Publikohen një numër i madh dokumentesh jashtëzakonisht tronditëse, që do të hapin rrugën e procedimit të Beshar Esadit, liderit me duar të përgjakura të Sirisë, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës.
Me dhjetëra-mijëra fotografi vërtetojnë se regjimi i Esadit ka vrarë nëpërmjet torturave të ndryshme mijëra njerëz, të cilët mbaheshin në paraburgim.
Fotografitë në fjalë janë nxjerrë nga një agjent me kodin “Sezar”, identiteti i të cilit mbahet anonim dhe ka punuar si efektivë i policisë ushtarake në ushtrinë e regjimit të Esadit. “Sezari” u ka dhënë opozitarëve mijëra fotografi, që i ka nxjerrë ndër vite gjatë detyrës së tij.
Falë përpjekjeve të opozitarëve sirianë, në Britaninë e Madhe u ngrit një komision special, që formohet nga juristë ndërkombëtarë të specializuar në krimet e luftës dhe krimet ndaj njerëzimit, por edhe nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe fotografive, që përbëjnë prova materiale.
Emri më i famshëm i këtij komisioni është Sir Desmond Lorenz de Silva, ish-kryeprokurori i Gjykatës së Posaçme të OKB-së për Krimet e Luftës në Sierra-Leone dhe firmëtari i urdhërarrestit për presidentin e atëhershëm të Liberisë, Çarls Tejlër.
Një tjetër anëtar i rëndësishëm i komisionit special të ngritur në Britani është edhe Prof. Dr. Deivid Krein, kryeprokurori i parë i Gjykatës së Posaçme të OKB-së për Krimet e Luftës në Sierra-Leone dhe përpiluesi i aktakuzës ndaj ish-presidentit të Liberisë.
Origjinaliteti i fotografive shokuese u analizua në një laborator të sofistikuar në Angli dhe u arrit në përfundimin se të gjitha materialet janë të vërteta dhe pa asnjë ndërhyrje.
Në fund të analizave, komisioni special konstatoi se viktimat kanë pësuar tortura sistematike, janë torturuar me duar dhe këmbë të lidhura, madje janë mbytur me mjete të ndryshme si rripa, tela, kabllo dhe rripa transmisioni (të makinave).
Arsyeja kryesore e fotografimit të gjithë këtyre kufomave është domosdoshmëria për të provuar zbatimin e urdhrit të ekzekutimit.
Komisioni special ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e agjentit me kodin “Sezar”, i cili ka nxjerrë gjithsej 55.000 fotografi dhe pranohet si dëshmitar okular, menjëherë pasi ky i fundit është arratisur nga Siria. Në pyetje janë marrë edhe dëshmitarë të tjerë.
Pasi vendosi që materialet në fjalë janë “prova të forta” në çështjet gjyqësore, që do të hapen ndaj regjimit të Esadit për “krime kundër njerëzimit” dhe “krime lufte”, komisioni special i përmblodhi të gjitha hetimet në një raport, që u nënshkrua nga të gjithë anëtarët.
Categories