Categories
Lajme

Sofra e Iftarit bashkon Ramën, Bashën dhe Topallin (FOTO)

Iftari i shtruar sonte nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bashkuar në të njëjtën tavolinë kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, kreun socialist Edi Rama si dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli, njofton Portali Albeu.com.
I fundit tavolinës i është bashkangjitur lideri socialist i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Ndërsa Rama nuk ka përshëndetur Bashën dhe Topallin, Topalli është përshëndetur me bashkëshorten e liderit socialist.
Ndërkohë vet kryesocialisti Rama, përmes një postimi në Twitter ka publikuar një foto të darkës të shoqëruar me urimin e mëposhtëm:
“Me Lindën në iftarin e shtruar nga Komuniteti Musliman. I uroj lehtësi çdo besimtari e mbarësi gjithë komunitetit.”
Në iftarin tradicional të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, përveç liderëve politik, prezent ishte edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, krerët e komuniteteve fetare në vend, ministrat Aldo Bumçi, Halim Kosova e Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, diplomatë e ambasadorë të akredituar në Tiranë, deputetë e biznesmenë si dhe njerëz nga fusha e artit, sportit dhe medias.
Para fillimit të iftarit, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça ka uruar të pranishmit për këtë muaj të bekuar duke u shprehur se kjo është filozofia e iftarit, të hamë, të falim dhe ta mëshirojmë njëri-tjetrin, duke e përjetuar si duhet këtë mirësi të madhe të Zotit të Lartë.
“Allahu i Gjithëmëshirshëm e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë. Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin dhe adhurimet e tjera”, u shpreh z. Muça në mesazhin përshëndetës në iftarin tradicional të ditës së parë të Ramazanit.
Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj ceremonie, institucioni bashkon krerët e shtetit dhe figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në këtë muaj të rëndësishëm të kalendarit islam. /albeu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version