“Kjo që shihni mbrapa meje është tualeti për 77 nxënësit e shkollës fillore “Vasill Gllavinov” të fshatit Slivnik. Incizimet që do të sjellim para jush edhe një herë dëshmojnë se Inspektorati shtetëror i arsimit asnjëherë nuk ka shkelur në këtë vend për të shqyrtuar dhe për të parë problemet me të cilat ballafaqohen nxënësit e kësaj shkolle ose, thënë më thjeshtë kushtet elementare të cilat mungojnë tash e sa vite në këtë objekt shkollor”.
Përveç tualetit, 77 fëmijëve të kësaj shkolle në shkollë u mungon edhe kushti i parë elementarë, uji për pije dhe për t’u pastruar. Një situatë e tillë në këtë shkollë vazhdon prej vitesh. Mësuesi Qemal Musa tha se në 20 vitet e fundit, asnjë përfaqësues i Ministrisë së Arsimit nuk ka shkelur në këtë shkollë, megjithë ankesat e tyre të shumta drejtuar këtij dikasteri. Ai thotë se nuk i ka lejuar fëmijët të shkojnë në banjën e shkollës, por i nis ata në shtëpi.
“Varësisht prej kushteve edhe punën e rregullojmë, p.sh kemi një pushim të gjatë, pak edhe të stërzgjatur pas orës së dytë edhe unë u rekomandojë nxënësve që të shkojnë në shtëpi ato që janë më afër, ato që i kanë shtëpitë më larg atëherë shkojnë të moshatarët e tyre edhe ashtu..Nuk ka mundësi të shkojnë të kryejnë nevojën elementare që e ka çdo njeri i gjallë….Nga Ministria e Arsimit harrova kur na kanë vizituar, ashtu të them në mend ndoshta para 20 vitesh”, tha Qemal Musa, mësues.
Mësuesi Musa gjithashtu sqaron se për shkak të objektit shumë të vogël të shkollës është i detyruar që mësimin ta zhvillojë në paralele të kombinuara në dy turne, paradite e pasdite. Ai thotë se shkolla posedon dy klasa, një që plotëson kushtet për mësim dhe një tjetër që ka grumbulluar bankat dhe karriget e thyera.
“Gjithmonë kam kërkuar prej drejtorit, prej udhëheqësve komunal e në kohë të fundit kur nuk kishte rrugëdalje tjetër ju dërgova personalisht edhe nga një letër ministrit dhe zv/ministrit dhe do ta shohim reagimin e tyre dhe besoj se diçka do të na ndihmojë se në këto kushte nuk ka mundësi pune”, u shpreh Qemal Musa, mësues.
Ndërkohë për mësuesin tjetër, Agim Musa zhvillimi i procesit arsimor në këto kushte është I ngjashmë me ato të disa shekujve më parë ndërsa projekti kompjuter për cdo fëmijë mbetet vetëm ëndërr e parealizuar.
Kushtet elementare janë shumë të dobëta, 75 nxënës me një objekt 30 m2 duke mësuar me tre klasë të kombinuara e kështu me radhë. Kompjuter për çdo fëmijë është vetëm një ëndërr, 75 fëmijë duhet me pas kompjuter, ajo është projekt. Jo fëmijët por nuk ka edhe në zyrë që është obligim që zyra të ketë një kompjuter në modernizimin e teknologjisë së re. Zyra jonë përmban një pjesë më dy metër katrorë në të cilën dy tre vetë nuk mund të rrinë”, deklaroi Agim Musa, mësues.
Megjithë vështirësitë e jashtëzakonshme, në sytë e këtyre nxënësve nuk mungon buzëqeshja dhe vullneti për të mësuar. Shumë prej tyre kanë krijuar edhe ëndrrat e tyre se çfarë dëshirojnë të bëhen kur të rriten.
“Kur shpjegon arsimtari për klasën e dytë ne tentojmë t’i mësojmë pyetjet kur do të na pyes”.
“Ne kishim dashtë një shkollë me shumë kushte, që më mirë të mësojmë dhe më shumë. Shkollës i mungon tualeti dhe shumë gjëra, kompjuterë. Unë kur të rritem nëse do të mësoj kam dëshirë të bëhem policë”.
“Unë kur të rritem dua të bëhem doktoreshë”.
“Pak është ngushtë këtu se jemi tre veta dhe nuk mundemi të shkruajmë mirë”.
Objekti ekzistues i shkollës fillore në fshatin Slivnik është ndërtuar që në vitin 1985 pas një djegie të tërësishme që pësoi objekti paraprak i ndërtuar në vitin 1972./Alsat-M/
EDITOR
12 years ago