Situatë e nxehtë dhe me aktivitete të ngjeshura po zhvillohet në komunën e Dollnenit, ku të dielën do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Në garë për këtë komunë është kandidati i BDI-së dhe kryetari i deritanishëm, Avdulla Bajramoski, i cili ka fituar 2.057 vota si dhe kandidati i VMRO-DPMNE, Bose Miloseski me 2.172 vota.
Vendimtare për fitoren do të jenë votat e shqiptarëve, pasi që ato do të përcaktojnë fituesin. Kandidati tjetër shqiptar nga PDSH-ja, Sevgani Ibrahimi ka arritur të sigurojë 2013 vota.
Por nga BDI në Dollnen theksojnë se PDSH dhe kandidati i saj janë në përkrahje të kandidatit të VMRO-DPMNE. “Ne shohim situatën që po ndodhë. Aktiviteti i Ibrahimit nga fshati Cërnilishtë me 2 mijë banorë është në favor të partisë së Nikolla Gruevski. Ne nuk kuptojmë pse ndodhë kjo kur uniteti ynë na nevojitet në këtë komunë, sikur si e dëshmuam edhe në Strugë. Apelojmë qytetarët të shprehin vullnetin e unitetit dhe jo të manipulohen”, theksojnë nga shtabi i kandidatit të BDI-së në Dollnen.
Qytetarët kanë lajmëruar se dje në fshatin Cërnilishtë nëpër shtylla dhe pranë xhamisë janë vendosur flamuj të VMRO-DPMNE. Kjo ka irituar banorët shqiptarë të cilët kanë reaguar. Ata theksojnë se gjatë tentimit për të hequr flamujt janë thirrur inspektorë të policisë. “Ata po na provokojnë dhe këtu kanë gisht edhe këto individë që i njohim mirë. Duhet të i vij turp se çfarë bëjnë”, theksojnë banorët e Cërnilishtës. (INA)
Categories