Categories
Lajme

Si të marrësh një diplomë në Shqipëri

Historia e blerjes së diplomës në Shqipëri nga Renzo Bossi, për 77 mijë euro, ka ndezur debatin mbi blerjen e diplomave nga qytetarët italianë”. Kështu shkruan sot “Giornaletissmo”, në një raport kushtuar blerjes së diplomave në Shqipëri, nga studentët italianë.
Një nga emisionet më të ndjekura në Itali, “Italiauno Lucignolo 2.0”, duke marrë shkas nga deklaratat e ministrit tonë të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pak ditë më parë deklaroi për “Radio 24” se ka me dhjetëra studentë italianë, të cilët kanë marrë diploma pa i ndjekur leksionet, dhe të gjithë këta po hetohen, ka investiguar mbi këtë çështje.
Gazetarët e këtij emisioni janë futur edhe në një nga universitetet më të përfolura për blerjen e diplomave në vendin tonë, pikërisht në universitetin “Kristal”.
Me qindra studentë italianë kapërcejnë brigjet e Adriatikut për t’u bërë mjekë, infermierë, dentistë etj. Ka nga ata që i ndjekin rregullisht leksionet, sikundër ka dhe nga ata që shkojnë vetëm për t’u regjistruar e më pas e marrin diplomën pa qenë fare prezentë në auditoret e fakulteteve. Shembulli më i mirë, për rastin e fundit, është ai i Renzo Bosssit, djalit të Umberto Bossi-t, ish-kreut të “Legga Nord-it”, i cili pagoi 77 mijë euro për të përfituar një diplomë në universitetin “Kristal”, në Shqipëri.

“Në qoftë se paguan, mund të kesh gjithçka”, -shprehet një e re shqiptare, e pyetur nga gazetarët e “Italiauno Lucignolo 2.0”. “Edhe diplomën?”, -pyetet më tej vajza. “Po, sigurisht”, -thotë ajo.
Kamerat e “Italiauno” janë futur në ambientet e universitetit “Kristal”, ku mes shumë studentësh shqiptarë, ka edhe me dhjetëra italianë.
“Nuk kam bërë asnjë test këtu, thjeshtë jam regjistruar dhe po ndjek leksionet, por dua ta mbaj private këtë gjë”, -shprehet një nga studentët italianë.
“Po përpiqem të marr atë diplomë të mallkuar, e cila ka qenë gjithmonë aspirata ime, por që për fat të keq në Itali nuk ma kanë dhënë”, -thotë një tjetër italian.
Ka dhe nga ata studentë italianë, të cilët e “justifikojnë”  rastin Bossi.
“Nuk mund të ketë dy mijë regjistrime për 25 vende. Nuk e di a i shikojnë universitetet në Itali? Sa skandale ka pasur atje? Vetëm për një diplomë që mori Bossi….Ai ka para! Iu lejua, pa e bëri”, -shprehet i riu italian, i cili studion aktualisht në të njëjtin universitet, ku mori diplomën Renzo Bossi.

Në “Kristal” gazetari italian flet me rektorin, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Romë, Leontiev Çuçin. Faktin që italianët shkojnë në masë në Shqipëri, rektori e shpjegon me faktin që atje kushton më pak, madje bëjnë edhe zbritje nga tarifat nëse paguan dy-tre vjet shkollë bashkë. Çuçi shpjegon se nëse në Itali, për të studiuar për mjekësi të duhen rreth 12 mijë euro, në Shqipëri të duhet gjysma e kësaj shume, vetëm pesë ose gjashtë mijë euro.
Por gazetari Mirton Resuli, thotë se nuk duhet përgjithësuar rasti, sepse jo të gjithë universitetet në Shqipëri janë të skaduar, ka dhe disa shumë të mirë thotë ai./Shekulli

Exit mobile version