Kur u sollën nga Senegali në Kosovë, u ishte premtuar “Parajsa” ndërsa këtu në fakt gjetën vetëm “Ferrin”.
Ata sot nga një hapësirë një dhomshe në një motel të Prishtinës të cilën nuk e kanë paguar qe një muaj, rrëfejnë se si janë mashtruar dhe sot nuk kanë para as për të ngrënë bukë.
Madje ata edhe shtratin e ndajnë bashkë.
Të zhgënjyer dhe të hidhëruar, ata si praktikues të rregullt të fesë islame thonë se nuk e kanë pritur një gjë të tillë, pasi që e kanë ditur se po vijnë në një vend me popullatë ku shumica janë mysliman.
E tëra që dëshirojnë ata tani është të angazhohen të luajnë futboll diku që të paktën të sigurojnë nga 1 mijë euro për bileta për tu kthyer në atdhe, në Senegal.
Për momentin gjithçka që u ka mbetur është besimi tek Zoti pasi tek njerëzit e kanë humbur.
1 muaj pa paguar motelin, jetojnë me 5 euro në ditë
Si shumë të rinj afrikanë të cilët ëndërrojnë që të krijojnë karrierë në futboll, janë edhe 20 vjeçari Mouhamado Ndiaye dhe Hadji Malick 23 vjeçar.
Të dalë nga dy familje të mëdha afrikane ata si rrugë të vetme për mbijetesë e kanë parë futbollin.
Mirëpo kjo rrugë nuk po u del edhe aq e lehtë. Ata me 3 shkurtë të këtij viti kishin arritur në Aeroportin e Prishtinës, si përforcimet më të mëdha të skuadrës nga superliga e Kosovës, Hajvalia, të sjellë nga menaxheri Hamdi Mehmeti.
Ata u paraqitën me sukses në muajt e parë.
Mirëpo ajo të cilën ata menduan do të ishte një aventurë interesante dhe e lumtur për ta doli të jetë një nga përvojat më të këqija të jetës së tyre.
Menaxheri Mehmeti, i cili për një kohë ishte edhe aksionar në klubin e Hajvalisë, me tu tërhequr nga klubi nga paralagjia e Prishtinës, ka tërhequr edhe dy futbollistët senegalez që luanin aty.
Mirëpo, përveç lënies pa skuadër, ai duket se nuk është kujdesur që tu gjejë një klub tjetër, ndërsa kohëve të fundit si duket i ka harruar edhe obligimet që ka ndajë tyre, meqenëse ka kontratë 2 vjeçare me të dy.
“Ne kemi kontratë 2 vjeçare me Hamdinë mirëpo ai nuk po e respekton atë. Nuk kemi folur për një kohë të gjatë në telefon pasi ai jeton në Zvicër, ndërsa ne na ka harruar. As nuk e ka paguar vendin ku po qëndrojmë e as para për shpenzime ditore nuk po na dërgon. Ne flemë në të njëjtin krevat dhe jeta ka filluar të bëhet e mërzitshme këtu”, ka thënë 20 vjeçari, Ndiaye.
“Pronari i moteli është treguar shumë i mirë me ne dhe po na lejon që të qëndrojmë këtu edhe pse ka kohë që nuk kemi paguar. Tani më vjen edhe turp t’i dal përpara pasi që na kanë pritur mirë pasi që edhe atij mund t’i vij mund t’i bëhet boll dikur dhe të mos na lejoj më të qëndrojmë.”, shton 23 vjeçari Hadji Malick.
“Nuk ka problem që nuk kemi bukë, Zoti është i madh”
Si besimtarë të fesë islame, ata rrëfejnë se mezi kanë pritur që të vijnë këtu pasi që e kanë ditur se vendi është me popullsi myslimane.
“Njerëzit në përgjithësi janë të mirë këtu, pasi që edhe i përkasim të njëjtës fe, nuk kemi pasur problem asnjëherë”, shton 20 vjeçari.
“Mirëpo menaxheri i jonë nuk është treguar korrektë me ne. Ai edhe sot nuk po na përgjigjet të na tregoj se çfarë të bëjmë”, ka shtuar ai.
