demoduar, të vjetër, kërcënues dhe pa energji pozitive. Në mungesë të një strategjie për ligjërime efektive për kohën, në mungesë të seminareve të rregullta për imamët që duhej të ishin përgatitur nga Bashkësia Islame, rinia e Kosovës shpesh herë po bie pre e ideve dhe ideologjive që aspak nuk na nevojiten. Edhe imamët ndjejnë nevojën e përkujdesjes së institucionit të cilit i takojnë. Është e pavërtetë deklarata se po punohet me kuadrot që shkollohen jashtë shtetit dhe kur kthehen, kinse u mbahen ligjërata dhe seminare. Dëshmitarët më të mirë për realitetin janë vet këto kuadro. Në fakt, posa kthehen ato kuadro fillojnë nga ligjërimet, aktivitetet dhe çdo gjë që kanë sjellë nga jashtë, këtu brenda e promovojnë. Në situatë të njëjtë është edhe gruaja. Është e çuditshme dhe e pa-justifikueshme mungesa e prezencës së saj nëpër aktivitete shoqërore. Vetëm një numër i vogël nga të shkolluarat në medrese dhe FSI kanë mund të inkorporohet në rrjedhat e shoqërisë. Fajtorë është mungesa e nj koncepti gjithëpërfshirës bartës i të cilit do të duhej të ishte Bashkësia Islame. Jemi të prirë të besojmë se duhet të hapen edhe më shumë horizonte për femrën që të jap  kontributin e saj në shoqëri. Për tu realizuar kjo, Bashkësisë Islame të Kosovës i duhen njerëz që dinë të promovojnë vlera dhe të gërshetojnë mësimet islame me nevojat e jetës të cilën po e jetojmë.
Është koha e fundit që BIK-u të kthehet apo të transformohet në esencën e misionit që ka. Është e papranueshme që ai të vazhdojë me imponimin e një mentaliteti i cili e ngulfat kreativitetin e të gjithë atyre që besojnë e mendojnë se me cilësi të ngritura kulturore e intelektuale, kjo organizatë mund të jetë një motivuese edukative e shpirtit të popullit tonë. Bashkësia Islame, duhet të jetë një model i gërshetimit të vlerave intelektuale, kulturore, edukative, nacionale e shpirtërore. Vetëm si e tillë, ajo mund të jetë një bartëse e rëndësishme e një mënyre të shëndoshë jetese për popullin tonë, në vend të vetë-mbylljes si skemë e prirjeve personale e të dëmshme.

Exit mobile version