Categories
Lajme

Sirianët s’kanë nevojë për shqiptarë, kanë nevojë për bukë

Shqiptarët nuk i duhen Sirisë
“Gati të gjithë që kanë kapur armët këtu tek ne janë sirianë. Shqiptarët, apo të tjerët nuk na duhen. Kemi mjaft ushtarë që duan kallashnikov, por këto armë nuk na kryejnë shumë punë. Nëse jeni aq humanistë dhe nëse dëshironi ta ndihmoni popullin sirianë, organizohuni dhe na ndihmoni në kampet e të ikurve nga bombardimet. Secili nga ju keni rroba të tepërta në shtëpi. Keni mjek të shumtë, mësues… fëmijët presin ndihmën e dikujt që ka mundësi të zbusin dhimbjet…”, thotë komandanti i Ushtrisë së Lirë të Sirisë në Idlib
Vedat MEMEDALIU, Idlib – Siri
(vijon nga numri i kaluar)
Idlib, – Para shpërthimit të luftës civile në Siri, rajoni nga Alepo deri në kufirin me Turqinë – ishte i mbjellur i tëri me ullinj. Tani, gati dy vite nga lufta, në këtë territor nuk ka mbetur asnjë pemë ulliri. “Janë prerë vitin e kaluar, pasi njerëzit nuk kishin me çfarë të ngrohen”, na thotë një komandant lokal i Ushtrisë së Lirë të Sirisë, që na shoqëronte drejt kampit të fëmijëve-jetimë në Idlib. “Dimrin e kaluar, rrugës shihnim duke vdekur shumë civilë nga i ftohti. U prenë të gjithë drunjtë dhe ngrohti sërish mungonte. Me tenda ftohti nuk mbrohet”, thotë shoqëruesi ynë sirian që nuk pranon të identifikohet për gazetë.
“Ulliri në këtë pjesë ka qenë burimi kryesor i ekonomisë për familjet sirianë në këtë pjesë. Deri para luftës, sirianët e Idlibit, Alepos, Manbij, Ariha… ullinjtë i konsideronin pjesë të familjes, pasi nga ulliri siguronin kafshatën e bukës. Sivjet, civilët nuk kanë se me çfarë të ngrohen dhe për këtë arsye, do të vërshojnë drejt Turqisë”.
Pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë të Sirisë dallohen me uniformën jeshile që kanë, ndërkohë që me shumë vështirësi përparojnë në marrjen e territoreve të reja. “Na pengojnë ata të Xhabhat al-Nusras. Gjuajnë edhe kundër nesh. Na e ka bllokuar korridorin drejt Alepos, pengojnë edhe ndihmat drejt civilëve. Na akuzojnë se na mbështet Perëndimi dhe Amerika, sikur nuk luftojmë për rrëzimin e regjimit të Asadit”, ankohet komandanti i ULS-së. Ai tregon se në Alepo, në njësitin Xhabhat al-Nusra janë grumbulluar të gjithë islamikët radikal që kanë vijën e njëjtë veprimi me Al-Kaedën. Këtë e konfirmojnë edhe vullnetarët humanitarë që veprojnë brenda territorit të Sirisë.
“Qasje për të dërguar ndihma kemi në dhjetëra kampe në territoret që kontrollohen nga Ushtria e Lirë e Sirisë, ndërkohë që atje ku veprojnë radikalët, nuk mund të hyjmë. Situata me ushqimin është e tmerrshme. Së fundmi, dijetarë islam kanë lejuar ngrënien e mishit të qenit dhe maceve pasi njerëzit po vdesin nga uria! Është e tmerrshme kjo që po ndodhë”, tregon një vullnetarë humanitar, i cili na rrëfen se muaj më parë, pjesëtarë të Xhabhat al-Nusras penguan konvojin e ndihmave nga një organizatë e Malajzisë, ndërkohë që vranë shoferin e kamionit – civilë sirianë.