Ndiaye, rrëfen se me para gjinden nga të munden ndërsa jo rrallë ka ndodhur që edhe tu kërkojnë familjes në Senegal dhe shokëve të tjerë që kanë nëpër Evropë.
“Po të mos ishte familja të na dërgonte para disa herë dhe një shok i imi në Austri nuk e di si do t’ia bënim për bukë”, rrëfen Ndiaye.
“Të dy jetojmë me 5 euro në ditë. Nuk janë shumë mirëpo nuk e kemi luksin të shpenzojmë më shumë”, ka thënë Ndiaye.
Ndërkohë 23 vjeçari Malick, ka rrëfyer se kushtet e vështira kanë filluar ta mërzisin këtu.
“Jeta ka filluar të bëhet e vështirë këtu. Nuk kemi para, jo edhe aq shok, ndërsa as futboll nuk po luajmë”.
Falin Sabahin dhe fillojnë ushtrimet në 4 të mëngjesit
Edhe pse nuk janë të aktivizuar në ndonjë skuadër për momentin, ata për asnjë moment nuk i kanë ndërprerë ushtrimet.
Ata zgjohen qysh para lindjes së diellit ku kryejnë lutjet e mëngjesit dhe më pas dalin për të vrapuar që ta mbajnë veten në formë në rast se i ofrohet ndonjë mundësi për të luajtur ndokund.
“Çdo ditë falim mëngjesin dhe pastaj dalim për të vrapuar. Duam që të mbajmë veten në formë në rast se na ofrohet ndonjë mundësi për të luajtur futboll në ndonjë skuadër”, ka thënë mbrojtësi i majtë, Hadji Malick.
Mirëpo kohëve të fundit edhe kjo gjë ka nisur të bëhet e pamundur pasi siç rrëfen Malick, ai gjatë tërë ditës ha vetëm bukë thatë pasi që është më lirë. Dhe me këtë lloj ushqimi sipas tij është vështirë të fitosh fuqi.
“Është e vështirë të vraposh disa kilometra kur ha vetëm bukë thatë. Ushqimi është shumë i rëndësishëm për ushtrimet ndërsa ne nuk po kemi mundësi që të hamë si duhet”, ka shtuar ai.
“Nëse Meda na pranon te Hajvalia, ne do ta prishim kontratën me Mehmetin”
20 vjeçari, Mouhamado Ndiaye të cilin e ka marrë malli që të luaj futboll, ka thënë se dëshiron shumë që të rikthehet te Hajvalia për të luajtur.
Ai ka shtuar se nëse presidenti i klubit Hajvalia, këngëtari i njohur kosovarë, Meda do t’i pranoj ata në skuadër që të dy do t’i prishin kontratat me menaxherin Hamdi Mehmeti.
“Ne nuk kemi kurrfarë problemi me Hajvalinë. Atje ka shumë njerëz të mirë dhe që na kanë respektuar shumë. Ende vazhdojnë të na flasin dhe të në përkrahin në mënyra të ndryshme. Kështu që nëse Meda na pranon në skuadër ne do t’i prishim kontratat me Hamdin, dhe do të luajmë me shumë dëshirë aty”, ka thënë Mouhamado Ndiaye.
“Jemi ngujuar këtu, nuk kemi para për bileta që të kthehemi në shtëpi”
Të zhgënjyer nga eksperienca e keqe këtu, ata thonë se edhe pse dëshirojnë të largohen kanë mbetur të ngujuar në Kosovë.
Nuk kanë para për bileta ndërsa as skuadër nuk po mund të gjejnë. Presion për tu kthyer në shtëpitë e tyre po u bëjnë edhe familjet të cilat janë mërzitur për situatën e bijve të tyre në Kosovë.
“Pasi nuk po arrimë që të luajmë askund më shumë dëshirë do të ishim kthyer në shtëpi. Mirëpo edhe kjo është e pamundur pasi që kemi mbetur të ngujuar këtu. Një biletë për në Senegal kushton mbi 1 mijë euro ndërsa ne nuk kemi aq para”, ka thënë Hadji Malick. /Zeri