Busti i Adem Jasharit, që deri në muajin nëntor 2012 gjendej në një shesh të vogël në Rrugën e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave, pas heqjes prej aty, është hedhur në plehra. “Gazeta Shqiptare” boton sot fotografitë që hedhin dritë mbi turpin e madh. Është e disata herë që busti i komandantit legjendar të UÇK-së përdhoset në Tiranë, por kësaj radhe, ai është hedhur si një gjë e pavlerë në mbeturina, fill pas Galerisë Kombëtare të Arteve. Mundej të ishte lënë në ‘këmbë’ si shumë objekte pranë saj në bronz apo në materiale të tjera, por jo. Ai është i shtrirë në mes qeseve e kartonëve, përkarshi rezidencës së Familjes Mbretërore. A sillemi ne kështu me heronjtë? Jeta e një heroi vijon edhe pas vdekjes, e me të edhe respekti!
Sigurisht, justifikime se pse nuk gjendet në një muze, në një galeri, në një shesh të cilitdo qyteti mund të ketë pafund: Nuk ka vend. Por asgjë, asgjë nuk e justifikon hedhjen e tij në plehra, pas një institucioni kombëtar, në mes të qytetit, në fakt, në mes të kryeqytetit. A është kjo neglizhencë? Urojmë që po. Busti në fjalë, që paraqet vetëm kokën e heroit, e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka luftuar për flamurin kuqezi, nuk duhej kurrsesi të lihej aty ku është sot. Edhe pse është prej ‘guri’, ai gjithsesi simbolizon njeriun që bëri një sakrificë të madhe për atdheun, për atë atdhe, për atë mëmëdhe, për atë flamur që valëvitet mbi institucione që e fyejnë. Asnjë muze, galeri apo institucion në Tiranë e jashtë saj, nuk e pat një metër vend për të? A nuk pat një strehë ku busti të prehet?
Më herët…
Nuk është hera e parë që ky bust përdhoset. Gjatë atyre pak viteve që qëndroi në hyrje të bllokut të ambasadave, ai është dëmtuar disa herë. Përpos shkronjave të emrit, që herë binin vetë e herë-herë njerëz të paidentifikuar i hiqnin, nuk kanë qenë të pakta rastet kur binin edhe pllakat e strukturës mbajtëse. E ndërsa gurët dhe pllakat i dëmtoheshin, nuk mungonte ngjyrosja në modele të ndryshme dhe grafite, edhe pse ai shihej çdo ditë nga kalimtarët e rastit, por edhe diplomatët e huaj, që kryesisht gjenden pranë asaj lagjeje, për shkak se pak metra më tutje qe numri më i madh i përfaqësive diplomatike ndërkombëtare. Por, këto u duk se morën fund, kur në nëntor të vitit që shkoi, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, në të njëjtin shesh u vu një shtatore e re që mban firmën e Muntaz Dhramit. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë udhëheqës të lartë nga Shqipëria e Kosova, që e ngritën në qiell figurën e Adem Jasharit. E me sa duket, ndërsa politika ngriti në qiell emrin e figurën e tij, dikush (që jazëk i qoftë) e uli në tokë, po më shumë se ç’duhet bustin e vjetër të tij, që megjithëse i vjetër, mbetet sërish busti i Ademit. Fasada dukej shkëlqyese, e megjithatë ë vërteta fshihet gjithnjë pas perdes! /balkanweb/
Categories