Paralelisht me nxitjen dhe zhvillimin e shprehive higjienike, të punës dhe kulturës së sjelljes, tek fëmijët duhet zhvilluar edhe shprehitë “fetare”.
Me këtë nënkuptohet thënia e Besmeles para ushqimit, veshmbathjes ose para fillimit të çdo pune të mbarë, leximi i lutjeve të shkurtra e deri te falja e namazit dhe të praktikuarit e agjërimit.
Autor: Prim.med.dr.sci. Ali Iljazi
Në Islam, zhvillimi i shprehive fetare është në lidhje të ngushtë me shprehitë higjienike (larja e duarve para dhe pas ngrënies, larja e dhëmbëve pas bukës, larja e trupit, marrja e abdesit). Në shprehitë fetare bën pjesë edhe edukata e mirë, komunikimi dhe sjellja me të tjerët, të folurit dhe sjellja e bukur, si dhe kryerja e obligimeve të caktuara, andaj për këtë nevojitet t`i kushtohet kujdes i veçantë, përpos arsyes kryesore, gjegjësisht formimit të personit të qëndrueshëm dhe të nënshtruar ndaj Zotit.
Duke u nisur nga hadithi, i cili thotë se të gjithë fëmijët lindin në natyrshmërinë islame, mund të përfundojmë me të drejtë se ky është mendim i shkëlqyer për formimin e shprehive fetare tek fëmija nga vegjëlia, gjegjësisht që Allahu i Madhërishëm, prindërve u ka lehtësuar në masë të madhe edukatën (fetare) te fëmijët e tyre. Pra, fëmijët në natyrën (fitren) e tyre e kanë të mbjellë ndjenjën e dhuruar nga Zoti dhe nevojën për besim në një Zot.
Pra, si parakusht për formimin e suksesshëm të shprehive fetare te fëmijët, mbeten vetëm prindërit dhe shprehitë e tyre fetare. Pasi që shembulli individual i prindërve është mjeti edukues për zhvillimin e cilësive pozitive të personalitetit tek fëmijët, kështu nga shprehitë dhe kryerja e rregullt e obligimeve fetare të prindërve, varet edhe zhvillimi i traditave fetare tek fëmijët.
Preferohet që sa më herët fëmijëve t`u mundësohet t`i shikojnë prindërit përderisa marrin abdes, duke i imituar. Prapëseprapë, në vetëdijen e fëmijëve do të regjistrohen lëvizjet të cilat i bëjnë prindërit e tyre, kështu që me lehtësi edhe vetë do t`i imitojnë e në fund do t`i kryejnë në mënyrë të pavarur ato obligime. Preferohet që prindërit, përderisa marrin abdes, me zë të flasin për atë që bëjnë – sa herë dhe si duhen larë duart, fytyrën këmbët, etj. Më vonë, munden me zë t`i lexojnë lutjet gjatë marrjes së abdesit. Ndërkohë, që të mos ndihet i tepërt fëmija, përderisa prindi merr abdes, ai mund t`ia japë sapunin, pastën për dhëmbë, t`ia mbajë peshqirin dhe gjëra të ngjashme, duke i ndihmuar kështu prindit. Fëmija në këtë mënyrë ndihet i rëndësishëm dhe pjesëmarrës i një situate, pra nuk është i privuar dhe pasiv. Dikur më vonë, prindi mund t`i propozojë fëmijës që së bashku të marrin abdes. Ngjashëm është edhe me formimin e shprehive tjera higjienike.
Në lidhje të ngushtë me shprehitë higjienike, janë edhe ato të punës, sepse pasi të rritet pak, fëmija mund të kujdeset për familjen dhe nevojat e saj. Në këtë mënyrë, të fëmija formohet rregulli dhe ndjenja e përgjegjësisë. Me kujdes të përhershëm për vete dhe mjedisin jetësor, prindërit duhet t`i japin fëmijës udhëzimet për sjelljet e ardhshme të tij. Kur babai ose nëna veshin rroba të pastra, fëmijës mund t`i shpjegojmë se Krijuesi ynë – Allahu i Madhërishëm, e do pedanterinë, pastërtinë dhe bukurinë. Fëmijës duhet t`i tërhiqet vërejtja se kjo pedanteri nuk bëhet për pëlqimin e të tjerëve, por për atë se Zoti ynë dëshiron që me pamjen e bukur t’u japim shembull të tjerëve. Pra, në këtë mënyrë shprehitë higjienike dhe fetare gërshetohen.
