Tashmë shorti është hedhur dhe orari i ndeshjeve është caktuar. Të mërkurën në ora 17 do të bëhet hapja solemne e turnirit tradicional në futboll të vogël “Jakup Asipi”, turnir në të cilin marrin pjesë ekipe tashmë të njohura nga Maqedonia, Kosova dhe Lugina e Preshevës. Gazeta KOHA sivjet është sponsor medial i turneut në fjalë.
Turniri tradicional përkujtimor “Jakup Asipi”, që organizohet për të katërtën herë me radhë nga KF “Besa” e Sllupçanit të Likovës, edhe sivjet ka zgjuar interesim të madh nga ekipet dhe lojtarë të këtij sporti më të popullarizuar në botë. Të interesuar për të marrë pjesë në këtë turne nuk janë vetëm ekipet nga vendi, por edhe nga Presheva dhe Kosova. Këshilli organizativ tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e turnirit, ndërsa shpresojnë që njëjtë sikur vitet tjera, edhe këtë vit – turniri të kalojë në atmosferën më të mirë të mundshme. “Të gjitha përgatitjet e duhura për këtë turne janë gati. Kështu që ditën e mërkurë, me fillim prej ora 17, do të bëhet edhe hapja solemne e këtij turniri tradicional ‘Jakup Asipi’. Hapjen do bëjnë hoxhallarët nga Lugina e Preshevës si dhe hoxhallarët nga Komuna e Likovës. Ndërkaq, me fillim prej ora 18:30, do të zhvillohet edhe ndeshja e parë zyrtare e këtij turniri”, deklaroi Salim Abdyli, kryetar i Këshillit organizativ. Abdyli rrëfen edhe interesimi është shumë i madh, ndërsa beson se i gjithë turniri do të kalojë sipas programit të përgatitur nga Këshilli organizativ.
“Ky turnir po zhvillohet që katër vite me radhë, ku edhe interesimi çdo vit shkon e rritet. Këtë vit do të marrin pjesë 31 ekipe, dhe atë do të kemi ekipe nga Tetova, Shkupi, Kumanova, si dhe do të kemi skuadra nga Presheva dhe nga Kosova. Jemi shumë të kënaqur me interesimin e madh dhe besoj së gjithçka do të shkojë sipas plan-programit”, tha Abdyli. Vitin e kaluar kanë marrë pjesë futbollistë të mirënjohur dhe emra të mëdhenj të futbollit, nga liga e parë e Maqedonisë, Kosovës, Kroacisë – Armend Alimi, Muzafer Ejupi, Ramadan Alaj, vëllezërit Sunaj dhe Suat Keçi, pastaj Narcis Alibegu, Adrian Rexhaj e Kemaj Gashi si dhe portieri Dardan Miftari. Por, ajo që gëzon më së shumti se shumë ekipe përbëheshin me lojtarë të rinj nga shkollat e futbollit, që një ditë të gjithë po presim të na prezantojnë në futbollin ndërkombëtar. Nga Këshilli organizativ informojnë se edhe këtë vit, është konfirmuar pjesëmarrja e shumë futbollistëve të njohur shqiptarë.
“Edhe në këtë edicion do të luajnë emra të njohur të futbollit si Dani Alaj, Azem Balaj, Halim Selmanaj, Bunjamin Shabani, ndërsa jemi në kontakt me udhëheqës të ekipeve që të vijnë edhe disa lojtarë të tjerë si vëllezërit Suat dhe Sunaj Keçi”, thonë në Këshillin organizativ. “Ismet Jashari” nga Orizarja, “Shkëndija” e Tetovës; “Market Blerimi”, OKF “Rinia” dhe “Inter Presheva” nga Lugina e Preshevës, “Rossoneri”, “Harun Aliu”, “Teli 69”, “Suk Impeks” dhe “Juventusi” nga Shkupi, “Rozafa Sport”, “Albi”…. janë vetëm disa nga 31 ekipet e paraqitur për të marrë pjesë në këtë turne. Madje, me ekip futbollistësh është paraqitur edhe diaspora shqiptare. Tashmë shorti është hedhur dhe orari i ndeshjeve është caktuar. Ndërkohë që hapja e turnirit do të shënohet të mërkurën me një ndeshje nga hoxhallarët e Komunës së Likovës dhe atyre nga Presheva. Ndeshjet do të zhvillohen në sallën e sportit “Faik Konica” në Sllupçan. Gazeta KOHA sivjet është sponsor medial i turneut në fjalë. Për çdo ditë, në faqet e sportit në KOHA do të publikohen rezultatët e secilës ndeshje./koha/
Categories