Categories
Lajme FRI

Si të zhvilloni empatinë te fëmijët

Çfarë do të thotë të thurësh empati? Pse është kaq e rëndësishme t’i mësoni fëmijës empatinë ? Si mund ta mësojmë atë?
Çfarë do të thotë empati
Të pranoj faktin se të tjerët janë të ndryshëm nga unë;
Të kuptoj se të tjerët mund të mendojnë dhe të ndjejnë gjëra të ndryshme nga unë;
Të kuptoj ndjenjat si lumturi, habi, zemërim, zhgënjim, mërzi;
Të mund të vendos veten në vendin e tjetrit dhe të përpiqem të kuptoj çfarë ndjen ai;
Të qetësoj personin përballë meje duke njohur gjërat për të cilat ka më shumë nevojë.
Si zhvillohet
Baza e empatisë hidhet në vitet e para të jetës. Përkujdesja, dhembshuria dhe dashuria e treguar nga nëna ndaj fëmijës e bën atë më të ndjeshëm ndaj mjedisit përreth. Një nënë e cila mendon për fëmijën e saj, ia plotëson të gjitha nevojat që ka, e zhvillon atë jo vetëm nga ana emocionale por edhe nga ana mendore.
Pjesa e njohur si truri i djathtë është përgjegjëse për empatinë. Viti i parë i jetës është kritik për zhvillimin e trurit të djathtë. Fëmijët të cilët gjatë vitit të parë e ndjejnë veten të sigurt, të rëndësishëm dhe të mbrojtur, arrijnë të thurin empati me njerëzit dhe mjedisin përreth. Në këtë mënyrë hidhen bazat e ndjenjave të dhembshurisë dhe ndërgjegjes.
Në muajt 18-24  zhvillohet koncepti “unë”. Vetëm fëmijët të cilët mund të thonë “unë” arrijnë të bëjnë dallimin unë-ti. Për këtë arsye, para moshës 2 vjeç e kanë shumë të vështirë të mendojnë dikë tjetër përveç vetes.
Si mund ta ndihmoni
1. Tregojini empati fëmijës suaj me fjalë si “Ke frikë të hipësh te kjo kolovajza? Duket zbavitëse, por edhe e shpejtë. Mund të jetë e frikshme. Hajde hipim te kjo që është më e vogël”.
2. Tregojini çfarë ndjejnë të tjerët. “Motra jote u mërzit sepse ia more lodrën nga duart. Të lutem jepja lodrën tani dhe të zgjedhim një tjetër për ty”.
3. Bëhuni ju shembull . “Hajde të lyejmë plagën e shokut”.
4. Zhvilloni ndërgjegjësimin e lidhur me ndjenjat. Tregojini fytyra të cilat shprehin ndjenja të ndryshme, lexojini përralla.
5. Mund të bëheni shembull i empatisë me anë të marrëdhënies suaj.
6. Ndihmojeni të kuptojë veten, si p.sh. le ta njohë veten në pasqyrë.
7. Mund ta ndihmoni të dallojë veten nga ju duke përdorur gjuhën “unë”. “Nuk dua të më qëllosh. Më dhemb shumë kur më qëllon”.
8. Lëreni të përjetojë edhe ndjenja të dëmshme si zemërimi apo mërzia, sepse edhe këto ndjenja janë një pjesë e jetës dhe ai duhet të mësojë si t’ia dalë me to. Nëse përpiqeni ta lumturoni vazhdimisht, atëherë nuk do ta mësoni të kontrollojë ndjenjat e dëmshme. Nuk mund të kuptojë ndjenjat e një shoku të zemëruar. Nëse nuk dëshironi që ai të shikojë një film të caktuar vizatimor, atëherë shprehjani ndjenjat e tij ndërkohë që fikni televizorin. “E di që je zemëruar nga fikja e televizorit. Të kuptoj, por nuk dua që ti ta shikosh këtë film. Kur të qetësohesh do të luajmë lojën tënde të preferuar”.
9. Rastet e mosndarjes së gjërave me shokët e tij mund t’ia përdorni gjatë lojës. P.sh. nëse atë ditë ka marrë me forcë lodrën e shokut dhe e ka bërë të qajë, bëjeni edhe ju të qajë duke u bërë si ai. Lëreni të flasë për ato që ndjen dhe ndihmojeni të gjejë sjelljen e duhur.
10. Mos e sforconi fëmijën të thotë “më fal”. E rëndësishme është kuptimi i gabimit dhe jo përdorimi i këtyre fjalëve.
11. Zhvillimi i empatisë bëhet me kohën dhe ngadalë. Krahas kësaj, mos harroni se egoizmi është pjesë e fëmijës. Kufizoni pritshmëritë tuaja deri në moshën 3-vjeçare. Pastaj, ne njohim edhe shumë të rritur të cilët akoma nuk kanë hequr dorë nga egoizmi.
/Start/

Exit mobile version