“Para syve të humanitarëve nga Malajzia, ata të al-Nusras vranë shoferin sirianë, i cili kishte vendosur t’i dërgojë ndihmat drejt Alepos. E vranë sepse e akuzuan se po ndihmon ata që nuk punojnë me sheriat! I rrëmbyen humanitarët për dy javë me radhë, por falë presionit nga Malajzia dhe Turqia, u lanë të lirë pas 15 ditësh”.

Në Siri, ashtu siç rrëfejnë pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë të Sirisë, janë futur grupe të ndryshme pothuajse nga të gjitha vendet e botës! Rusë, iranianë dhe Hezbollahu po luftojnë në krah të Asadit – ndërkohë që njësitet të dyshuara si ekstreme islamike kanë formuar njësitet e veta dhe nuk pranojnë të veprojnë nën komandën e Ushtrisë së Lirë Sirianë të njohur ndërkombëtarisht si opozitë e regjimit.
“Grupet si Xhabhat al-Nusra po pengojnë edhe intervenimin ndërkombëtar si ushtarakisht, ashtu edhe humanitarët në Siri. Veprimet e tyre me publikimet në internet ku masakrohen njerëz, qofshin edhe ushtarë të Asadit, kanë bërë që bashkësia ndërkombëtare të mendohet për një intervenim të shpejtë në Siri. Në fakt, veprimet e këtilla nuk i dallon ushtarët që luftojnë kundër regjimit me masakrat që po kryen Asadi kundër popullatës siriane”, thotë përfaqësuesi i ULS-së.
Ushtarë shqiptarë nuk na duhen, na duhet humaniteti i tyre
Siria ka një popullsi prej 22.5 milionë banorësh! Më shumë se gjysma e territorit është përfshirë nga lufta civile. Qytete dhe fshatra të tëra janë shndërruar në gërmadha në vendet ku luftimet vazhdojnë sot e kësaj dite. Jeta ka humbur kuptimin në Alepo, Latakia, Idlibi, Al-Raqah, Hama dhe Homsi, qytete të mëdha ku bombardimet e regjimit të Asadit nuk ndalen për asnjë ditë. Pjesë më e madhe e këtyre qyteteve tashmë ndodhet në duart e opozitës! Edhe njësitet kurde kontrollojnë territore, sidomos në ato pjesë ku edhe banojnë – në Idlib, Azaz, Jarabuluz…
“Nuk arritëm të organizohemi si duhet! Po tentojmë që edhe grupet tjera që veprojnë në Siri, të kemi një komandë të përbashkët. Është vështirë që arrijmë këtë, por me ndihmën e Zotit, do të bashkohemi. Qëllimin e kemi të njëjtë – ta largojmë pushtetin aktual që po masakron popullatën siriane”, thonë përfaqësuesin e ULS-së. Në ULS, komandanti lokal i njësitit në Idlib siguron se asnjë shqiptarë nuk vepron bashkë me ata!
“Gati të gjithë që kanë kapur armët këtu tek ne janë sirianë. Shqiptarët, apo të tjerët nuk na duhen. Kemi mjaft ushtarë që duan kallashnikov, por këto armë nuk na kryejnë shumë punë. Nëse jeni aq humanistë dhe nëse dëshironi ta ndihmoni popullin sirianë, organizohuni dhe na ndihmoni në kampet e të ikurve nga bombardimet. Secili nga ju keni rroba të tepërta në shtëpi. Keni mjek të shumtë, mësues… fëmijët presin ndihmën e dikujt që ka mundësi të zbusin dhimbjet. Na duhen ilaçe, gjithçka që ndihmon civilët të harrojnë tmerret e luftës. Ushtarë sa për ta ushqyer dhe për t’i dhënë një kallashnikov, jo nuk kemi nevojë. Kemi mjaft ushtarë”, thotë komandanti i njësitit në Idlib. Ose, na sjellni aeroplan ushtarak, nëse keni, vazhdon me humor shoqëruesi ynë i ULS-së.
