Categories
Ramazani

Sonte do të vish

Po! Ti sonte do të vish! T’ma shuash mallin që ka lëshuar rrënjë me muaj,
Të ma rikujtosh përsëri, se këtu jam e huaj!
 
Ti sonte do të vish! T’ma hapësh gjoksin e stërmbushur me barrë,
T’i hedhësh ujë fytyrës shpresës sime që ka kohë që rri varrë!
O muaj i bardhë! Pse duhet t’i shkosh për shtat thënies: rrallë e përmall!
Se edhe kur je këtu për ty më merr malli!
E po të vonoheshe më shumë, s’di zemrës sime si do t’i bëhej halli!
 
Por, ti sonte do të vish! Të më bësh të marrë frymë thellë pas shumë kohësh,
Edhe një herë të ma kujtosh, se sado që të ngulfatet, liria kurrë nuk vdes
Se pavarësisht sa herë rrëzohem, shpresa në shpirtin tim gjithmonë do të mbesë!
Se ajo vjen nga Zoti, e Zoti i shpresës nuk vdes!

O muaj i bardhë! Bardhësinë tënde ma jep!
Botën ta lyej, ta pastroj nga shtrembësitë, që njerëzit e mirë t’mos i përlyejë!
Se, që kur ishe këtu herën e kaluar, ç’nuk kam parë! Ç’nuk kam dëgjuar!
E kam parë drejtësinë të bjerë për tokë! E kam parë lirinë me pranga në duar!
Të mirët i kam parë si shtypen pse mirë flasin, të ligët plot ligësi si bërtasin!
 
Por, ti sonte do të vish! Unë jam bërë e tëra zemër, tërë dashuri për të të pritur
E ti, si çdoherë plot madhështi do të vish, shpresën e zemrës sime për ta rritur!
 
Do të vish!
Për t’ma përsëritur edhe një herë thelbin e çdo mësimi që më ke dhënë
Esencën që zbërthen çdo fjalë të thënë!
A nuk janë vetëm dy rrugë?! Si natë e ditë mes vete,
Njëra të shpien tek Krijuesi i shpresës , tjetra t’i lidh këmbët për kotësirat e kësaj jete!
Kthjelltësia jote do t’më bëjë të kuptoj arsyen pse vuaja
Se e kam kërkuar lirinë mbrapsht, e të mençurit kanë thënë
Mbi tokë liria para se të mbijë, mbilleni atë në zemrat tuaja!
Të drejtën para se ta kërkoni, sëpari me veten tuaj drejt veproni!
 
Kur të shkosh, s’do më lësh si më ke gjetur
Do ta kem zgjuar në mua në shpirtin e fjetur
Bindshëm do të ec rrugës së lirisë, me shpresë e djersë e shtruar
Lirinë për ta ngritur, njerëz për të shkruar!
 
Shqipe Palloshi

Exit mobile version