Njëri ndër stadiumet më të mëdha sportive në Kosovë, stadiumi “Adem Jashari”, nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës së Trepçës për stinorin pranveror, kjo pasi që në këtë objekt është duke u punuar në krijimin e një stadiumi me nivele evropiane.
Fundjavën që e lamë pas Komisioni i Federatës së Futbollit të Kosovës për inspektimin fushave kishte vizituar stadiumin “Adem Jashari”, ku ishin mahnitur me punën që është duke e bërë aty.
-Ne e kemi bërë inspektimin e fushave në Mitrovicë dhe kemi konstatuar se stadiumi ‘Adem Jashari’ nuk është në gjendje që të zhvillohen ndeshje. Fusha aty është shumë e mirë, por lokalet përcjellëse ishin duke u rregulluar, madje çfarë pamë ne aty ishte duke u krijuar një objekt tejet modern, ka thënë Adem Çollakaj, sipas të cilit, Trepça ndeshjet e pranverës do t’i zhvillojë të rivalet lokalë Trepça’89.
Se stadiumi Adem Jashari në verë do t’u ngjajë stadiumeve evropiane dhe se do të jetë shembull për të gjithë, e konfirmon kryetari i klubit të Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, sipas të cilit ky vit do të sjellë një stadium tejet modern.
-Stadiumi i Trepçës është duke u rregulluar. Jemi duke punuar me intensitet të lartë dhe me investimet që do të hyjnë aty, ai stadium do t’i ngjajë një stadiumi tejet modern siç shohim në Evropë.
-Gjithçka që i duhet një stadiumi, ai do të ketë, duke filluar nga teshatoret me nivel të lartë, ashensorë për tifozët VIP, vendi për gazetarët, interneti e deri te sauna. Me një fjalë do të krijojmë një stadium shumë të bukur, përfundoi Haxhiu.
Categories