Gratë lindin rrugëve
Në Idlib dhe në vijën kufitare me Turqinë janë ngritur më shumë se 30 kampe-tendash. Rrugës në thellësi të Sirisë, IHH në bashkëpunim me Qeverinë turke, atë të Jordanit dhe shoqata të ndryshme si “Umah” e Britanisë së Madhe, “Kishat e Bashkuara” të Belgjikës dhe Holandës po strehojnë të ikurit aty ku mundet. Shekil, shtetas britanik, thotë se shoqata që drejton ai ka grumbulluar ilaçe dhe furgonë të Ndihmave të Shpejta.

“Ndihmat tona kryesisht janë në ilaçe. Kemi sjellë dhjetëra furgonë të Ndihmave të Shpejta. Refugjatët kanë nevojë edhe për më shumë kujdes mjekësor. Gratë po lindin rrugëve. Ka shumë foshnja të vdekur, ndërsa pjesën më të madhe e ka kapluar epidemia nga uji i helmuar dhe burime tjera ushqimore. Veprojmë vite të tëra si organizatë humanitare, por këso tmerri nuk na ka ndodhur të shohim askund në botë”, tregon shtetasi britanik që po ndihmon në Siri bashkë me shumë organizata tjera humanitare. Ai ankohet për presion të vogël ndërkombëtar ndaj qeverisë së Sirisë, e cila po bllokon kanalet për depërtimin e ndihmave për civilët. “Bota ka mbyllë sytë ndaj masakrës që po bënë qeveria e Asadit. OKB-të nuk janë aspak të zëshme në atë që po ndodhë këtu në Siri! Turp për ato vende që po mbështesin në heshtje vrasjen e popullit sirianë”, thotë i irrituar Shekil.
Ndihmojmë gjithandej ku ndjehet nevoja
Husein Oruc, zëvendëspresident i IHH-së, tregon për gazetën KOHA se, në bashkëpunim me dhjetëra organizata tjera humanitare, po mundohen që sadopak të zbusin vuajtjet e refugjatëve sirianë. Kjo organizatë nën menaxhim ka dhjetëra kampe refugjatësh brenda dhe jashtë Sirisë, ndërkohë që apelon për ndihmë humanitare në ushqim, veshmbathje dhe ilaçe. “Brenda Sirisë po ndihmojmë refugjatët duke u siguruar një tendë mbi kokë dhe bukë. Nevoja më e madhe është sigurimi i ushqimit. Njerëzit po vdesin për një kafshatë buke, për një pikë uji. Me ndihmën e shumë organizatave ndërkombëtare, punën e parë që kemi filluar është hapja e bunarëve për ujë, sigurimi i ushqimit dhe tendat për strehim! Por, megjithëse lufta civile me gjasë do të zgjasë edhe për shumë vite, ne duhet të jemi në krahë të nevojtarëve, atyre që po lënë shtëpitë e tyre dhe po ikin nga bombat”, thotë Oruç, i cili tregon se në IHH, ndihma sjellin më shumë se 60 shoqata nga të gjitha vendet e botës. Organizata në fjalë, në qytetin Rayhanlë tashmë ka ndërtuar furrën gjigante të bukës, ku për çdo ditë përgatiten nga 200 mijë simite-buke për 400 mijë refugjatët që gjenden në Turqi dhe brenda territorit sirianë.
“Deri më sot, nga fillimi i luftës, mbi 28 milionë simite buke janë dërguar për nevojat e refugjatëve sirianë brenda Sirisë. Nevojat janë edhe më të mëdha, por shpresojmë se me ndihmë të qytetarëve dhe shoqatave gjithandej nëpër botë, do të vazhdojmë të ndihmojmë refugjatët”. Me këtë rast, ai kërkon ndihmë edhe nga shoqatat humanitare nga Ballkani, pasi siç thotë, “kur në Ballkan shpërthyen luftërat, nga vendet tjera arritën ndihmat e nevojshme për nevojtarët atje”. “Siria nuk ka nevojë për të rinj luftëtar nga jashtë. Siria ka nevojë që këta të rinj, të punojnë në vendet e tyre dhe të grumbullojnë ndihma për fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Jemi në prag të dimrit, po ofrohet ftohti i thatë i Sirisë! Nëse dëshiron dikush nga Ballkani, qoftë shqiptar, maqedonas, serb apo boshnjak, të ndihmojë sirianët, atëherë të ndajë një batanije, një bluzë, të grumbullojë ilaçe, fletore dhe lapsa”, thotë Oruç. Secili të niset nga mendimi se si do të kishte ndihmuar familjen e tij, se cilat janë nevojat e një familje, thotë më tej Oruç.