Prindërit duhet t`ia tërheqin vëmendjen fëmijës edhe në obligimin që para kryerjes së namazit duhet të jemi të pastër, si në petka ashtu edhe në vendin ku falemi. Kështu, dalëngadalë, e fusim fëmijën në parakushtet e kryerjes së namazit.
Krahas me mësimin e vjershave të shkurtra, numërimit, etj. fëmijëve duhet t’u mësojmë kaptina të shkurtra nga Kurani fisnik. Para kësaj, fëmijës i nevojitet të mësojë përshëndetjen islame duke e praktikuar në shtëpi. Është tejet me rëndësi që fëmija, sa më herët të mësojë fjalën Bismil-lah para bukës dhe Elhamdulil-lah pas bukës.
Në shprehitë fetare bën pjesë edhe dhënia e përparësisë anës së djathtë në kryerjen e punëve të dobishme, p.sh. gjatë ushqimit, veshjes, hyrjes në shtëpi, në gjumë, etj. Prindërit, një sjellje të tillë duhet ta lavdërojnë, bile edhe ta shpërblejnë, në mënyrë që fëmijës t`i hyjë në qejf. Kryerja e rregullt e namazit nga ana e prindërve, është themel që fëmijët të mësohen herët me këtë obligim fetar.
Posaçërisht atmosfera festive gjatë Ramazanit do të ngulitet në mendjen e fëmijës dhe më vonë do të kontribuojë në të praktikuarit e agjërimit.
Fëmijëve duhet dhënë shpjegime racionale

Në shprehitë fetare bën pjesë edhe largimi i të gjitha gjërave të palejuara në Islam. Kështu, fëmija që nga vegjëlia mësohet se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të konsumojnë, të punojnë, të bisedojnë, etj. Prindërit, të cilët e mësojnë fëmijën se në Islam është e ndaluar ajo çka është e dëmshme, e në atë rast vetë konsumojnë nikotinë, janë kundërthënës dhe mund të shkaktojnë konfuzion në kokën e fëmijës. Mjerisht, shumë prindër në pyetjen përse është i ndalur konsumimi i mishit të derrit, nuk dinë të japin shpjegime. Për këtë, vetë prindërit duhet në mënyrë të përhershme të edukohen dhe të mundohen që fëmijëve të tyre t`u shpjegojnë gjërat në mënyrë adekuate.
Në anën tjetër, kjo nuk do të thotë se fëmijët duhen izoluar tërësisht nga ndikimet e jashtme. Përkundrazi, me shembuj fëmijëve duhet dhënë argumente dhe shpjegime racionale si dhe përgjigje relevante lidhur me ndalesat e caktuara në Islam. Sepse, nëse fëmijës i përsëritet vazhdimisht diçka që është e ndaluar dhe që nuk duhet bërë, duke mos i dhënë për këtë kurrfarë shpjegimi, përpjekjet tona të tilla që fëmijës t’i mësoni diçka, mund të shkaktojnë vetëm efekt të kundërt.
Traditat fetare janë pjesë përbërëse e moralit të njeriut, personalitetit gjithëpërfshirës së tij, mënyrës se si sillet ndaj të tjerëve, cilësitë pozitive të personalitetit që ka ndërtuar, etj.
Vetëm fëmija, i cili nga vegjëlia është mësuar të bëjë detyra të caktuara dhe këto bëhen pjesë përbërëse e ekzistencës së tij, më vonë do të jetë rezistues ndaj ndikimeve negative të shoqërisë. Dhe sado që jeta e tij ndoshta do të lëvizë në kahje tjetër, kur të rritet, ai përsëri do të kujtojë fëmijërinë, do të kujtojë fjalët të cilat ia ka thënë babai dhe nëna, si janë sjellë ata dhe do të turpërohet të tradhtojë mundin e tyre. Për këtë është me rëndësi jetësore që prindërit të sillen me shembull dhe t`i kryejnë obligimet e tyre, sepse nga kjo në masë të madhe varet se si do të sillen fëmijët e tyre kur të rriten.