Mbi 12 vite nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, akoma nuk është zgjidhur statusi i familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.
Partitë politike këtë çështje vazhdimisht e kanë përdorur për fushata dhe konfrontime politike, ndërsa Shoqatat e Veteranëve të Luftës vite me radhë kanë ngritur zërin, duke kërkuar zgjidhje emergjente dhe rregullimin e statusit të familjeve të dëshmorëve, në përputhje me Ligjin për përkujdesje institucionale për të rënët maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001.
BDI kohëve të fundit nuk ka përdorur këtë çështje si kartë për fushatë politike në fushatën e zgjedhjeve lokale, ndërsa kjo çështje nuk ka ngritur vëmendjen edhe nga ana e partive tjera. Kërkesa e VMRO-DPMNE për plotësimin e ligjit për pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrëse në konfliktin e vitit 2001 – branitellat dhe rregullimi i statusit të tyre përmes beneficioneve dhe kushteve speciale, nxiti kërkesën që në një pako të gjendet zgjidhje edhe për statusin e UÇK-së. Mirëpo, kjo çështje akoma ka ngecur në sirtaret e Parlamentit të Maqedonisë, ku komisionet parlamentare kanë ngecur në debatet për të diskutuar mbi projekt – ligjin e VMRO-
DPMNE për statusin special për ‘branitellat’ maqedonas.
Por, shoqatat e veteranëve kanë vazhduar me ngritjen e zërit për këtë çështje, mirëpo kërkesat e tilla vazhdojnë vetëm të përsëriten, duke mos gjetur përkrahjen nga spektri politik. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu edhe sot ka shprehur kërkesën për të zgjidhur statusin e UÇK-së.
“Familjet e dëshmorëve kohëve të fundit janë duke kërkuar statusin e tyre real si familje dëshmorësh që kanë rënë për atdheun dhe jo të kombinuar me forma të tjera në mënyrë shumë etnike institucionalisht të përzier, kështu që jemi të mendimit që kështu vet në këto forma që i kemi si komuna shqiptare të plotësojmë këtë status të atyre që e meritojnë statusin e dëshmorëve të atdheut. Nëse këta tanët e qeverisë nuk e zgjidhin vetë dhe nuk japin nënshkrimet e tyre dhe jo të palës tjetër se pala tjetër vepron në mënyrën e saj e jona në tonën, atëherë ne do i detyrojmë ata që të japin nënshkrimet e tyre si shqiptarë për çështjen tonë”, theksoi Veliu, me rastin e homazheve pranë varrezave të dëshmorëve të UÇK-së. Kërkesat  e tilla janë përsëritur edhe nga shoqata dhe organizma të tjerë. Shoqata e Veteranëve të Luftës “Kalaja” gjithashtu ka bërë thirrje për zgjidhjen e statusit për dëshmorët e lirisë dhe ndalimin  e nëpërkëmbjes së veteranëve të UÇK-së mbi 12 vite nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001. Kjo shoqatë ka bërë të ditur se ka informuar organizmat ndërkombëtare për gjendjen e mjerueshme të një pjese të madhe të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Maqedoni. Kërkesa për zgjidhje për statusin e UÇK-së është bërë edhe nga diplomatë perëndimor, të cilët kërkojnë që kjo zgjidhje të jetë në pako dhe një formë pajtimi me zgjidhjen e statusit edhe të branitellave maqedonas. (INA)