“Lufta e Sirisë është luftë e brendshme e popullit sirian. Të rinjtë nga jashtë Sirisë nuk duhet të mendojnë për luftë! Sirianët gjithashtu kanë nevojë për mjek vullnetarë, mësues dhe përkujdesës. Të ikurit e Sirisë kanë nevojë për mbështetjen humanitare tonën, por edhe të Ballkanit, ashtu siç kishin nevojë shqiptarët e Kosovës dhe ata në Bosnjë në kohën e luftërave me regjimit e Millosheviçit”, thotë zëvendëspresidenti i IHH-së, organizatë kjo që u etiketua nga agjencia e lajmeve iraniane “FarNeës” si mbështetëse e Al-Kaedas në Siri që në bashkëpunim me oficerë të CIA-s, rekrutojnë dhe stërvitin shqiptarë për luftë në këtë vend. “Akuzat e këtilla që vijnë nga Irani nuk janë të parat dhe as të fundit, besoj. Dikujt i pengon ajo që jemi në krah të fëmijëve dhe refugjatëve sirianë. Akuza të këtilla kishin edhe në kohën kur vepronin në Kosovë, kur ndihmonin refugjatët shqiptarë nga Kosova me mbi 300 kamionë ndihma. Na akuzuan edhe kur ndihmuam shqiptarët në luftën e Maqedonisë, e më parë, edhe për ndihmat në Bosnjë. Lajmet dhe akuzat e këtilla nuk mund të na ndalin në qëllimin tonë si organizatë – të ndihmojmë nevojtarët gjithandej ku janë”, shpjegon Oruç. Ai, me këtë rast u apelon të gjithë atyre që ngrenë dyshime për punën e IHH-së që të marrin guximin dhe të hyjnë në kampet e refugjatë në Siri dhe të shohin punën e IHH-së!
“Ftojmë të gjithë ata që dëshirojnë, qofshin gazetarë apo humanitarë, të vijnë me ne dhe të hyjmë në kampet e refugjatëve sirianë dhe të shohim se cilat janë aktivitetet tona. Drejt Sirisë nga kufiri i Turqisë për çdo ditë futën 10, 100 e deri në 1000 humanitarë dhe njerëz që dëshirojnë të ndihmojnë refugjatët – fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Vetëm në këtë mënyrë do të binden se çfarë po ndodhë në Siri dhe çfarë pune bënë IHH”, thotë Husein Oruç. “Jemi organizatë humanitare. Do të ndihmojmë në Siri, ashtu sikurse ndihmojmë në Bosnjë, Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe në Kosovë. Ndihmojmë edhe në Afrikë, Perëndim dhe vende tjera të botës. Ky është misioni ynë dhe askush nuk do të na ndalë t’u qëndrojmë afër nevojtarëve”, thotë i bindur zëvendëspresidenti i IHH-së, Husein Oruç. (fund)
P: “Jemi në prag të dimrit, po ofrohet ftohti i thatë i Sirisë! Nëse dëshiron dikush nga Ballkani, qoftë shqiptar, maqedonas, serb apo boshnjak, të ndihmojë sirianët, atëherë të ndajë një batanije, një bluzë, të grumbullojë ilaçe, fletore dhe lapsa”, thotë zëvendëspresidenti i IHH-së, Husein Oruç
P: “Ushtarë sa për ta ushqyer dhe për t’i dhënë një kallashnikov, jo nuk kemi nevojë. Kemi mjaft ushtarë”, thotë komandanti i njësitit të Ushtrisë së Liri të Sirisë në Idlib
 

Exit mobile version